Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Allâh - Muhammed
Rreth 27 minuta lexim
Dhikri si një arketip shndërrimi
Llewellyn Vaughan-Lee (shq. Lluellin Von Lli)
Emri i Tij më madhështor
Dhikër quhet përsëritja e një fjale a shprehje sakrale. Mund të jetë shehadeti "Lâ ilâhe il-lâ'llâh" 1, por më së shumti përmban një nga emrat ose atributet e Zotit.2 Thuhet se Zoti ka nëntëdhjetë e nëntë emra, por kryesori ndër ta është Allâh. Allâh është emri i Tij më madhështor që përfshin të gjithë atributet e Tij hyjnore.
Kur Ebu Sa’id ibn Ebi’l Hajr dëgjoi ajetin Kuranor, “Thuaj Allâh! E më pas lëri ata të argëtohen në budallallëkun e tyre” 3 , zemra e tij u hap. Ai hoqi dorë nga studimet e tij shkollore dhe u largua te mihrabi në shtëpinë e tij, ku për shtatë vite përsëriti "Allâh! Allâh! Allâh!"... gjersa së fundmi çdo atom i tij filloi të thërrasë me zë “Allâh! Allâh! Allâh”! Ebu Sa’idi tregon historinë që pikësëpari e vetëdijësoi atë në lidhje me rëndësinë e këtij dhikri. Ai qe me shejhun Ebu Fadl Hasanin, dhe kur shejhu mori një libër e filloi ta lexonte me vëmendje, Ebu Sa’idi, si dijetar qe ishte, nuk mundi të mos vriste mendjen se ç’libër qe. Shejhu e ndjeu mendimin e tij dhe tha:
Ebu Sa’id! Të njëqind-e-njëzet-e-katër-mijë profetët janë dërguar të predikojnë një fjalë të vetme. Të gjithë u thanë njerëzve të thonin “Allâh” dhe t’i përkushtohen Atij. Ata që e dëgjuan këtë fjalë vetëm me veshë, e lejuan t’iu dalë nga veshi tjetër. Kurse ata që e dëgjuan me shpirtërat e tyre, e vulosën fjalën në shpirtërat e tyre duke e përsëritur gjersa u depërtoi në zemra dhe shpirtëra. Pas kësaj e tërë qenia e tyre u bë kjo fjalë. Ata u liruan nga shqipëtimi i këtij emri, nga tingulli dhe gërmat. Pasi e kuptuan mananë 3 shpirtërore të kësaj fjale, ata u bënë aq të përthithur në të, saqë nuk qenë më të vetëdijshëm ndaj jo-ekzistencës së tyre. 4
Sipas një tradite ezoterike sufiste, emri Allâh përbëhet nga pjesëza al, dhe lâh, njëra prej kuptimeve të së cilës është “asgjë”. Kështu, fjala Allâh në fakt nënkupton “Asgjënë”. Për sufitë, fakti që emri i Tij më madhështor nënkupton “Asgjënë” ka rëndësi të madhe, sepse e Vërteta, ose Zoti, përjetohet si Asgjë. Një ndër misteret e kësaj udhe është se kjo Zbrazëti, kjo Asgjë ju dashuron ju. Ju dashuron me aq intimitet, me aq butësi e mirëkuptim të pafund. Ju dashuron nga brendia më e thellë e zemrës suaj, nga thelbi i qenies suaj. Nuk është e ndarë nga ju. Sufitë janë dashurues dhe Asgjëja është e Dashura më Madhështore në përqafimin e së cilës dashuruesi zhduket tërësisht.
