Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Rreth 14 minuta lexim
Maj 2020
II.
Pandemia e koronavirusit ka zbuluar se sa shpejt dhe papritmas mund të ndodh dhe do të ndodh një çekuilibrim i cili na ndikon të gjithëve, duke mos marrur parasysh fare kufijtë tanë. Ne u bëmë dëshmitarë të dërrmimit të sistemit tonë shëndetësor, të rrënimit të strukturave tona ekonomike dhe pabarazisë në rritje teksa radhët në bankat e ushqimit veçse shtohen. Dhe çdokush i cili është i lirë nga deluzionet e di se ky është vetëm një paralajmërim, një shenjë pararendëse për krizat klimatike. Po, ka shenja shprese kur shohim sa shpejt natyra mund të ripërtërihet; ka shenja shprese në ajrin më pak të ndotur teksa veprimet tona njerëzore ngadalësohen; në rikthimin e karabullakëve të cilët tani mund të shihen nëpër kanalet e Venecias tek zhyten për peshkim; dhe në bredhjen e dhive të egra nëpër rrugët e një katundi të Uellsit. Ama, ky pushim nuk do të zgjat shumë. Teksa shumë vetë vuajnë prej reagimit tonë të papërshtatshëm global kundrejt këtij realiteti të përkohshëm pandemie, kalimi përmes krizës klimatike do të jetë tepër më i dhimbshëm.
Për të parandaluar ardhjen e kësaj krize duhet bërë shumë punë në botën e jashtme, si: ndalimin e lëshimit të karbonit, mbjelljen e pemëve, kthimin e moçalishteve, kthimin te burimet e energjisë së ripërtëritshme, ndryshimin e dietes sonë në një diete me më pak mish dhe prodhime qumështi dhe punën në zhvillimin e modeleve ekonomike të cilat mund të shërojnë pabarazinë e tanishme shoqërore dhe racore. Do të nevojitet që të gjithë ne të marrim pjesë në atë mënyrë që të heqim dorë nga bota e vjetër, të thjeshtëzojmë dhe të jetojmë ekologjisht më qëndrueshëm. Përse duhet ta kthejmë vëmendjen drejt një ëndërre, një vegimi mitik të ditës së parë, tek jemi në një vend me sfida kaq të prekshme? Si mundet kjo të zbutë dhimbjen që po vjen?
Ka një arsye të thjeshtë për këtë. Ne jemi fëmijët e një qytetërimi që e ka humbur rrugën, që ka vënë leverdinë e të ardhurave financiare përpara mirëqenies dhe po shkatërron në mënyrë patologjike ekosistemin e vet. Të gjitha përpjekjet tona nuk do ta barazpeshojnë botën, përveç nëse e gjejmë udhën e kthimit. Është nevojë jetike kthimi te “rrënjët e rrënjëve”, sepse në thelbin e telashit tonë qëndron harresa ndaj natyrës sakrale të krijimit. Duke harruar se Toka është sakrale, ne e përdorim atë si burim shpërdorimi ku qeniet njerëzore janë bërë përdorues në mënyrë që të përmbushin këtë model ekonomik.
Prandaj, është një nevojë, një thirrje për t’iu kthyer zanafillës, përpara se dyert e Edenit të mbyllen mbrapa nesh, përpara se të harrojmë natyrën sakrale të gjithçkaje. Është e vërtetë që çdo udhëtim real është në të vërtetë një rikthim, “për të arritur atje ku filluam dhe për ta njohur vendin për herë të parë”. Një udhëtim i tillë është udhëtim kujtimi dhe zbulimi i thelbësores edhe pse shpesh fshihet nën sipërfaqe. Dhe tani, kur strukturat tona globale kanë provuar se po dështojnë, kur imazhet tona të përparimit po dalin të pavërteta, ne duhet t’i rikthehemi një historie jasht-kohore, atëherë kur Burimi rridhte lirshëm.
Ne gjithashtu duhet të kujtojmë fuqinë e rrëfimeve. Rrëfimi i cili ka krijuar qytetërimin e tanishëm global është rrëfim rreth një rritjeje të vazhdueshme ekonomike dhe konsumeriste. Është themeli i Ëndrrës Amerikane dhe ideja se çdo brez do të jetë më i mirë sesa brezi paraardhës, i cili nënkupton se “më shumë është më mirë”. Ky rrëfim ka nxjerrë miliona njerëz nga varfëria por në të njëjtën kohë atij nuk i intereson aspak mirëqenia jonë dhe anët e tij të errta kundrej përplasjeve ekologjike. Ky sistem tani është bërë një sistem besimi që krijon rritje pabarazie dhe shkatërrim natyror, si dhe po vjedh të ardhmen e brezave të ardhshëm. Ashtu siç Greta Thunberg shprehet thjeshtë:
Qytetërimi jonë po bëhet kurban për t’i mundësuar një numri shumë të vogël njerëzish të vazhdojnë të pasurohen masivisht. Biosfera jonë po bëhet kurban në mënyrë që njerëzit e pasur në shtetet si ky i imi të mund të jetojnë në luks. Vuajtja e shumë njerëzve është ajo që po paguan luksin e pak njerëzve.
