Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Rreth 21 minuta lexim
Rendi natyror i gjërave
Korrik 2020
Pandemia e pranishme, e cila për disa muaj të shkurtër ka shkaktuar probleme të mëdha rreth e çark botës, ka shumë gjasa se është shkaktuar nga një jobarazpeshim i botës natyrore. Kjo pasiqë humbja e banesave të gjallesave (habitateve) dhe llojllojshmëria biologjike nuk po shkakton zhdukje vetëm të kafshëve por drejtpërsedrejti po shkakton edhe përhapjen e viruseve të kafshëve te njerëzit. Si kundërpërgjigje, liderët tanë po vazhdojnë të përdorin imazhe përleshjeje si: "Ne jemi në luftë me Kovid 19," ose "Ai është një armik i padukshëm të cilin duhet ta mposhtim". Ama, edhe pse ky virus është duke përçarë jetët tona, duke shkaktuar sëmundje, vdekje dhe rënie ekonomike, ai në vetvete është tërësisht një fenomen natyror, është një qenie e gjallë e cila riprodhon vetveten sipas caktimit të natyrës. A janë këto imazhe të përçarjes dhe zaptimit të përshtatshme apo edhe të dobishme? A na ndihmojnë që të kuptojmë, të përgjigjemi dhe të sjellim prapë botën tonë në barazpeshim?
Një ndër rrëfimet më të preferuara të Karl Jungut ishte "Shibërësi", të cilin ia pat treguar një mik, Riçard Vilhelmi:
"Ka pas qenë një thatësirë e skajshme [diku në Kinë] kur Vilhelmi jetonte; për muaj me radhë s'pat rënë asnjë pikë shiu dhe gjendja u bë katastrofale. Katolikët kryejshin ceremonitë e tyre, protestantët luteshin, kinezët ndiznin shkopat e tyre aromatizuese dhe gjuanin me armë për t'i frikësuar dhe larguar shejtanët e thatësirës, por të gjitha këto s’kishin asnjë ndikim. Në fund, kinezët thanë: "Do ta thërrasim shibërësin". Kur e thirrën, paraqit një plak i tharë nga një provicë tjetër. Gjëja e vetme që kërkoi ishte një shtëpi e vogël në të cilën u mbyll për tre ditë.
Në ditën e katërt, retë filluan të mblidhen dhe u bë një fortune bore në një kohë viti kur bora nuk pritet. Ra në sasi të pazakonshme. Qyteza ishte përplot thashetheme rreth shibërësit të mrekullueshëm kështu që Vilhemi vendosi që të shkonte ta pyeste plakun se si e bëri atë ç'bëri.
Në një mënyrë vërtetë evropiane ai i tha: "Juve ju thërrasin shibërës; a më tregoni se si e bëtë borën?"
Shibërësi tha: "Unë se bëra borën; unë s'jam përgjegjës për atë."
"Por çfarë keni bërë përgjatë këtyre tre ditëve?"
"Oh, atë mund ta shpjegoj. Unë erdha prej një vendi ku gjërat janë në rend. Këtu janë jashta rendit, nuk janë ashtu si duhet sipas rendit qiellor. Për këtë shkak, i gjithë vendi nuk është më në Dao; rrjedhimisht, as unë nuk jam në rendin natyror të gjërave sepse gjindem në një vend të çrregulluar. Prandaj, mu desht të pres tre ditë derisa u riktheva në Dao pastaj në mënyrë të natyrshme erdhi edhe shiu." [1]
Ku janë shibërësit sot, ata që "vijnë nga një vend ku gjërat janë në rend"? Apo i kemi shporrur të gjithë shumë kohë më parë e i kemi dëbuar nga bota jonë e shkencës dhe mendimit racional? Ka shumë kohë prejse në kulturat indigjene ishte e zakonshme që kur bota dilte nga barazpeshimi të këshilloheshe me shamanët apo ëndrrat. Sot, ne kemi pak shamanë, edhe vetja jonë ëndërruese është cenzoruar dhe rrëfimet e saja janë degraduar nëpër revista apo nëpër kolltuqet e terapistëve tanë.
