Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Rreth 11 minuta lexim
Maj 2020
III
Si ta marrim një rrëfim nga faqet e një libri dhe ta rijetësojmë atë në jetët tona? Për shumicën e njerëzve indigjen rrëfimet janë pjesë e traditës së tyre gojore, shpesh të treguara dhe të ritreguara, por janë edhe pjesë e mënyrës së jetesës së tyre, marrëdhënies së tyre me kafshët dhe bimët rreth tyre si dhe me shpirtin e tokës i cili gjithmonë është sakral. Gruaja Qiell shpërndau farat e të gjitha llojeve të bimëve. Fara e barit të ëmbël ka aromë që ndihmon të kujtojmë gjërat e harruara, teksa legjenda e Salmonit siguron rikthimin e salmonit çdo vit, duke i hedhur kockat e tij prapë në lum. Rrëfimi dhe rituali janë trashëguar brez pas brezi, kështu duke i formësuar traditat dhe mënyrat e jetesës, duke e pasqyruar lidhjen e gjallë me tokën. Por tani, kultura dhe toka jonë janë duke vdekur sepse rrëfimit tonë qëndror i mungon zemra. Marrëdhënia e tij me Tokën është marrëdhënie mbizotërimi jo marrëdhënie bashkëveprimi apo falenderimi.
Me rikthimin në zanafillë, ne nevojitet ta gjejmë një vend ku ky rrëfim mund të gjallërohet dhe të flas në gjuhën tonë me neve. Atëherë magjia e tij mund të zgjohet, dhe fuqia e thjeshtë e një rrëfimi të jetuar mund të na ndihmojë të jetojmë në harmoni me Tokën, fizikisht edhe shpirtërisht. Ne mund të rikthehemi te lidhja e dashurisë e cila është thelbi i ekzistencës sonë të përbashkët. Ne edhe njëherë mund të udhëtojmë bashkë me Tokën.
Është thelbësore të kuptojmë se për rrëfyesit e mëparshëm bota e dukshme dhe e padukshme, materia dhe shpirti, nuk janë të ndara. Kafshët janë të ngjyer me shpirtin. Malet, liqenet dhe vendet e tjera sakrale kanë fuqi shpirtërore. Ka shumë vende ku njeriu mund ta ndiejë praninë e botës së shpirtit – në zabelet e pemëve të vjetra apo në mes të gurëve qëndrues të lashtësisë. Shqisat bëhen më të vetëdijshme ndaj të padukshmes, ndaj ndjenjave më tepër se fakteve. Pra, për shembull, një peligrinazh tibetian budist është gjithashtu një udhëtim i brendshëm vegimtar. Nuk ka ndarje në mes tyre. Zgjuarja dhe ëndërrimi, të ndërthurura në rrëfimet burimore dhe Udhëzimet Burimore të Gruas Qiell, të vlefshme edhe sot, udhëzuan njerëzit për t’i përdorur “dhuratat dhe ëndrrat për të mirë”.
Edhe në harresën e sotme, fuqia e shpirtit mund të ndihet në çastet e kaluara në natyrë. Si djalë i ri e kujtoj herën e parë kur përjetova një stuhi tropikale në një ishull jasht bregut të Papua New Guinea-së. Së pari mund të shihja një mur të zi me re duke u zgjatur nga deti për te qielli në horizont dhe pastaj erdhi era e cila përuli palmat thuajse deri në tokë. Në fund shiu mbërriti, një mur vertikal prej uji për një çast bëri qull çdo gjë. Ishte një stuhi madhështore, e fuqishme, e cila më la të lagur dhe në frikëhabi. Të gjitha shqisat e mia qenë zhytur në vetëdijen ndaj fuqisë së saj. Një cilësi të ngjashme të habisë sjell vargu i vesave kur xixëllojnë në mëngjese vere edhe pse janë një bukuri e dobët dhe kaluese.
Në çaste të tilla shpirti i botës është goxha i pranishëm dhe frikëhabia e mrekullia na flasin. Mjerish, shumicën e herave e kalojmë duke mos e parë se si është prekur shpirti jonë. Por, nëse mund të qëndrojmë në këto çaste “brenda dhe jashtë kohës”, ne do gjejmë veten se jemi të pranishëm në një botë shumë të ndryshme prej botës sonë të ngarkuar – jemi të kthyer në Tokën ku paraardhësit tanë ecën, para se një perde të binte në mes botësh, para se të fillonim të harronim. Këtu nuk ka kohë, nuk ka imazhe të përparimit, nuk ka nevojë për të pasur apo grumbulluar gjëra. Në vend të kësaj, ne jemi të pranishëm në jetën që na ushqen shpirtin dhe shqisat. Ky është rrëfimi i ditës së parë, dhe nëse mundemi ta mbajmë, ta ndiejmë se si na flet, atëherë mund ta ndihmojmë të lëvizë nëpër fletët e jetës sonë.
