“Unë si ti jam moj natë, i errët e i zhveshun; eci ndër udhën e zjarrmueme e cila asht përtej andrrave t'ditës, e sa her kamba jem prekë tokën, nji lis gjigand dushku merr jetë e rritet.”
“Jo, ti nuk je si unë mor i çmendun, se ti hala mprapa kthen shikimin me pa se çfarë gjurme t’mëdha len në ranë.”
“Unë si ti jam moj natë, i thellë e i qetë; e n’zemër t’vetmisë teme, në djep rrin nji Hyjni; e kushdo qi merr jetë, n’ta parajsa prek ferrin.”
“Jo, ti nuk je si unë mor i çmendun, se ti hala dridhesh para dhimbjes, e kanga e humnerës të tmerron ty.”
“Unë si ti jam moj natë, tmerrues e i egër; vesht' e mijë janë t’populluem prej britmave t’popullatave t’pushtueme e pshertimave t’tokave t’harrueme.”
“Jo, ti nuk je si unë mor i çmendun, se ti hala e merr për shok veten tande t’vogël, e me bishën tande shok s’mundesh me u bâ."
“Unë si ti jam moj natë, i pamëshirshëm e i lemerishëm; gjoksi jem asht i ndezun prej anijeve t’përflakuna ndër detna, e buzt' e mia janë t’laguna me gjak t’luftëtarëve t’vramë.”
“Jo, ti nuk je si unë mor i çmendun; se ti hala kij dëshirë për nji shpirt-binjak, e hala ligj mi veten tande s’je.”
“Unë si ti jam moj natë, n’sefa e i kënaqun; se ai qi rrnon nër hijet e mia tash asht i dehun me venë t’paprekun, e ajo që m’ndjek tuj qeshun asht tuj mëkatue.”
“Jo ti nuk je si unë mor i çmendun; se shpirti yt asht i mbështjellun me shtatë pal vello, e ti nuk e ke n’dorë zemrën tande.”
“Unë si ti jam moj natë, sabërli e afshli; n’gjinin tem t’varrosuna me qefina t’puthjeve t’vyshkuna njimijë dashnore t'vdekuna i kam.”
“A po, a po kujton qi si unë je o i çmendun a? Si une? E a mundesh ti me drejtue tufanin si ndoj kalë i tërbuem, e me mbajtë vetetimën si nji shpatë?”
“Qashtu si ti moj natë, qashtu si ti, i fuqishëm e i lartësuem, edhe froni jem asht i ndërtuem nër pirgje t’hyjnive t’përmbysuna; e para meje kalojnë ditët tuj puth buzën e pëlhurës tem, po kurrë synë nuk vnojnë mbi fytyrën tem.”
“A si une je, o evlad i zemrës tem ma t’errët? A i mejton ti mendimet e mia t’pafre, e a flet ti gjuhën teme t’gjanë?
“Po, na binjakë jemi moj natë; se ti shplon hapsinën e unë shploj shpirtin tem."
Xhibran Halil Xhibrani, I çmenduni (përkthim i pabotuem)
Përktheu: Trandofilishta (2021)
tags: Khalil Gibran shqip, The Madman, tregime, rrëfime