Ne dimë si të luftojmë dhe si të kacafytemi por nuk dimë si të jemi të heshtur dhe pranues. Ne kemi harruar si të kundrojmë dhe dëgjojmë. Dhe prapë, shenjat gjenden rreth e çark nesh. Për disa, mënyra më e mirë për t'iu përgjigjur kësaj pandemie është që të tërhiqen për te "një shtëpi e vogël dhe e qetë", ku në vend se të shkojnë pas qejfeve të tepruara të shfaqjeve televizive të pafundme, të shikojnë brenda - atëherë, mbase mund të rikthehemi në Dao, te barazpeshimi i rrjedhës natyrore të jetës.
Për ata që janë mjaftueshëm trima të besojnë diçka më të thellë, të dëgjojnë Tokën dhe udhët e vjetra, pandemia paraqet një mundësi për t'ia kthyer shpinën poteres dhe hutive të botës sonë të jashtme, dhe për t'i dal përballë rrënjëve më të thella të qenies sonë. Këtu është vendi ku shpirti na ushqen, këtu mund të plotësohemi dhe këtu mund ta ndihmojmë plotësimin e botës sonë.
Bota është duke vdekur nga rrënimet e ankthit të kulturës sonë materialiste, e cila ndotë ajrin që e thithim, ujin që e pimë dhe që ia mohon shpirtit lidhjen e tij natyrore me sakralen. Në qetësi, ne mund të pijmë thellësisht nga ujërat e jetës të cilat ende janë të pastra; ne mund të komunikojmë me forcat themelore të natyrës; ne mund të rikthehemi te sakralja dhe thelbësorja e jetëve tona dhe jetës së Tokës.
Këtu, në "vendin tjetër" ajri nuk është i helmuar, dhe duhma e botës së sotme, në këtë epokë post-reale, nuk na mjegullon shikimin. Qeshja e fëmijëve tingëllon reale. Këtu ka qetësi dhe stinët janë të barazpeshuara. Në psikën dhe shpirtin tonë ende ka vende të egra ndër të cilat nuk ka pesticite apo helme dhe ku dija e lashtë e Tokës është ende e qasshme.
Përderisa bota jonë është kthyer kokëposhtë nga përhapja e një virusi i cili kërcënon shëndetin dhe mirëqenien tonë, shkatërron ekonominë globale dhe vizionin e saj për një ekonomi të pandalshme në rritje, këtu në bregun e Kalifornisë Veriore ka dal më e bukura pranverë. Tani, trëndafilat e egër ngjyrë roze po bijnë mbrapa rrethojës, luletogëzat po hapen, dhe se shpejti kulpëra do të lulëzojë në vjollcë. Jo më larg se dje mbrama e pash një këlysh dreri me nënën e tij mbrapa pemëve afër shtëpisë sonë, këlyshi ende i vockël e me pika. Po e shoh se natyra po tregon një tjetër rrëfim, atë të rigjallërimit dhe rilindjes, atë të cikleve të përjetshme të ndryshimit dhe hijeshisë. Dhe po mundohem të dëgjoj, të harmonizohem me këtë urtësi më të thellë. Këto kohë nuk bëjë shumë gjëra; me moshën jam ngadalësuar shumë. Dal në ecjen e mëngjesit, ujis bimët e perimeve të njoma në bahçe dhe mendohem se si do të dalin domatet këtë vit. Jam me fat që nuk jam mu përballë fronteve të pandemisë dhe i frikësuar për shëndetin apo urinë. Ama, po e ndiej që ka një mënyrë tjetër të të qenurit, të pakurthuar në konsumerizëm apo në plane rreth një të ardhmeje që nuk do të vijë kurrë. Sot patëm një furtunë shiu, e pazakonshme për këtë kohë të vitit.
