Tre ditë mas lindjes tem, sa isha i shtrim në djepin e mëndafshtë, tuj venerue me çudi e druejtje botën e re rreth meje, nani jem i foli tajës, tuj thanë: “Qysh m’asht fmiu?”
E taja iu përgjegj: “Ai asht mirë zoj, e kam ushqye tre herë; e kurrë ma parë s’kam pa nji bebe kaq të vogël e kaq gazmore.”
E unë u zemrova, e brita: “Nuk asht e vërtetë; se krevati m’asht i fortë, e qumshti që e kam thithë asht i hidhtë për gojën tem, e era e gjoksit asht e papëlqyeshme për fejzat e mia; o mjeri mjeri unë. Po nani jem nuk kuptoj, e as taja jo; se gjuha që folsha qé prej asaj bote që kisha ardhun.
E në ditën e njëzet e nji t’jetës tem, kur isha tu'u pagëzue, prifti i tha nanit tem: “Ti përnjimend duhesh me qenë e lumtun zoj që djali yt ka lind si nji i krishterë.”
E une u çudita, e i thashë priftit: “Pra nani jote në Qiell duhet me kanë jo e lumtun, se ti nuk ke lind si nji i krishterë.” Po prifti nuk ma kuptoj gjuhën.
E mas shtatë hanave, nji ditë nji fallxhi ma vuni synin e i tha nanit: “Djali yt ka me qenë nji burrë shteti e nji lider i madh i njerëzve.”
Po unë brita: “Profeci e rreme asht ajo; se unë kam me kanë nji muzicient, e asgja tjetër pos nji muzicienti.
Po edhe në at moshë gjuha jem s’u kuptue— e e madhe ke çudia jem. Mas tridhjet e tre vjetsh, gjatë kohës kur nana jem, e taja e edhe prifti kanë vdek, (hija e Hyjnisë koftë mbi shpirtnat e tyne), fallxhiu jeton hala. Madje dje e takova afër portës s’tempullit; e sa ishim tuj fol me njani- tjetrin ai tha: “Gjithmonë e kam ditë që ke me u ba nji muzicient i madh. Edhe sa ishe nji bebe e kam pas predikue si t’ardhmen tande.”
E unë i besova atij — se tash edhe unë e kisha harrue gjuhën e asaj bote t'përtejme.
Xhibran Halil Xhibrani, I çmenduni (përkthim i pabotuem)
Përktheu: Trandofilishta (2021)
tags: Khalil Gibran shqip, The Madman, tregime, rrëfime