Ky rrëfim ka pasuruar dhe fuqizuar disa dhe na ka kënaqur deri në atë masë sa që jemi burgosur nga besimet e tij. Prapë po e citoj Gretën: “Ju vetëm flitni për të ecur përpara me po të njëjtat ide të këqija që na futën në këtë rrëmujë. Edhe pse i vetmi veprim i arsyeshëm tani është që t’i tërheqim frenat emergjente.”
Dhe tani për një kohë të shkurtër, teksa pandemia ka tërhequr frenat emergjente, ne kemi mundësi të kujtojmë se gjendet edhe një rrëfim tjetër, një rrëfim aq i fuqishëm i cili ka mbetur për mijëra vite në kujtimet e nënvetëdijes dhe miteve tona. Ai është tepër më shumë real sesa rrëfimi i mallërave të lira nga Kina. Ai i takon zanafillës sonë dhe burimit të jetës. Dhe në vend se të na varfërojë ai mund të na fuqizojë. Në vend se ta shkatërrojë rrjetën e jetës ai mund ta mbajë të gjithë krijimin.
Ai është poashtu një rrëfim dashurie, sepse dashuria është themeli i çdo gjëje që ekziston – është energjia, fuqia që e mbanë krijimin. Pa dashuri atomet do të ndaleshin së rrotulluari dhe shpresa do të vdiste. Mistiku e di se e gjithë bota e krijimit është një derdhje e dashurisë dhe se ajo mbahet nga dashuria. Mbrapa në zanafillë, në çastin i cili është gjithnjë i pranishëm, dashuria dhe drita lindën së bashku nga zbrazëtia, nga e paforma, dhe dashuria u qenësua duke thurur fijet e ekzistencës. Edhe tani, në kohën kur e kemi humbur udhën, dashuria ose malli i dashurisë ende i takon qendrës së thelbit të të qenurit njeri. Ne mund ta shohim këtë në reagimin tonë të parë përgjatë kësaj pandemie, teksa dashuria dhe kujdesi ndaj të tjerëve shpërfaqet në kohë nevoje. Ne ende jemi duke e jetuar bashkërisht rrëfimin rreth parasë, pa zemër, pa notën qëndrore. Ne duhet ta gjejmë udhën e rikthimit për te dashuria. Kopshti i harruar i shpirtit do na rilidhë me dashurinë – kjo është pjesë e fshehtësisë dhe magjisë së tij.
Dashuria i takon njëshmërisë. Ne e dimë këtë përmes lidhjeve njerëzore, sesi dashuria na afron. Në çastet më intime ne mund të përjetojmë bashkim fizik me një njeri tjetër. Ajo mund të na zgjojë tek ndërgjegjësimi se ne jemi një familje njerëzore, dhe në nivelin më të thellë, dashuria mund ta na rilidhë me unitetit tonë thelbësor me tërë jetën, me Vet Tokën. Dashuria do të na rikujtojë se ne jemi pjesë e jetës, se i takojmë njëri-tjetrit, këtij planeti të gjallë dhe të përvuajtur. Ne thjesht nevojitet t’i themi “po” kësaj fshehtësie në vet zemrat tona, të hapemi ndaj lidhjes së dashurisë e cila na bashkon të gjithëve, lidhje e cila është e thurur në rrjetën e jetës.
Në këtë kohë krize, vetëm nga vendi ku jetohet njëshmëria ne mundemi ta mbështesim njëri-tjetrin, që më pas të ecim në një të ardhme e cila njeh dhe ndien natyrën sakrale të të gjithë asaj që ekziston. Në këtë mënyrë mund të ndihmojmë ta rikthejmë botën tonë në drejtpeshim.
Nga kjo pandemi mund të dalim me një ndjeshmëri më të madhe ndaj njerëzimit të shpërndarë, ndaj dashurisë për shtëpinë tonë të përbashkët, fshehtësisë dhe mrekullisë së saj. Ose mund të mbetemi të bllokuar në brigjet e shkreta të materializmit, sikur në një supermarket ku dollapet e zbrazura veç rriten.