Ne nuk e dimë se si kjo pandemi do të na i ndryshojë jetët tona, apo se si do ta ndryshojë skenën e botës sonë. Për sa kohë do të vazhdojë "distancimi social"? A do t'ju rikthehemi ndonjëherë fluturimeve të lira dhe të mbushura me njerëz? Sa të gjata dhe dëshpëruese do të bëhen rreshtat e njerëzve që presin për ushqim? Kjo është sikur dikush ta ketë tërhequr fijen që e mbanë të gjithën së bashku teksa ne po luftojmë që t'i "rikthehemi normalitetit". Pyetja është, çfarë rrëfimi jemi duke u munduar t'i tregojmë vetes? Apo jemi midis rrëfimeve, në një gjendje panjohurie dhe pasigurie? Çfarë po na tregojnë ëndrrat tona, cili është mesazhi i zemrave tona? Kujtoj vargjet e kënduara nga Leonard Kohen:
Në çdo gjë gjendet një vrimë
dhe kështu drita në brendi hyn. [2]
A është tani koha kur drita mund të hyjë nëpërmjet vrimave, nëpërmjet strukturave të qytetërimit tonë i cili ka provuar të dështojë?
Nuk po pres asnjë përgjigjje. Në vend të saj, po mundohem të rikthehem te thjeshtësia e asaj se ç'është - te një degë teksa lëkundet me erën, te rrezet e diellit të larosura dhe hijet e shkaktuara prej pemëve. Jam falenderues të jetoj në mes natyre, ku sodisë retë roze të mbrëmjes matanë gjirit, ku di se mbrapa kodrës uji është edhe më i egër dhe se atje matanë është oqeani me baticën dhe rrymat e shthurura të tij. Por edhe kur qëndroj në qytet, mundohem të gjej të zakonshmen, komshijen që shëtitë qenin e saj, nënën e re që shtynë fëmijën në karrocë. Më pëlqen të eci deri te shitorja dhe të blej bukë e qumshtë. Duke qenë më i moshuar kam më pak dëshira; iluzionet e jetës më kanë kaluar përpara. Kundroj një çukapik afër ushqimit për zogjë, një ketër duke lëvizur shpejtë për të nxënë farën e rënë - jeta është e mbushur me këso çaste.
Ne jemi duke jetuar në një kohë tepër të pabarazpeshuar, me pabarazi të tepërta ekonomike dhe shoqërore, dhe në një zaman kur bota natyrore është duke u hedhur në një rrënim klimatik dhe ekocid [3]. Kështu ndodh kur një qytetërim dështon, kur vijmë në fund të një epoke. Dhe, duke qenë të kurthuar në yrneqet e ndarjes, konkurrencës dhe konflikteve, kemi mbetur pa ndonjë zgjidhje reale. Por ekziston një mënyrë tjetër e të qenurit, një "vend tjetër" i cili nuk është larg por është nën këmbët tona, në lëvizjen e erës dhe rrjedhën e ujit nëpër gurë. Kjo është urtësia e Daos, e femërores, vet jeta: e mistershme, e magjishme e cila është duke pritur të rizbulohet.
Pra, mbetet të pyesim: a jemi të gatshëm të ecim në këtë tokë tjetër - jo në peizazhet e betejave me vraga të nxitjes sonë për të luftuar dhe kontrolluar natyrën, apo të pyjeve tërësisht të prera dhe fushave të gjëra monokulturore [4], por te një rikthim për te tërësia dhe qëndrueshmëria ekologjike e cila depërton thellë në Tokë - vendi ku do të fillojmë? A mund të jetë aq e thjeshtë sa një rikthim, rilidhje me sakralen dhe të thjeshtën përreth neve? Një rikthim te lidhjet e gjalla të cilat veçse janë të pranishme por shpesh të pa vëna re?
Duke vënë menjëanë brengat tona të përditshme dhe rrëmujën e mendjeve tona, ne mund të mësojmë të jemi të pranishëm në praninë e sakrales në çdo çast. Çdo çast është i veçantë, i cili ofron mënyrën e tij se si të lidhemi me më të thellën brenda nesh, se si të lidhemi me mrekullinë dhe misterin e të qenurit tërësisht të gjallë. Kjo i takon largpamësisë (vizionit) së Daos, e cila njeh ndërlidhjen e unitetit të gjendur kudo:
Si mund të shihet Njëshmëria Hyjnore?
Në format e bukura?
Në habitë që ta marrin frymën?