Pak para ndërrimit të jetës së tij, mjeshtri sufi Nakshibendi Bhai Sahibi tha: “S’ka asgjë pos Asgjësë!” Ai e përsëriti këtë dy herë dhe kjo shënjon thelbin e udhës sufiste, siç Irina Tweedie [shq. Irina Tuidi] shpjegon:
Nuk ka asgjë pos Asgjësë… Asgjëja në treshen, në kuptimin e trefishtë: Asgjë sepse vetja e vogël (egoja) duhet të largohet. Njeriu duhet të bëhet asgjë. Asgjë sepse gjendjet e larta të vetëdijes përfaqësojnë asgjënë te mendja, pasi ajo nuk mund të mbërrijë atje. Është tërësisht përtej gamës së përceptimit. Kuptimi i tërësishëm në nivelin e mendjes nuk është i mundur, prandaj njeriu ballafaqohet me asgjënë. Dhe së fundmi, në sensin më madhështor, është të zhytesh në Oqeanin Ndriçues të Pafundësisë. Kështu mendoj se duhet të kuptohet, kështu e ka nënkuptuar Bhai Sahibi kur foli për Asgjënë dhe Njëshin. 6
Pra, emri Allâh përmban thelbin e të gjitha mësimeve sufiste: të bëhesh asgjë, të zhdukesh në Të, në mënyrë që të mbetet vetëm Zbrazëtia e Tij e Pafundme. Kjo është udha e dashurisë, është kupa e verës që pihet nga dashuruesit e Tij. Me fjalët e Rumiut:
E zbraza këtë kupë: dhe asgjë nuk ka mbetur tashmë pos shkrirjes së dalldisur. 7
Përkujtimi
Në thelb të dhikrit gjendet principi i përkujtimit. Duke e përsëritur emrin e Tij ne e kujtojmë Atë, jo vetëm në mendje por edhe në zemër, dhe në fund vjen koha kur çdo qelizë e trupit përsërit dhikrin, përsërit emrin e Tij.
Thuhet se: “Së pari ju bëni dhikr e pastaj dhikri ju bën ju.” Ai bëhet pjesë e nënvetëdijes sonë dhe këndon në rrjedhën e gjakut tonë. Kjo është ilustruar bukur në një rrëfim të vjetër sufi:
Sahl i tha një prej dervishëve të tij: “Mundohu të thuash me vetëdije një ditë: “Allâh! Allâh! Allâh!” dhe përsërite të njëjtën gjë të nesërmen edhe të pasnesërmën, deri sa të të bëhet shprehi.” Mbas kësaj ai i tha që ta përsëriste edhe gjatë natës, deri kur iu bë aq e afërt saqë dervishi e përsëriste edhe në gjumë. Pas kësaj Sahl tha: “Mos e përsërit më me vetëdije Emrin, por lejo që të gjitha aftësitë të përpihen në përkujtimin e Tij!” Dervishi e bëri këtë derisa u përthith në mendimin për Zotin. Një ditë, një copë druri i ra në kokë dhe ia çau atë. Pikat e gjakut që pikuan në tokë e mbartën legjendën: “Allâh! Allâh! Allâh!”. 8
Mënyra sesi emri i Zotit depërton udhëtarin nuk është një ndodhi metaforike por direkte. Dhikri magnetizohet prej mësuesit për ta radhitur udhëtarin brendësisht me udhën dhe qëllimin. Kjo është arsyeja se pse dhikri duhet të jepet nga një mësues, edhe pse në disa raste mund të jepet edhe nga Vetja më e Lartë 9 ose, tradicionalisht, nga Hidri.
Dhikri duke punuar në nënvetëdije ndryshon trupat tanë mental, psikologjik dhe fizik. Në nivelin metal kjo shihet qartazi. Normalisht, në jetët tona të përditshme, mendja ndjek proceset automatike të të menduarit, mbi të cilat ne rrallëherë kemi kontroll. Mendja na mendon neve në vend që të ndodhë e kundërta. Zini për një çast mendjen tuaj dhe vëzhgoni mendimet e saja. Çdo mendim krijon një mendim tjetër, dhe çdo përgjigje një pyetje të re. Për shkak se energjia ndjek mendimin, energjia jonë mentale dhe psikologjike është e shkapërderdhur në shumë drejtime. Jeta shpirtërore nënkupton të mësojmë se si të jemi një-kahësh, të fokusojmë të gjithë energjinë tonë në një kahje, drejt Tij. Me përsëritjen e emrit të Tij ne ndryshojmë shprehitë e kushtëzimeve mentale, shprehitë që janë si një inçizim i cili luan të njëjtën melodi vazhdimisht, e të cilat përsërisin strukturat që na lidhin me shprehitë mentale. Dhikri ngadalë na zëvendëson shprehitë e vjetra me një të vetme, atë të emrit të Tij. Procesi automatik i të menduarit ridrejtohet kah Ai. Porsi një kompjuter, ne jemi të riprogramuar për Zotin.
