Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Rreth 12 minuta lexim
Qershor 2021
Nganjëherë natën kur më ikë gjumi dal e ec rrugës afër gjirit. Në atë vakt, makinat qëmoti janë të larguara dhe mbetet vetëm tingulli i erës e i çafkave që çokasin afër moçalishteve. Sot herët në mëngjes, u ndesha me një familje drenushash të cilat para se të zhdukeshin në qetësi, më kundruan në barin e gjatë. Mbasandaj, pash hënën e përgjakur të eklipsuar prej pemëve, një mister elementar i cili thellësisht mbërrinë deri te kujtimet tona trashëgimore, te ato kujtime para se vetëdija jonë të mjegullohej nga shkenca dhe arsyeja. Në errësirën e pacenuar mundesha të ndieja një tokë më të hershme, një tokë të pandarë prej shtëpive, lëndinave apo rrugëve; një vend ku shtigjet ishin pak a shumë si shtigjet e drenushave të cilat vrapojnë nga një skaj i oborrit tim në thellësitë e pyellit.
Kam mall të thellë që të kthehem në tokën e cila qëndron vetëm pak përtej vendit ku këmbët mund të më mbërrijnë. Kam mall të thellë të ik aty ku hëna dhe yjet qenë të vetmet drita të njohura në errësirë dhe shqisat e mia ishin më të zgjuara; kur mundesha të shikoja tamam si një dre. Në hijet e shkaktuara nga drita e hënës së mëngjesit të hershëm, u ndesha me veten e kaluar dhe ecëm së bashku, derisa e gjeta veten duke e ngjitur kodrën për t'u kthyer drejt dritave të shtëpisë sime. Më pas, fjeta vetëm disa orë para se të çelte sabahu.
Në buzë të krizës klimatike dhe mbase edhe të shembjes shoqërore, ne presim, presim në pasigurinë dhe padijen themelore të cilat kanë filluar të prekin fijet e jetëve tona. Pandemia na ka mësuar rreth dobësisë së sistemeve tona — se sa lehtë mund të çahen, se sa shpejt doktorët dhe spitalet mund të dërrmohen, se si rreshtat për ushqim zgjaten dhe se si zingjirët e furnizimit global thehen. Edhe tani, kur vaksinat janë në rritje, kur kemi dëshirë t'i ikim kësaj traume dhe t'i rikthehemi normalitetit, mbetet një hije që shpreh vetveten në teori konspirative dhe në zhangëllime të rrjeteve sociale. Cili është "normalitet i ri"? Ne kemi hyrë në një botë të acartë, pa e pasur krejtësisht të qartë se për ku jemi nisur, apo pa kuptuar aftësinë ripërtëritëse që na duhet për të udhëtuar së bashku.
Në të kaluarën, eklipsi i hënës së përgjakur shihej si ogur. Kinezët e lashtë besonin se qielli dhe njerëzit janë një, se fati jonë dhe fati i qiellit janë të ndërlidhur në mes vete dhe se ngjarje të tilla mund të paralajmëronin një katastrofë. Përderisa ec në gjysmëdritë unë nuk kam fare dijeni rreth ogureve, por e ndiej se bota jonë ka ndryshuar. E ndiej se bota jonë ka kaluar një pikë të skajshme e cila i takon fatit tonë të përbashkët. Për këtë arsye, po preket një mall i rikthimit drejt një kohe më të thjeshtë; tek ajo kohë kur Toka ishte numinoze [1] e përplot shenja të cilat preknin skajet e vetëdijes sonë dhe ishte e plotmbushur me "tingujt dhe erërat e ëmbla që sjellin ëndje dhe nuk dhembin". Por, realiteti i tanishëm është më i ashpër. Ai është i stërmbushur me fakte rreth ajrit të helmuar, mbushjes së ujit me plastikë dhe tokës së zeheruar. Çudia e vetme këtu është sesi po i injorojmë këto shenja, sesi po mundemi të vazhdojmë të ecim kaq të verbuar drejt një epoke zhdukjeje.
