Me shpirtin tem shkuem pranë detit madhështor për me u la. Kur mbrrijtëm te bregu, vazhduem me kërkue nji vend t’fshehun e t’vetmuem. Tek ishim ishim tuj ec, pam nji burrë t’ulun në nji gurë të hirtë i cili merrte grimca të kripës prej nji thesi e i hidhte në det.
“Ky asht pesimisti,” më tha shpirti jem: “hajde t’largohemi prej ktyhit. Na s’mundemi me u la këtu.”
E kështu vazhduem ecjen deri kur mbrrijtëm pranë nji gryke deti. Atje, tuj qëndrue në nji gurë të bardhë, pam nji burrë tuj mbajtë nji kuti t’stolisun, e prej saj ai morri do kokrra sheqeri e i hodhi në det.
“E ky asht optimisti,” më tha shpirti jem: “E as ai s’ban me naj pa trupat tanë t’zhveshun.”
Vazhduem edhe ma andej. E në plazhë pam nji burrë tuj kap peshqit e ngordhun, e me ndjeshmëri i kthente në ujë.
“Na s’mundemi me u la para këtij,” tha shpirti jem. Ai asht nji njeri filantrop.
Kështu na prap vazhduem. Masnej erdhëm në nji vend kur pam nji burrë që ndër ranë ndjeke hijen e vet. Valë gjigande vijshin e e zhdukshin atë hije.
Po ai n'vazhdimsi prap e ndjeke ata. “Ai asht mistiku,” më tha shpirti jem: “Hajde ta lam edhe
ata.”
E kështu vazhduem me ec, deri kur në nji liman pam nji burrë tuj mbledhë shkumë të valëve, e tuj fut ato në nji kup alabastre.
“Ai asht idealisti,” më tha shpirti jem: “Pa dyshim që ai s’ban me e pa zhveshjen tonë.”
E prap vazhduem ecjen tonë. Kur papritë ndigjuem nji zâ tuj britë: “Ky asht' deti. Ky asht deti i thellë. Ky asht deti i paanë e madhështor.”
E kur mbrrijtëm te vendi i këtij zani, nji burrë qé që kish kthye shpinën prej detit, e në veshin e tij kish pas afrue nji guacë, e ndigjonte zhurmën brenda saj.
E shpirti jem m’tha: “Hajde, le t’kalojmë. Se ky asht realisti, i cili ia kthen shpinën tanësisë që s’un e përthekon, e merret veç me nji fragment.
Eh kështu na kaluem. Në nji vend ndër gur' e barë, qé nji burrë i cili në ranë kish pas fut kryet. E po i them shpirtit tem: “Na mundemi me u la këtu, se ai s’mundet me na pa neve.”
“Jo,” më tha shpirti jem: “Se ai asht ma i tmerrshmi ndër t’gjithë tjerët. Ai asht puritani.”
E atëherë nji mërzi e madhe ma kaploi çehren, shpirtin tem, e edhe zanin e saj.
“Hajde le t’shkojmë pra,” ajo m’tha: “Se s’paska ndoj vend t’vetmuem, t’fshehun ku na mundemi me u la. S'kam me e lanë këtë erë me vallëzue me flokët e mijë t’argjent, eh as gjoksin tem s'kam me e zhvesh në këtë ajër, as s'kam me e lanë këtë dritë me e qit në pah shenjtninë e zhveshjes tem.
E atëherë u larguem për me kërkue ma t’madhin Det.
Xhibran Halil Xhibrani, I çmenduni (përkthim i pabotuem)
Përktheu: Trandofilishta (2021)
tags: Khalil Gibran shqip, The Madman, tregime, rrëfime