Thuhet se bëheni ajo çfarë mendoni. Nëse mendojmë për Allâhun ne bëhemi një me Allâhun. Ama ndikimi i dhikrit është më delikat dhe më i fuqishëm sesa vetëm një përqëndrim mendor. Një ndër sekretet e dhikrit (ose mantrës) është se ai është një emër sakral i cili përçon thelbin e asaj se çka emërton. Ky është “misteri i identitetit të Zotit dhe Emrit të Tij” 10 (“Në fillim qe Fjala dhe Fjala qe me Zotin, dhe Fjala qe Zoti”). Në gjuhën tonë të përditshme nuk ka këso identiteti. Fjala “karrige” nuk ngërthen thelbin e një karrigeje. Ajo thjesht nënkupton një karrige. Por, gjuha sakrale e dhikrit është ndryshe; vibrimet e fjalës rezonojnë me atë se çka emërtojnë, duke i lidhur bashkë këto të dyja. Në këtë mënyrë mundet të lidhë individin me atë që emërton.
Ai, i Dashuri Madhështor, nuk mund të emërtohet, sepse çdo emër është një kufizim. Ai është pa formë dhe pa emër, ashtu siç është shkruar në Tao:
Tao e cila mund të thuhet nuk është Tao e përjetshme.
Emri i cili mund të emërtohet nuk është emri i përjetshëm. 11
Por prapë njerëzimi e thërret Atë në mënyra të ndryshme, dhe në çdo formë që thirret, Ai do të përgjigjet. Për këtë shkak sufiu thotë: “Me emrin e Atij që nuk ka emër, por që shfaqet me cilindo emër që e thërrisni.” Nëse e thërrisni Atë me emrin e Krishtit, Ai do të shfaqet si Krishti, nëse e thërrisni Atë Ram, Ai do të shfaqet si Rami. Por, emri Allâh është i dashur për sufitë sepse ai është më së afërti me asgjënë e cila është thelbi i Tij. Ky emër është një hapje në Thelbin e Tij hyjnor, duke i lejuar shërbëtorët t’i afrohen Atij. Ai mund të ndjellë praninë e Tij në brendi të zemrës, duke na ndihmuar që ta kujtojmë Atë dhe duke e kujtuar Atë të bashkohemi me Të, të humbasim në asgjënë e Tij.
Shndërrime fizike dhe psikologjike
Në nivelin psikologjik dhikri është një mjet i fuqishëm shndërrimi. Duke punuar në nënvetëdijën tonë ai i rreshton strukturat tona psiqike edhe i shndërron energjitë e tyre. Dhikri është një tingull arketipor dhe një fjalë-simbol e cila është e radhitur në mënyrë magnetike me udhën. Simbolet arketipore kanë një funksion të veçantë psikologjik, ato luajnë rol shndërrues të energjisë psiqike. Ato kthejnë libidon (forcën instiktive të jetës) nga një formë më e “ulët” në një formë më të “lartë”. Si një simbol arketipor, dhikri ka potencial të zgjojë, përqëndrojë dhe shndërrojë energjitë e nënvetëdijes. Ai na zgjidhë dhe na liron prej litarëve dhe bllokimeve psikologjike me të cilat ne, me apo pavetëdije, kemi lidhur vetveten. Kjo për shkak të dëshirave, paragjykimeve dhe ndikimeve të mbledhura nga lidhjet dhe kushtëzimet tona. Një ndër shembujt më të dukshëm të këtij procesi shndërrues është ndikimi i dhikrit në frikë dhe ankth, ndjenja të cilat shpesh e sulmojnë udhëtarin. Përsëritja e emrit të Tij shpesh mundet të ndihmojë në shpërbërjen e këtyre ndjesive apo çlirimin prej tyre.
Procesi i shndërrimit ngërthen gjithashtu edhe trupin fizik të udhëtarit. Çdo grimcë e krijimit pa dijeni këndon emrin e Tij dhe ka mall që t’i ribashkohet Atij. Dhikri e ngjall këtë përkujtim të pavetëdijshëm me dritën e vetëdijes, me dëshirën e vetëdijshme të dashuruesit për ta përkujtuar të Dashurin e tij. Drita e fshehur në errësirën e materies i përgjigjet thirrjes së kësaj lutjeje të vazhdueshme dhe fillon të kumbojë në frekuenca më të larta. Kështu trupi fizik gradualisht radhitet me vetëdijen më të lartë të Vetes, e grimcat fillojnë të rezonojnë me këngën e shpirtit të nisur për në shtëpi. Ky shndërrim është përfytyruar bukur në një ëndërr në të cilën trupi i ëndërruesit së pari u bë një zemër, pastaj qelizat iu bënë nota muzikore:
Ëndërrova sikur trupi im u shndërrua në një zemër njeriu me të gjitha dhomëzat e saja. Zemra udhëtoi në një univers të gjerë. Gjersa zemra udhëtonte ajo rrotullohej nga brenda jashtë dhe nga jashta brenda, duke mos humbur asnjë rrahje në mes rrotullimeve. Udhëtimi qe i pafund ku zemra sillej në hapsirë si një asteroid i madh.