A munden përnjëmend shkenca dhe teknologjia të na shpëtojnë me ëndrrat e tyre të ngërthimit të karbonit apo me energjinë e pastër, kur vet ato na kanë dërguar buzë gremine me këtë ekocid [2] të vazhdueshëm? Miti i një ekonomie të përjetshme na mbanë në grusht, duke na verbuar me një iluzion të përbashkët rreth një jete më të qëndrueshme. Këto janë ëndërra të shndërruara në ankthe dhe ne ende nuk guxojmë të pranojmë se ato janë vetëm rrëfime që jemi duke ia treguar vetvetes. Teksa ec në gjysmë-dritën e hënës dhe teksa këmbët më tregojnë për rrëfimet më të hershme të Tokës së gjallë, e humbas ndjesinë se i përkas botës së dritës së diellit.
Edhe sa dekada do të duhet të udhëtojmë në tokat helmuese derisa të mund të kthehemi atje ku uji rrjedh pastër? A do të mundemi t’ia hedhim një sy këtij kopshti në një të ardhme prej shtatë gjeneratash e më tutje? A do të mund të luajnë nipat dhe mbesat e nipave dhe mbesave të mi në një vend ku ajri është i pastër?
Çfarë do të na kushtonte të kthehemi, të harrojmë dëshirat tona të pushtimit dhe të kujtojmë që në thelb, në një vetëdije themelore, jemi të lidhur me Tokën? Të kthehemi te ajo vetëdije e cila nuk është racionale, nuk i ndjekë gjithmonë ligjet e shkencës, por është magjike dhe nganjëherë flet në simbole; atje ku malet dhe lumenjtë mund të jenë shpirtëra dhe çdo gjë është sakrale.
Tani në këtë kohë prej një shpërbërjeje madhështore, gjenden shumë udhë që mund të ndiqen: mosrritja ekonomike dhe ndërsjellshmëria, shembja shoqërore dhe aftësia ripërtëritëse, riegërsimi, agroekologjia — këto sa për t'i përmendur disa mundësi për të ardhmen. Se si këto fije do të qëndisen në tapisterinë e njerëzimit do të jetë një aventurë madhështore për dekadat në vijim. Do të jetë pjesë e një Kthimi të Madh teksa rikthehemi te një qytetërim i jetë-qëndrueshëm, i lindur jo prej kolonizimit dhe shpërdorimit, por prej ndërlidhjes me Tokën e gjallë. Ama, ne duhet të përfshijmë edhe pjesën më të vjetër, pjesën para-racionale të vetëdijes, sepse aty Toka mund të na flasë neve. Aty Ajo mund të na tregojë rrëfimet dhe fshehtësitë e Saja. Aty, emrat sakral të krijimit dhe emrat që mbartin tiparet shëruese të bimëve dhe urtësinë instiktive të kafshëve, mund të bëhen edhe njëherë pjesë e gjuhës sonë të përbashkët.
Një pjesë e tragjedisë së shekujve të ndarjes është se ne jemi ndarë nga urtësia e Tokës. Neve na nevojitet urtësia e Saj e lashtë nëse kemi nijetin të ecim së bashku, nën dritën e hënës dhe atë të diellit, në botën e arsyes dhe atë të ëndrrës.
Në të kaluarën, udha e dijes shpërndahej rreth dritës së zjarrit me anë të rrëfimeve të trashëguara brez pas brezi. Dhe e gjitha ishte sikur të merrje frymë natyrshëm. S'kishte nevojë të kujtohej sepse nuk harrohej kurrë. Si mund ta harrosh erën në fytyrën tënde apo këngën e zogjve? Si mund të harrosh baticën dhe zbaticën e ujit? Këto rrëfime nuk ishin të shkruara nëpër libra, por të jetuara që nga mëngjesi deri në muzg, teksa koha e ëndërrimit qëndiste një yrnek tjetër nën dritën e zjarrit. Derisa një ditë harruam se ne ishim gjithmonë të zgjuar në një botë shumë-dimensionale e cila mbartte një ndjesi të thellë përkitjeje, një përkitje që bashkëndanim me bimët në kopsht dhe kafshët në pyll.