Apo në mrekullitë frikëhabitëse?
Dao nuk është e kushtëzuar
ta shpërfaqë Veten kështu.
Nëse dëshiron të jetosh prej Saj,
do ta shohësh gjithku'
biles edhe në mes gjërave më të zakonshme.
- Lao Tsu
A do t'i zgjidhë kjo problemet e kohës së tanishme, krizat e pandemisë dhe ditëve të errëta të shembjes klimatikë në vijim? Ndoshta ekziston një udhë e cila gjendjen tonë të tanishme nuk e sheh si problem për t'u zgjidhur, gjë që është qëndrim i kushtëzuar i mendjes, por si një mundësi për tu zgjuar nga një ëndërr e cila po na mbytë, e cila po shkatërron rrjetën e brishtë të jetës që na mbanë dhe po helmon shpirtat tanë. Aq shumë kemi jetuar në djerrinën e kësaj ëndrre saqë nuk mund as ta imagjinojmë se ç'nënkupton të jesh i zgjuar. Ne e kemi burgosur edhe imazhin tonë të shpirtërores në një kuti të përmbushjeve personale, dhe qëmoti e kemi harruar se zgjuarja i takon vet jetës, sikur lulja e bardhë e mbajtur nga Buda në të famshmin "Predikim të lules".
Mbase mënyra më e thjeshtë e të përgjigjurit është që të rikthehemi te realja, te "ashtu siç janë gjërat"[5]. Kjo nuk nënkupton të mos i përgjigjemi dhimbjes së pandemisë apo të mos punojmë për të lehtësuar krizat klimatike, por kjo nënkupton që në duartë dhe zemrat tona të mbajmë një dije tjetër, një mënyrë tjetër të të qenurit. Të rizbulojmë se çfarë domethënë të jesh plotësisht i pranishëm dhe i gjallë, i zgjuar në botën përreth, në atë që është më e thjeshta dhe më thelbësorja. A kemi përnjëmend nevojë për shishet e ujit që janë plastikë një-përdoruese, apo për një zingjir të furnizimit global të ushqimit që të mundemi të hamë avokado përgjatë gjithë vitit? Ose a mundemi të pranojmë atë që është mëse e qartë: se kjo ëndërr që është në vdekje e sipër, ky qytetërim global i shpërdorimit dhe konsumit të panevojshëm ka përfunduar?
Kjo pandemi veçse na ka mësuar një gjë shumë të thjeshtë, vlerën e kujdesit dhe bashkësisë, fijet e dashurisë që na lidhin me njëri-tjetrin dhe me jetën. Ky është një shembull që na nevojitet për të kaluar tek e ardhmja që po pret. Për ta cituar Riçard Pourin nga një intervistë e vonshme:
Ne duhet të ikim nga jeta e rehatisë dhe ta zëvendësojmë atë me jetën e bashkësisë. Ne duhet të heqim dorë nga nocioni se fati i njerëzimit është në menaxhim, kontroll dhe mbizotërim, dhe ta zëvendësojmë atë me idenë se fati i njerëzimit varet - sikur të gjitha fatet e tjera - në përmisimin e veteve tona në raport me ambientin, sepse ambienti përbëhet 99-të përqind prej gjallesave.
Ne nuk jemi të ndarë, po jemi pjesë përbërëse e rrjetës së jetës, ndaj nuk duhet të luftojmë natyrën por duhet të gjejmë një mënyrë bashkëpunimi me njëri-tjetrin dhe me botën përreth. Kjo mbase duket shumë e thjeshtë sidomos në pamjen e sfidave të llojllojshme të jetës, pandemia dhe ndasia e tanishme politike, por është një themel thelbësor për një mënyrë jetese e cila është ekologjikisht e qëndrueshme dhe jo vetëm për vetet tona po edhe për botën jo-njerëzore të cilës i takojmë. Është një vend i barazpeshës i cili i takon rendit natyror të gjërave.