Mbas kësaj, qelizat e trupit tim filluan të marrin formën e notave muzikore në ngjyrë të kaltër e floriri. Në fillim, gjithësecila qelizë ngadalë ndryshohej në nota të kaltra dhe të florinjta. Numri i qelizave që shndërroheshin në nota sa vinte e shpeshtohej derisa i gjithë trupi mu përbë nga nota të kaltra dhe floriri.
Ishte sikur të isha përmbi trupin tim duke e vrojtuar këtë shndërrim. Ndërkohë që ky proces vazhdonte, trupi im bëhej më pak i dallueshëm dhe më i paformë. Ishte një shkëlqim i kaltër dhe floriri përderisa trupi im dhe notat muzikore bëheshin më pak të dallueshme.
U zgjova dhe pata një ndjesi tepër të qetë. Teksa u zgjova kufinjtë e trupit ndiheshin sikur të ishin përtej kufinjve të tyre të zakonshëm, duke iu rikthyer gradualisht kufinjve të zakonshëm.
Në brendi të zemrave tona ne jemi të bashkuar me të Dashurin. Rrahja e zemrës sonë është pjesë e një ritmi më madhështor të krijimit. Por, për shumicën e njerëzve ky është si një kujtim i varrosur aq thellë saqë është harruar. Kur me vetëdije synojmë ta kujtojmë Atë, praktika e meditimit dhe dhikri na zgjojnë në gjendje para-ekzistuese të njëshmërisë. Zemrat na hapen dhe ne fillojmë të ndjejmë sesi ritmi i saj është në harmoni me këngën e universit. Dalëngadalë kjo harmoni e brendshme rezonon përgjatë krejt trupit, dhe çdo qelizë bëhet një notë në simfoninë e krijimit. Nga thellësitë e zemrës, deri te majat e gishtërinjëve dhe thembrat e këmbëve, çdo pjesë e jona bashkohet në një këngë e cila është sakrifica e krijimit për Krijuesin.
Miqësia
Është një kënaqësi e thellë për dashuruesin ta përmendë emrin e të Dashurit të tij të padukshëm, i cili është sa i afërt po aq i largët. Kur Ai është afër është e mrekullueshme të kesh mundësinë ta falenderosh për harenë e pranisë së Tij e për ëmbëlsinë e miqësisë së Tij. Mungesa e Tij na ndihmon ta përballojmë mallin dhe dhembjen sepse atëherë ne mund ta thërrasim Atë me çdo frymë. Në kohë trazirash emri i Tij sjell siguri dhe ndihmë. Na jep fuqi dhe na ndihmon që t’i tretim pengesat që na ndajnë prej Tij. Kur e themi emrin e Tij Ai është me ne, edhe nëse ndihemi goxha të vetmuar me dertet tona. Ai e ndihmon shërbëtorin e Tij kurdo që mundet, dhe në kohë të nevojës së madhe emri i Tij vjen dhe na shpëton.
Një mike e cila pat mësuar ta thoshte emrin e Tij kish pasur një lidhje shumë të vështirë me burrin që dashuronte. Ai qe zënë në kurthin e drogave vetshkatërruese dhe shpesh binte në gjendje paranojake. Një ditë, nën ndikimin e drogave, ai e mori atë për një udhëtim në fshat dhe filloi ta fajsojë për të gjithë problemet e tij. Sa e ndaloi makinën afër një fushe, ai mori pistoletën që e mbante me vete dhe e nxorri atë me forcë nga makina. Ai e drejtoi pistoletën drejt kokës së gruas me qëllim për ta gjuajtur. Ajo e dinte që qe në një rrezik serioz dhe krejt ç’mund të bënte ishte të thërriste, “Allâh”. Në çastin kur ajo thërriti emrin e Tij, burrin e kaploi një ndryshim. Paranoja e tij u zhduk dhe ai ia dorëzoi asaj pistoletën, duke iu lutur që ta mbante larg tij. Burri u pendua shumë për veprat e tij dhe e luti atë ta çonte në shtëpi.
