Junus Emre
Nën tokën e zezë
Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Duke shëtitur shkova, varret në mëngjes i pashë;
Të përzjerë në tokën e zezë, ata trupa të brishtë i pashë...
Trup i kalbur i bërë dhé, shtrihet fshehur brenda në varr;
Damarë të zbrazur, gjak të derdhur, qefinë të ndotur pashë...
Varre të shembur të mbushur, shtëpitë s'u dallohen;
Të çlirët nga çdo frikë, të paëndrra i pashë.
Këmbësorë që s'ecin, kështjella që s'mbrojnë;
Ndër gojë, gjuhë që kanë zënë bar, që s'flasin më, pashë...
Akëcilën në dëfrim e pije, akëcilën në fuqi dhe lumturi,
Akëcilën në bela e mundime, ditë të djeshme pashë...
Sy të zinj të zbehur, fytyrë-hëna të shformuara,
Nën tokën e zezë, duar që kanë mbledhur trëndafila pashë....
Dikush kish përkulur qafën, ia kish lëshuar trupin tokës,
Zemëruar me nënën dhe ikur, qafëpërdredhur pashë...
Dikë duke qarë, zebanitë që vulosnin me hekur të skuqur shpirtrat,
Varre që kishin marrë zjarr, tymin që u dilte pashë...
Junusi i pa atje këto, erdhi e na lajmëroi ne,
S'dita më ç'të them, mendja më iku - thashë...
Divani, Junus Emre. Përkthyer nga Mithat Hoxha. (Shkup: Logos-A, 2011)
Tags: Yunus Emre shqip, ashik Junusi ➜