Hallkut u thirra e u thashë: “Due me m'kryqëzue!”
Ata m'thanë: “Pse duhet gjaku yt me kenë mi kryet tanë?”
Unë iu përgjigja: “Po qysh doni me u naltsue ndryshe nëse s'i kryqëzoni t'çmendunit?"
Ata ma vun veshin, e kështu unë u kryqëzova. Kryqëzimi më paqësoj.
Tamam kur u vara në mes tok' e qielli ata ngritën kryet naltë me m’pa mu. U lumtunuen se kurrë ma heret s'e kishin pas çue kryet naltë.
E tuj m'kqyrë, thirrën e thanë: "Po çfarë gjynahi je tuj deshtë me lâ.”
Nji tjetër briti: “Për çfarë derti je tuj bâ veten kurban?”
Nji i tretë tha: “Apo mos kujton qi me kit çmim e fiton lavdinë e dynjasë?”
E masnej nji i katërt tha: “Shih se qysh keshet. A munet nji kso dhimte me u falë?”
E unë iu përgjigja të tanëve, e u thashë:
“Mbane n'mend veç faktin që unë kam buzëqeshë. S’jam tuj lâ ndoj gjynah, as tu’ u bâ kurban, e as ndoj lavdi s’jam tue deshtë; as nuk kam ndoj gjâ me falë. Kesh i etun, e ju përgjërova juve me m’dhanë me pi prej gjakut tem. Se çka tjetër mundet me ia shue etjen nji t’çmenduni pos gjakut t'tij? Unë nji abdall kam kenë — e me muej ju kam kërkue plagë juve. Kam kenë i burgosun në ditët e netët e jueja — e kërkojsha nji derë në ditët e netët e gjata. Tash po shkoj— sikur të tjerët e kryqezuem që kanë shkue. E mos mendoni qi na jem lodhë prej kryqëzimeve. Na hala kemi me u kryqëzue prej njerëzve ma të naltë, e tokave ma të gjâna e qiellnave ma të mdha."
Xhibran Halil Xhibrani, I çmenduni (përkthim i pabotuem)
Përktheu: Trandofilishta (2021)
tags: Khalil Gibran shqip, The Madman, tregime, rrëfime