Allâhu i do ata që e duan Atë. Ai i kujton ata që e kujtojnë Atë. Përmes dhikrit ne sjellim në vetëdije lidhjen që gjithmonë e kemi pasur me Të, dhe bëhemi më të vetëdijshëm për fshehtësitë më të thella të bashkimit tonë real. Emri që e përsërisim është emri përmes të cilit ne e njohëm Atë para se të lindnim. Është emër i gdhendur në zemrat tona. Dhikri sjell vulën e zemrës në botën e kohës dhe ai poashtu na rikthen drejt Tij. Gradualisht ne bëhemi të vetëdijshëm ndaj thellësisë së lidhjes sonë dhe faktit sesi zemrat tona janë përherë të bashkuara.
Emri ç'velon atë se çka emërton, dhe dashuruesi fillon të shohë që s’ka asgjë tjetër pos Zotit:
Zoti e bëri emrin e Tij (Allâh) pasqyrë për njeriun, ashtu që kur ai shikon në të, të dijë kuptimin e vërtetë të, “Zoti qe dhe aty s’qe asgjë me Të”. Në atë çast i ç'velohet që dëgjimi i tij është dëgjimi i Zotit, të parit e tij është të parit e Zotit, e folura e tij është e folura e Zotit, jeta e tij është jeta e Zotit, dija e tij është dija e Zotit, vullneti i tij është vullneti i Zotit dhe fuqia e tij është fuqia e Zotit… 12
Nëpërmes përsëritjes së emrit të Tij i dashuruari njëjtësohet me të Dashurin i cili ka qenë i fshehur brenda zemrës së tij. I Dashuri dëshiron ta dëgjojë emrin e Tij në buzët dhe në zemrat e shërbëtorëve të Tij, dhe si përgjigje Ai dalëngadalë i heq velat që e mbajnë Atë të fshehur. Pastaj i dashuruari e gjen Atë të fshehur jo vetëm në zemrën e tij por edhe në botën e jashtme sepse “kah të silleni, aty është Fytyra e Zotit.” 13
I Dashuri bëhet miku i vazhdueshëm i të dashuruarit. Dashuruesi gjithashtu bëhet mik i Zotit, sepse “sytë që vështrojnë Zotin janë po ata sy me të cilët Ai vështron botën.” 14 Kjo marrëdhënie miqësie i takon të përtejshmes por prapë përjetohet në këtë botë. Ajo është miqësia më e thellë dhe kërkon përfshirjen e plotë të dashuruesit. Ne jemi shërbëtorët e Tij, dhe Ai do që të njihet si “shërbëtori i shërbëtorëve të Tij.”
Përmes dhikrit ne harmonizojmë të gjithë qenien tonë në frekuencën e dashurisë. Ne e përqafojmë dhembjen e ndarjes poashtu edhe gëzimin e dijenisë se prej kujt jemi të ndarë. Ne e themi emrin e të Dashurit tonë pasi na përkujton Atë për të cilin kemi mall. Kur nga zemra thërret Allâh, ajo është edhe lutja jonë edhe përgjigjja ndaj lutjes sonë. Ne e thërrasim Atë sepse ne nuk e kemi harruar. Përkujtimi i përhershëm i Tij në këtë botë nënkupton që të jesh përherë me Të. Zemra e di këtë edhe nëse mendja dhe egoja nuk e dinë. Rumiu tregon një histori të një njeriu të devotshëm i cili ishte duke u lutur kur iu shpërfaqë djalli dhe i tha:
“Edhe sa do të thërrasësh ‘O Allâh’? Hesht sepse nuk do të marrësh asnjë përgjigje.” Pastaj, i devotshmi e uli kokën në heshtje dhe mbas një kohe ai pa në një vegim profetin Hidr, i cili i tha: “Ah, po përse ke ndalur së thirruri Zotin?”
Ai tha: “Sepse përgjigjja, ‘Këtu Jam”, nuk erdhi,”.
Hidri ia ktheu: “Zoti më ka urdhëruar të vij te ti e të të them:
‘A nuk isha Unë Ai që të thirri në shërbimin Tim? A nuk të angazhova me emrin Tim? Thirrja jote “Allâh!” ishte përgjigjja ime “Këtu Jam”. Malli yt i dhembshëm, Lajmëtari Im te ti. Unë isha magneti i të gjithë këtyre lotëve, thirrjeve e lutjeve, dhe Unë u dhashë atyre krahë.’” 15
E njëjta histori pasqyrohet në ëndërrën e një gruaje në të cilën ajo ishte duke i ulëritur hënës. Gruaja ndjeu një dëshpërim dhe trishtim të tmerrshëm pasi nuk mori asnjë përgjigje. Më vonë ajo kuptoi intimitetin më të thellë të dashurisë, i cili është se, thirrja jonë është thirrja e Tij ndaj Vetvetes. Me thirrjen tonë ndaj Tij, ne marrim pjesë në fshehtësinë e krijimit të Tij, “Ai që qe Një dhe i Vetëm deshi të dashurohej prandaj krijoi botën”.
