M'pyetni se qysh nji i çmendun jam bâ. Ja kështu ka ndodhë: Në nji ditë, shumë përpara se hyjnitë t’qenë lindun, u zgjova prej nji gjumi t’thellë kur pash qi krejt maskat e mia qenë vjedhun — të shtatë maskat qi i pata stolisun e i pata mbajtë në shtatë jetna — tuj ulëritë vrapova nër turmë pa asnji maskë: “Vjedhësit, vjedhësit, të mallkuem vjedhës.”
Burra edhe gra filluen t’qeshin me mue, do edhe vrapuen nëpër shtëpitë e tyne prej frikës ndaj meje. E kur e mbrriva pazarin, nji i ri qi qëndronte në nji kulm briti: 'I çmendun asht ai'. Po e ngriti shikimin naltë e po e sodisë; po n'at' çast për herë të parë dielli ma puthi fytyrën e zhveshun, e shpirti mu ndez me ashk ndaj diellit — s’i deshta maskat mâ. Si i dalldisun ulërita: “Oh, të bekuem janë vjedhësit qi maskat m’i vodhën.”
Eh, qishtu nji i çmendun u bâna. Lirinë e sigurinë, té dyjat i gjeta në çmendunin tem; lirinë prej vetmisë, e sigurinë prej t’qenurit i kuptuem, se ata qi na kuptojnë, diçka në neve skllavërojnë.
Po të mos bahem shumë krenar për sigurinë qi e kam se, edhe nji vjedhës në burg asht i siguruem prej nji vjedhësi tjetër.
Xhibran Halil Xhibrani, I çmenduni (përkthim i pabotuem)
Përktheu: Trandofilishta (2021)
tags: Khalil Gibran shqip, The Madman, tregime, rrëfime