Në qetín e natës, përderisa rrija gjysmë i zgjuem, t’shtatë vetet e mia u ulën bashkë e njashtu folshin tuj përshpëritë:
E para vete: Ktu, mrena ktij t’çmenduni kam rrnue gjithë këto vjet, për asgja, pos me ja përtri dhimbjen gjatë ditës e me ia rikriju dëshpërimin gjatë natës. S'po kom sabër ma për kit baft, po m'duhet me u rebelu.
E dyta vete: E jotja bafti asht ma e mirë se e jemja, mu m’asht desht me kén vetja e kënaqun e ktij t’çmenduni. Unë jam e qeshuna e tij, e i kandoj çastet e tij t’lumtuna, edhe me kambë fluturake unë i vallzoj mendimet e tij t’ndritshme. Jam unë ajo që duhet me u rebelu kundrej kësaj ekzistence t’mërzitshme.
E treta vete: Pa ndal ndal, po une? Vetja e ngasjes së dashunisë, e t’zjarrmuemës shenjë t' afshit të tërbuem, e edhe dëshirave të imagjinueme? Asht unë ajo, vetja e përvuejtun e dashunisë që duhet me u rebelu kundrej ktij t’çmenduni.
E katërta vete: Ma e mjera nër t’gjithë ju unë jam, se mu asgja s’më asht dhanë pos t’mallkuemes urrejtje e t’angshtës neveri. Unë jam ajo, ma e tërbuemja vete, e cila ka mbí në shpellat e errëta t’Ferrit, eh që duhet rebelu naj shërbesës që i baj ktij t’çmenduni.
E pesta vete: Jo, asht unë, vetja e arsyetimit, vetja e andrrave, vetja e babëzitun ndaj etjes e umjes, ajo e cila asht e mallkueme me u end pa ndoj pushim n’kërkim t’gjanave t’panjoftuna e t’gjanave jo t’krijueme; asht unë, e jo ju, që duhet me u rebelu.
E gjashta vete: E unë, vetja e punës, nji argat për keqardhje, i cili, me duer t’durueshme, e me sy t'mallit, i stolisë ditët n’imazhe e iu jap elemente pa formë, apo u jap forma t’reja e t’përjetshme — asht unë ai, i vetmuemi, që duhet rebelu ndaj ktij t’çmenduni që kurrnjiher s’nalet.
E shtata vete: Sa e çuditshme që t’gjithë ju doni me u rebelu kundrej ktij njeriu, kur t’gjithë ju keni nji fat të caktuem me e përmbushë. Ah! t’kisha mundun me kén njéni prej juve, nji vete që iu asht caktue diçka! Po unë s’kam asgja, unë jam vetja që asgja s’ban, ajo e cila ulet e asht e pamend, e thatë çdo kund e çdo herë, kurse ju jeni t’nxanun tuj rikrijue jetën. A asht ju a unë, mor komshij, që duhet me rebelu?
E kur e shtata vete foli kshtu, t’gjashtë vetet e tjera e shquen me keqardhje, e nuk vazhduen me thanë ndoj gja ma; e përderisa nata u thellue edhe ma shumë, nji pas nji vetet shkuen në gjumë t’përqafuem nga nji nënshtrim e gëzim i ri. Po e shtata vete mbeti tuj pa e tuj soditë në asgja, e cila asht përtej çdo gjaje.
Fjalë: baft - fat.
Xhibran Halil Xhibrani, I çmenduni (përkthim i pabotuem)
Përktheu: Trandofilishta (2021)
tags: Khalil Gibran shqip, The Madman, tregime, rrëfime