Malli dhe thirrja ndaj Tij është vula e miqësisë sonë me Të. Ne jemi dashuruesit e Tij dhe ne presim nga Ai. Ndërkohë që i kthejmë zemrat tona dhe shikojmë drejt Tij, ne vërejmë për vetët tona dhe për botën mbarë, lidhjen e dashurisë që e bashkon Krijuesin me krijimin e Tij. Dhe ne i braktisim vetët tona për dashurinë:
Në të vërtetë ka shërbëtorë në mes të shërbëtorëve të Mi që më duan Mua, dhe Unë i dua ata, dhe ata kanë mall për Mua e Unë kam mall për Ta, dhe ata më vështrojnë Mua dhe unë i vështroj ata… Shenjat dalluese të tyre janë se ata e ruajnë hijen gjatë ditës me dhembshuri ashtu si bariu që ruan dhentë e tij, dhe ata përmallohen për perëndimin e diellit sikurse zogu përmallohet për folenë e tij në muzg, dhe kur nata bie, kur hijet përzihen, kur divanet shpërndahen, kur krevatet shtrohen dhe çdo dashurues është vetëm me të dashurin e tij, atëherë ata ngrihen në këmbët e tyre, vendosin fytyrat në tokë dhe më thërrasin Mua me fjalën Time dhe më bëjnë lajka me hiret e Mia, gjysmë të përlotur dhe gjysmë duke vajtuar, gjysmë të hutuar dhe gjysmë duke u ankuar, nganjëherë në këmbë, nganjëherë të ulur, nganjëherë në gjunjë, nganjëherë në sexhde, dhe Unë shoh çka përballojnë për hatrin Tim dhe Unë i dëgjoj se për çfarë ankohen nga dashuria Ime. 16
________________
1 Shq. S'ka zot pos Zotit.
2 Esmatë dhe sifatet e Allahut.
3 Kuptimi, domethënia.
5 Nicholson, Studies in Islamic Mysticism [shq. Studime në Misticizmin Islam] fq. 7.
6 Irina Tweedie (shq. Irina Tuidi), Daughter of Fire [shq. E bija e Zjarrit]. Qyteti Nevadës: Blue Dolphin Press, 1987, fq. 775.
7 Përkh. Daniel Liebert, Rumi, Fragments, Ecstasies [shq. Rumi, fragmente dhe ekstaza]. Santa Fe, New Mexico: Source Books, 1981, fq. 169.
9 The Higher Self
10 Lao Tsu, Tao Te Ching [shq. Tao Ti Çing], përkthimi nga Gia-Fu Feng [shq. Xhia-Fu Feng] dhe Jane English [shq. Xhejn Ingllish]. Aldershot: Wildwood House Ltd, 1973, fq. 45.
11 Peter Lamborn Wilson dhe Nasrollah Purjavady [shq. Piter Lamborn Uillson dhe Nasrollah Purxhavadi], The Drunken Univers [shq. Universi i Dehur]. Grand Rapids: Phanes Press, 1997), fq.45.
12 Nicholson, Studies in Islamic Mysticism [shq. Studime në Misticizmin Islam] fq.93.
13 Kur'an, 2:109.
14 Schimmel, fq. 203.
15 Cituar nga Nicholson, The Mystics of Islam [shq.Mistikët e Islamit]. Londër: Arkana, 1989, fq. 113. Një përkthim i këtyre vargjeve nga ne: Në nji natë filani thirrke "Allah Allah".
16 El Gazali, cituar nga Schimmel, fq. 139.
Përktheu: Trandofilishta (5 Ramazan, 1443 H.)
Fotografia: Landahlauts
Kaligrafia: Stil i magrebit - Nabeela Sajjad [shq. Nebila Sexhad]
Burimi: Vaughan-Lee, Ll. [Gusht, 2010]. "Dhikr as an Archetype of Transformation". Së fundmi kontrolluar më 7 prill, 2022.