Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Natë e qetë, hëna e bukur plot me dritë,
Fllad i ëmbël, toka hapur ka stolitë,
Zogu i mëndjes po më sulet drejt nga qielli,
N'hapësirat plot me afsh e dritë dielli.
Herë bëhet shok e mik me yjet vetë,
Herë gjer te çerdhja e Kashtës shkon përpjetë.
Nuk sheh tjetër po veç dritë bukurie,
Vetëtimë e zjarr vështrimesh Perëndie.
Një shkëlqim që s'ka fillim e s'ka mbarim...
Kupëtim, fuqi, pasqyrë e Zotit tim...
Ç'është, ç'është kjo-e paana Gjithësi?
Dhe ky rregull dhe ky libër që sheh ti?
Kjo e kaltër hapësirë e paanë,
Këto drita që kufi e numër s'kanë?
Këta yje trupergjëndë e faqeartë,
Që vërtiten me nxitim e dritëqartë?
Kjo natyrë dhe ky det, burim i jetës?
Këto ligje, këto pamje të së fshehtës?
Ç'janë vallë këta trupa gjithë zjarre?
Këto botëra plot dritë shkëlqimtare?
Përplas krahët Kashta e Kumtërit ngadalë,
Posi shtërgthi mu në çerdhen ku ka dalë,
Që një botë e re të lindë prej asaj
Dhe të endet me të tjerat kjo pastaj.
Si shigjetë ajo ecën, më s'qendron,
Nëpër qiellin vërtitet, vallëzon,
Rend gjithmonë dhe qirinë mu në gji,
Endacake, pa qëndrim e pa shtëpi.
Po nga vallë vjen ajo posi shtërgatë,
me kaq vrull e derdhur leshërat e gjatë?
Rrugn' e saj, nuk mund ta gjejnë sytë tanë,
Se vështrimet e njeriut të shkurtër janë.
Mbështet këmbët mbi eterin dhe vërtitet,
Përshkon qiejet tej e tej të flladitet,
•••••••••••••••••••••••••••••••••••••••••••
Shumë i bukur je, o qiell i madhërishëm!
Ngazëllues je, empir i pakufishëm!
Fund e anë, jo, më ka kjo hapësira,
Mbushur është plot me trupa e shkëndira.
Mund ta thonë dot të fshehtën qiellore
Kjo gjuhë dhe kjo gojë njerëzore?
O ti qiell dritëderdhës, magjiplot!
Fund e krye me të fshehta ti je plot.
Një të madhe mençuri fsheh ti në gji
Të panumërt janë yjet që ke ti.
Ç'është vallë, ah, ky ligj i madhërishëm?
Drita, hiri i Krijuesit të fuqishëm.
Dhe pse vdekjes s'i shpëton asgjë në jetë
-Përveç Zotit që ka qenë e do të jetë -
Nuk humbet edhe nuk zhduket asnjë send,
Që të gjitha pranë Zotit zënë vend.
Q'andej vijnë, atje kthehen përsëri,
Çdo gjë vdiret veç fytyrës së atij
Edhe yjet aq të bukur, pamjedlirtë,
Këmbakëmbës i ndjek vdekja e pashpirtë.
Që të nxjerrë nga i riu plakn' e vdarë,
Zoti vdekjen anembanë ka shpërndarë,
Do të njohësh të vërtetën o shpirtdlirë?
Asohere Gjithësinë vreje mirë!
Si i ditur hidh një sy nga qielli i lartë!
Të gjesh fron' e madhështisë së llagartë...
Po ti hesht, o krymb i tokës, dhe dëgjo,
Gjer te — e qiellit e fshehta ti mos shko!
Një pik' ujë vrej në botë, o i gjorë,
Që të shohësh në të mijëra frymorë!
Mënçuri e Zotit çfaqet në çdo vend,
Plotfuqin' e tij shikojmë në çdo send.
Kur kaq drita dhe të fshehta ke përballë,
Mbi të qenët dhe mosgjënë mos bëj fjalë!
Para teje, o ti det pa skaj i gjerë,
Më vjen turp, ah, më vjen turp njëmijë herë.
Këto fara xhevahiri anembanë
Nga e Zotit mbretëri një botë janë.
Mbylle gojën, mos u ndje, o ti bilbil,
Krahët ulur rri te yti trëndafil!
Që nga qielli mendja ime të kërcasë,
Në të fshehtëzën e dashur të humbasë.
Të lexoj "Fytyrn' e Zotit ke aty"
Dhe Selinë të zbulojnë këta sy.
Se ç'do bëhem pas kësaj më s'di ç'të them,
Pas kësaj, ah, s'do të jem, jo, s'do të jem...
Burimi: Vepra, "Tehajjulat" (shq. Ëndërrime")
Përktheu nga persishtja: Vexhi Buharaja
Fotografia: Varri i Naim Frashërit pranë teqesë së Merdivenköy në Stamboll, aty ku u varros fillimisht.