Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Çfarë farash duhet të mbjellim në mënyrë që të jetësojmë një histori të re? Duke iu rikthyer një ekologjie të thellë të vetëdijes ne mund të rizbulojmë një ndërgjegjje të magjishme që i përket marrëdhënies thelbësore që kemi me Tokën e gjallë.
Rreth 3 minuta lexim
Për disa muaj përgjatë ditëve të hershme të pandemisë, bota jonë u ngadalësua e pothuajse u ndal. Brenda kësaj hapsire, isha i tërhequr të dëgjoja një ritëm tjetër, atë të heshtjes dhe tingujve të botës natyrore dhe pulsit më të thellë të Tokës. Këta muaj kaluan shpejt, pandemia jo veç se na frikësoi për shëndetin tonë dhe për një krize ekonomike, por shumë shpejt mbas saj ajo na shpuri në një jetë të ndarë dramatike nga maskat dhe vaksinat. Por kujtimi për një botë më të qetë dhe të pastër mbeti, bashkë me sensin sesi kjo ushqen shpirtin dhe Tokën. Mbas një viti, gjersa ecja në brigjet dhe moçalishtet afër, u zhyta më tepër në këtë tokë themelore, duke ndierë se ajo e ka një cilësi që na nevojitet për një rrëfim të ri njerëzor. Shkrova një varg artikujsh që eksplorojnë këtë "ekologji të thellë të vetëdijes" duke e përshkruar atë si një tharm të jetesës së ardhme. Ato janë përbledhur këtu.
– Llewellyn Vaughan-Lee
Dhjetor 2021
TEKSA GJENDEMI në skaj të një katastrofe klimatike – me komunitete, ndarja e të cilave është në rritje e sipër, pandeminë që nxori në pah brishtësinë e sistemeve tona globale – ka ende mundësi për vendosje të themeleve rreth një mënyre të re të të qenurit me njëri-tjetrin dhe me Tokën. Ka ende mundësi për një rrëfim të ri i cili na çon në një të ardhme shtatë gjenerata e më tutje. Atëherë Toka dhe rrugëtimi jonë munden të vazhdojnë në mënyrë të atillë që nderon natyrën sakrale të krijimit dhe strukturave të përsëritura të ndërvarësisë që na lidhin dhe na mbajnë të gjithëve.
Rrëfimet kanë aftësi të krijojnë qytetërime. Në vend të mbijetesës, aftësive ripërtëritëse apo qëndrueshmërisë ekologjike, cilat janë ato fara që na duhen në mënyrë që ky rrëfim i ri të jetësohet? Për t'ju përgjigjur kësaj pyetjeje thelbësore, jam tërhjekur për te kujtimet e lashta të paraardhësve të një kohe më të hershme, kur jetuam, kënduam, vallëzuam dhe ëndërruam bashkë me Tokën. Duke iu kthyer asaj që e kam emërtuar si “një ekologji e thellë e vetëdijes”, ne mund të rilidhemi me marrëdhënien themelore, e në këtë mënyrë të zbulojmë një vetëdije magjike e cila i takon marrëdhënies sonë thelbësore me Tokën e gjallë.
Nga kjo vetëdije themelore ne mund të mësojmë edhe njëherë se si të ecim bashkë me Tokën dhe banorët e saj që janë më shumë se vetëm njerëz. Ne mund të bashkë-krijojmë një mënyrë të të qenurit e cila nuk ndërtohet përmes kontrollimit të natyrës, por përmes bashkëpunimit me Të, me misterin dhe magjinë e Saj. Edhe pse duket shumë e largët, kjo e ardhme është nën këmbët tona, në dashurinë që kemi për njëri-tjetrin, për bashkësitë tona dhe për vet Tokën.
Ka mundësi që ata të cilët janë gjallë sot nuk do ta shohin këtë qytetërim të zhvilluar, por do të jenë sikur ndërtuesit mesjetarë të katedraleve të cilët i vunë themelet duke e ditur se do të mund të zgjasë shumë breza, ndoshta edhe shekuj, para se ndërtesat e tyre të përfundonin. Gjithsesi, kjo nuk duhet të na ndalojë. Ne e kemi mundësinë t’i vëmë themelet e një mënyre jetese më të harmonizuar me të vërtetat më të thella të Tokës dhe natyrës sonë sakrale. Unë besoj se vetëm një hap në këtë peizash që është përherë i pranishëm, edhe pse i fshehur nga klikimet dhe mimat (memes) e sotme, do të na ndihmojë të gjejmë atë se çfarë kemi nevojë. Ai është vend të cilit të gjithë i përkasim.
Kjo përbledhje esesh fillon në muajtë hershëm të pandemisë, e cila jo vetëm shfaqi thyerjet e qytetërimit global, por për një çast e hapi një derë për një botë më të qetë dhe më të ngadalshme…
Përktheu: Trandofilishta
Fotografia: Llewellyn Vaughan-Lee
Burimi: Vaughan-Lee, Ll. (Nëntor, 2021). A Story of Beginnings: Memories of Magic and Wonder. [Working with Oneness].