N’rininë tem m’patën pas tregue rreth nji qyteti t’caktuem në t’cilin t’gjithë jetojshin në bazë t’Shkrimeve t’Shenjta. E thashë: “Kam me e kërkue ketë qytet e bekimin e tij.” Edhe ke goxha larg. U furnizova mirë e mirë për rrugëtimin tem. Mas katërdhjetë dite unë e pashë qytetin e në ditën e katërdhjetë e nji, po hyj në ta. Po i hapi sytë! e gjithë popullata kishin veç nga nji sy edhe veç nga nji dorë. Unë kesh i mahnitun e i thashë vetes: “Qysh këta në këtë qytet kaq të bekuem me pas veç ka nji sy e ka nji dorë? Masnej i shoh që edhe ata ishin shumë të mahnitun, m'i kundrojshin fort dy duert e dy sytë e mij. E ashtu qysh ishin tuj fol me njani-tjetrin unë pyeta për ta tuj thanë:
“A asht ky përnjimend qyteti i bekuem në t’cilin çdo njeri rrnon n'bazë të Shkrimeve t’Shenjta?”
Ata ma kthyen: "Po, mu ai qytet asht."
“Po çka,” thashë unë: “ka ngja me juve, ku i keni sytë e djathtë e duert e djathta?”
E krejt njerëzit u preken. Ata thanë: “'Hajde e kqyr vet.” Ata me dërguen në tempull mu në mes t’qytetit. Edhe në tempull pash nji pirg duersh e sysh. Krejt t’rrudhosun, t'kalbun. Masnej po them: “Medet! po çfarë pushtuesi ka krye ketë mizori ndaj juve?”
Po nihet nji murmuritje n’mes tyne. E nji ndër t’vjetrit e tyne u zgjue n’kambë e m'u afrue: “Këto jane veprat që ja kemi ba vetvetes. Zoti na ka ba neve pushtues t’ligësisë që asht kanë në neve.” Edhe ai me muer mue naltë n’altar, e krejt njerëzit na ndjekshin me vëmendje Ai m’tregoj atje mbi altar shkrimin e gdhendun, e unë po lexoj:
“Nëse syn’i yt t’fyen ty, nxjerre jasht e largoje prej vetes sate; se asht ma e dobishme për ty që nji prej pjesëve të tua me u zhdukun, sesa i gjithë trupi me t’përfundue në ferr.
E nëse dora jote e djathtë t'fyen ty, atëhere preje edhe largoje prej vetes sate; se asht ma me dobi për ty që nji prej pjesëve të tua me u zhdukë, sesa i gjithë trupi me t’përfundue në ferr."
Atëherë qé kur unë e mora vesh, e po kthehem kah t'gjithë njerëzit e po bërtas: “O a s'ka ndojkush n’mes burrave a grave që ka dy sy e dy duer?”
E ata mu përgjigjën tuj thanë: “Jo, asnji. Këtu nuk asht asnji i plotë përveç atyne që janë shumë të rij me e lexue Shkrimin e Shenjtë e me i kuptue urdhnat e tij.”
E kur dola prej tempullit, menjihere po largohem prej ktij Qyteti t’Bekuem; se unë nuk isha shumë i ri, e as ndër ata qi Shkrimin nuk mundeshin me e lexue.
Xhibran Halil Xhibrani, I çmenduni (përkthim i pabotuem)
Përktheu: Trandofilishta (2021)
tags: Khalil Gibran shqip, The Madman, tregime, rrëfime