Në një mëngjes tjetër të hershëm, duke ecur, pash një çift rakunësh teksa kalonin tinëzisht rreth oborrit të komshive. Në atë çast mund ta ndieja lidhjen tonë familjare. Ishte mu sikur ai çasti kur gjeta një dhelpër në gjumë mbi një shkëmb pranë luleve tona. Kjo prani jetese më flet dhe më rikujton. Ndiej se ky është peizazhi që na duhet për të udhëtuar drejt një të ardhmjeje të pasigurtë. Ai mund të na mbajë në aso mënyra që vetja racionale nuk i kupton ama vetëdija jonë më e vjetër i mirëpret.
Me zmadhimin dhe venitjen e hënës, ne jemi pjesë e një kohe ciklike e cila nuk mundohet të na ngutë përgjatë ditëve. Hëna e përgjakur shfaqet vetëm dy apo katër herë në vjet, kur hija e eklipsit krijon një shëndërritje prej portokallie në të kuqe. Tek sodis qetësinë e natës së gjysmë-ndritur, humbas poterën e jetës sime sipërfaqsore, zhurmën e cila lehtësisht ma konsumon vëmendjen. Mund ta ndiej se si Toka nuk është një problem për t'u zgjidhur, por një qenie e gjallë, e shqetësuar, e lënduar nga keqpërdorimet dhe dëshirat e pafundme tona. Ajo po e pret rikthimin tonë — rikthimin në vendin e barazpeshimit ku ne mundemi edhe njëherë të njohim se jemi pjesë e një bashkësie të gjallë të cilën e quajmë jetë. Ky duhet të jetë hapi jonë themelor i çdo udhëtimi drejt shërimit, hap i cili na ndihmon, dije e cila do të jep aftësi reale ripërtëritëse teksa udhëtojmë bashkë nëpër këto ditë të errëta.
Natën tjetër munda të fle dhe kur u zgjova hëna ishte prapë e pranishme mbrapa pemëve, e drita e saj e argjendtë hynte në dhomën time. Ishte thuajse e plotë, por nuk ishte më e përgjakur. Nuk ndieva asnjë ogur por një mister — mike e poetëve, ashikëve dhe endacakëve të natës.
Teksa ngutemi për te një katastrofë klimatike, ekziston një udhë tjetër për t’u ndjekur, e thjeshtë, pothuajse e fshehur, tamam si shtigjet e drenushave në pyll. Por, lipset që të kundrojmë, të dëgjojmë, të jemi të vëmendshëm në mënyrat që na zgjojnë ndjesinë më të vjetër brenda trupave dhe shpirtrave tanë dhe brenda vet Tokës. Ja ku jemi, pjesë e Tokës, duke mos u munduar ta mbizotërojmë apo kontrollojmë atë, por duke rimësuar udhët e vjetra, duke rimësuar gjuhën që ishte me ne qysh prej zanafillës, qysh para harresës sonë.
—————
[1] Fjala “numinoze” ngërthen kuptimin e të paturit të një cilësie të fuqishme religjioze ose shpirtërore e cila sugjeron një prani hyjnore.
[2] Ekocid i thuhet shkatërrimit të mjedisit natyror nga veprimet e paramenduara apo moskokëçarëse të njeriut. (shën. përkth.)
Një falenderim të veçantë i takon The Golden Sufi Center (shq. Qendrën e florinjtë sufiste) për lejen që na dhanë ta përkthejmë dhe paraqesim këtë shkrim në Trandofilishte. Me bereqet!
Përktheu: Trandofilishta [19 janar 2025].
Lekturoi: Dhurata Alija
Fotografia: I panjohur.
Burimi: Vaughan-Lee, Ll. Seeding the Future. The Golden Sufi Center, 2022.