Dashuria, ashtu si kopshti i shpirtit, nuk është larg. Ajo nuk është diku e fshehur në një pyll të largët a mbrapa një vargmali. Dashuria është mu këtu në zemrat tona dhe në ajrin rreth nesh. Ajo është baza e haresë, lindja e mrekullisë së thjeshtë të jetës. Ne mund të ndiejmë shumë dashuri edhe hare në lindjen e një fëmiu, në këtë bekim thelbësor. Pastaj, mund ta dëgjojmë atë në qeshjen e fëmijëve, ta shikojmë në lojërat e tyre, para se të kujtohen të bëhen si prindërit e tyre dhe të harrojnë; para se jeta të mbulohet, kur çdo çast është i jetuar për vetveten; para se kërkesat e të rriturit të vijnë dhe të ndërhyjnë. Nëse njeriu soditë nga afër, gjithmonë diçka e magjishme është e pranishme, diçka që as nuk mund t’ua mësosh të tjerëve e as nuk mund të ta mësojnë. Dhe fatkeqësisht kjo dhunti shpesh humbet përgjatë mësimdhënies dhe mësimnxënies. Ajo është si një zog që këndon dhe si një rreze dielli në ujë.
Përse disa fëmijëve u jepet dhurata më e çmuar por e thjeshtë e fëmijërisë, ndërsa të tjerët nuk arrijnë kurrë ta njohin atë është gjithashtu një fshehtësi. Dashuria më shpesh mund të gjendet në banesat shumëkatëshe sesa në një shtëpi të madhe. Kam përshtypjen se në fëmijërinë time prej një klase mesatare bashkë prindërit e mi nuk e kemi ditur se ajo ekziston. Më është dashur të pres dhe ta përjetojë përmes syve, lojës dhe të qeshurës së fëmijëve të mi, ta ndiej magjinë e saj, dhe pastaj fatkeqësisht ta shoh të lihet mbrapa nga ta teksa linin mprapa fëmijërinë. Unë mendoj se fëmijëria i takon dashurisë dhe aty ku dashuria është e pranishme ajo rrjedhë dhe lulëzon. Pa dashuri nuk ka truall për hare. Gjithsesi, dashuria është e pranishme në aq shumë forma sa që nuk ka kufizim se prej nga mund të shfaqet hareja dhe prej nga mund të lulëzoj mrekullia e pranverës së jetës.
Udha jonë tani është që të kujtojmë, të rilidhemi, të rikthehemi te vendi i dashurisë, haresë dhe fillesave. Aty është vendi ku e ardhmja do të lindë dhe jo në disa plane dhe projekte, pa marr parasysh sa qëllimmira të jenë ato…
Pa këtë mrekulli të jetës, jeta do të lindë e vdekur; pa këtë dashuri ditët do të jenë të hirta në vend se të jenë të mbushura me ngjyra dhe zbulime. Kjo është bukuria e rrëfimit që po na u ofrohet, diçka aq e thjeshtë, aq themelore sa që është shumë lehtë të anashkalohet. Por, nëse mundemi ta rikthejmë të qeshurën dhe çudinë e fëmijëve, nëse mund ta mbajmë notën e dashurisë dhe ta sjellim atë në jetët tona – në gatimin dhe në shoqërinë tonë, në takimet tona të përditshme me njëri-tjetrin dhe Tokën – atëherë fshehtësia do të rikthehet. Atëherë do të kuptojmë se ne nuk jemi më të dëbuar, por se toka nën këmbët tona është sakrale, dhe se mbahemi, mbështetemi, ushqehemi nga jeta përreth nesh, prej miqëve dhe bashkësive tona, prej njeriut dhe jo-njeriut.
Ashtu sikurse një pemë në pyll, ne do të dijmë se nuk jemi vetëm, por jemi pjesë e një rrjete të jetës, teksa i shërojmë, ndihmojmë dhe ushqejmë njëri-tjetrin. Ashtu sikurse do të duhej të ishte gjithmonë, para se të vendosnim se konkurrenca është më e rëndësishme se bashkëpunimi, para se të harronim Udhëzimet Origjinale, para se të humbisnim udhën.
Një falenderim të veçantë i takon I. Toskës e cila e rilexoi dhe na ndihmoi ta redaktojmë tekstin. Gjithashtu e falenderojmë përzemërsisht The Golden Sufi Center (shq. Qendrën e florinjtë sufiste) për lejen që na dhanë ta përkthejmë dhe paraqesim këtë shkrim në Trandofilishte. Me bereqet!
Përktheu: Trandofilishta [22 qershor 2023].
Fotografia: Yihung Lhatso
Burimi: Vaughan-Lee, Ll. Seeding the Future. The Golden Sufi Center, 2022.