Junus Emre
Ç'do të bëhet, vallë, halli im!
Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Më ra një frikë në shpirt: ç'do të bëhet, vallë, halli im?
Po të mos gjej derman, ç'do të bëhet, vallë, halli im?
Shpirti do të përgatitet me hidhërim të ikë nga trupi,
Kjo trajtë do të prishet; ç'do të bëhet, vallë, halli im?
Kur rrobat të më hiqen, trupi të më ngrijë,
Kur të më shtien në varr, ç'do të bëhet, vallë, halli im?
Të tjerët do të ikin, unë do të mbetem, i vetëm në varr;
Munker e Nekir do të vijnë, ç'do të bëhet, vallë, halli im?
Këmbë e duar ngrirë, as mend në kokë, as gjë në mend;
Gjuha s'do të përgjigjet dot; ç'do të bëhet, vallë, halli im?
Nga varri do të ngrihemi, peshorja e drejtësisë do të vihet,
Bëmat do të na gjykohen; ç'do të bëhet, vallë, halli im?
Junusi i varfër flet me sytë të përlotur, të përskuqur,
Sheh kthinën e vet dhe mendon: ç'do të bëhet, vallë, halli im?
Fjalë: Mynker e Nekir - dy melaqe që e pyesin robin në botën e berzahut (atë të ndërmjetme apo në jetën e varrit).
Divani, Junus Emre. Përkthyer nga Mithat Hoxha. (Shkup: Logos-A, 2011)
Tags: Yunus Emre shqip, ashik Junusi ➜