Passhkrim: Ditën kur e pata përfunduar këtë shkrim, një mik/e më dërgoi poezinë e bukur në vazhdim, e shkruar nga një shkrimtare nga Zelanda e Re, e quajtur Nadine Anne Hura, e cila e shkroi duke shkuar me tren në shtëpi menjëherë pas njoftimit se do të ketë karantinë totale në Aoteroa[6]. Ajo rezonon thellësisht me atë se çfarë po mundohem të them (dhe shprehet shumë më mirë se unë). Më pëlqen mesazhi i poezisë edhe sinkronimi me të cilin ka ardhur, një pohim ndaj asaj se çfarë Toka ka nevojë prej nesh në këtë kohë:
Pusho tani, o Papatuanuku
Frymo lehtësisht dhe qetësohu
këtu ku je ti
për një kohë
nuk do të lëvizim mbi ty
ne do të ndalemi,
do të pushojmë
do të ngadalësohemi
në shtëpi do të qëndrojmë
afrohuni dhe jini të sjellshëm
më të sjellshëm sesa që keni qenë ndonjëherë.
Kisha pasur dëshirë që ta bëjmë për hatrin tënd
aq sa edhe për hatrin tonë
po, hei-ha
gjithsesi po e bëjmë.
Është gjëja e duhur
Koha e duhur.
Koha për tu rikthyer
koha për të kujtuar,
koha për të dëgjuar dhe falur
koha të mbajmë menjëanë gjykimin
koha për të qarë
koha për të menduar
për të tjerët
për të hequr të mbathurat
për të vënë duart në dhe
për të shoshitur farat ndër gishta
pëllëmbat e buta
koha për të mbjellur
koha për të pritur
koha për të vënë re
se kujt i takojmë
tani për tani vetëm ti je
dhe era
dhe pyjet
dhe oqeanet
dhe qielli i mbushur me shi
më në fund, po bie shi!
Ka turuturu te vai kamo o Rangi ki runga i a koe
përqafo
këtë kurban të vetmisë që e kemi gdhendur për ty
He iti noaiho - një kurban i vogël
njerëzit gjithmonë thoshin se nuk është e mundur
të ulësh fluturimet
të qëndrosh në shtëpi
të ndalësh shprehitë e konsumit
por qenka e mundur
gjithmonë ka qenë.
Ne vetëm kishim qenë të frikësuar se sa do të na dhembte
dhe se sa është duke na dhembur
se sa do të na dhemb dhe vazhdojë të na dhemb
por s'do të na dhemb më shumë
se sa lëndimi yt.
Pra, qëndro e qetë tani
mbështjelli kodrat përreth në mungesën tonë
liroje rripin e çimentos të shtrënguar shumë rreth belit tënd.
Pusho.
Frymo.
Rrimerre veten
shërohu -
edhe ne do ta bëjmë të njëjtën gjë.
____________
Shënime:
[1] Collected Works, vol. 14, Mysterium Coniunctionis, para. 604 n.
[2] "There is a crack in everything / That's how the light gets in."
[3] Ekocid: Shkatërrimi i mjedisit natyror nga veprimet e paramenduara apo moskokëçarëse të njeriut. (shën. përkth.)
[4] Monokulture është kur kultivohet vetëm një lloj fare në një vend. E kundërta e llojllojshmërisë së llojeve. (shën. përkth.)
[5] "Suchness of things" supozoj se është një përkthim i një fjale budiste të qujtun tathátá e cila shkurtimisht i referohet natyrës së vërtetë të gjërave që nuk rroket a shpjegohet dot me fjalë (shën. përkth.).
[6] Siç quhet Zelanda e Re nga vendasit apo populli indigjen i saj. Vlen të përmendet se Aoteroa është kolonizuar nga britanezët përgjatë shekullit të 19-të dhe se ende populli indigjen diskriminohet nga pasardhësit e tyre (shën. përkth.).
Një falenderim të veçantë i takon The Golden Sufi Center (shq. Qendrën e florinjtë sufiste) për lejen që na dhanë ta përkthejmë dhe paraqesim këtë shkrim në Trandofilishte. Me bereqet!
Përktheu: Trandofilishta [30 korrik 2024].
Fotografia: Kelly Angard
Burimi: Vaughan-Lee, Ll. Seeding the Future. The Golden Sufi Center, 2022.