Pastaj, jeta jonë bëhet jo veç një udhëtim në kohë, por një peligrinazh i cili zë vend në dimensione të ndryshme, i cili na drejton, si një shteg labirinti, në qendër, te vetja jonë e fshehtë e cila po pret që të zbulohet dhe të jetësohet. Dhe nëse e lëmë mbrapa idenë e ndarjes, do të zbulojmë se fshehtësia jonë është gjithashtu pjesë e fshehtësisë së Tokës dhe se ëndërrimi jonë është poashtu pjesë e misterit të Saj. Kjo është një tapiceri e ndërthurjes së botëve e cila është pjesë e trashëgimisë sonë, e cila mbetet në rrëfime, ku toka është e gjallë, kafshët dhe zogjtë mund të flasin dhe ku pemët mund të arrijnë të flasin me. Vetëdija nuk është e kufizuar vetëm në njerëz, por ajo i takon një bote të gjallë ku të gjithë ne zëmë vend. Fuqia e thjeshtë e rrëfimit mund të na rikthej te një Tokë e gjallë në të cilën “Zoti është i gjallë dhe magjia ka nisur” [1].
Në mënyrë që të bëjmë një hap mbrapa te rrëfimi i ditës së parë, ne duhet që ta gjejmë një çast i cili na flet, i cili na nxjerr jashta kufijve të vetes sonë racionale e na shpie në një realitet shumë-nuancore dhe shumë-dimensional. Kjo është mendja jonë e vjetër, e cila mendon në imazhe në vend të fjalëve, e cila ëndërron dhe është më e rrjedhshme sesa mendimet tona në vija. Fëmijët ende jetojnë në këtë vete pararacionale, ashtu si artistët, poetët dhe dashuruesit. Ata ndihmojnë ta mbajnë derën hapur për të tjerët, vetëdija e të cilëve është më e ngushtuar. Por, të gjithë ne mund të rilidhemi dhe të kujtohemi sepse ai është vendi ku të gjitha rrëfimet tona filluan.
IV
Për shkak se jemi në fund të një epoke, në një kohë të vdekjes, ne jemi gjithashtu edhe në një fillim. Kjo është natyra e kohës, e cila nuk është vijore por ciklike, tamam si stinët dhe dielli. Teksa i shohim sistemet tona duke dështuar, përpara kemi një zgjedhje të thjeshtë: ose të mbesim me këto yrneqe të shpërdorimeve njerëzore dhe ekologjike, ose të imagjinojmë një mënyrë tjetër të të qenurit e cila njeh natyrën sakrale të të gjithë krijimit. Për udhën e dytë ka shenja në udhët e Njerëzve të Parë, në urtësinë e tyre të tokës, por shumë është humbur bashkë me gjuhët dhe tokat e tyre të qethura sikurse pyjet e lashta.
Në kulturën tonë Perëndimore ka më pak shenja të kësaj dijeje të mëparshme. Ne i kemi humbur mësimet e botës parakristiane pagane, në vend të saj e kemi trashëguar një kulturë në të cilën Toka nuk është sakrale apo magjike, por është një vend dëbimi prej parajse. Mbizotërimi i mendimit racional nëpër shekujt e fundit na e ka bërë këtë dëbim edhe më të plotë. Mitet, ëndërrat dhe rrëfimet e kanë humbur peshën e tyre. Por, nëse e mbijetojmë dimrin e ardhshëm, ne duhet ta rimarrim numinositetin [2] e tyre, të ecim në peizazhet simbolike të paraardhësve tanë dhe ta mbajmë atë përjetim si një farë për të ardhmen.
Ajo çfarë kam kam qenë duke e rrëfyer rreth ditës së parë është vetëm një mënyrë për të rikujtuar se çfarë kemi humbur dhe se si mund të rikthehemi te kopshti. Ashtu siç janë shumë shtigje për te kopshti i shpirtit, ashtu janë edhe shumë mënyra për të ardhur te porta. E rëndësishme është ta vlerësojmë punën e vetes së brendshme dhe mënyrën se si ajo mund t’i vë themelet e brezave të ardhshëm. Nëse mundemi ta bëjmë punën e kujtimit dhe rilidhjes, atëherë fëmijët e fëmijëve të fëmijëve tanë do të gjejnë shenjat që ju duhen për të krijuar një qytetërim i cili nuk është një mërgatë po një vend përkatësie. Dhe ndoshta, nëse lindet nga dashuria, zemra e botës do të fillojë të këndojë dhe pranvera mund të vij edhe njëherë në tokë.
______________
[1] Ky është varg i një kënge të quajtur: "God is alive, magic is afoot", kënduar nga Buffy Sainte-Marie. (shënim përkth.)
[2] Fjala “numinoze” ngërthen kuptimin e të paturit të një cilësie të fuqishme religjioze ose shpirtërore e cila sugjeron një prani hyjnore.
Një falenderim të veçantë i takon The Golden Sufi Center (shq. Qendrën e florinjtë sufiste) për lejen që na dhanë ta përkthejmë dhe paraqesim këtë shkrim në Trandofilishte. Me bereqet!
Përktheu: Trandofilishta [28 korrik 2024].
Fotografia: Simone Silva
Burimi: Vaughan-Lee, Ll. Seeding the Future. The Golden Sufi Center, 2022.