Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Sa më josh, o lumë, mërmërimi yt,
Lajkat, lodrat, fshehtësi', rënkimi yt!
Dhe pse zemrën ma lëndon ti me këto,
Nga lëndimi e kënditur është kjo.
Nëpër gurët shkon si rreshme, me nxitim.
I shushatur, plot me lotë e rënkim.
Herë shkon duke dredhur, herë drejt,
Herë shkon duke çaluar, herë shpejt,
Herë rrjedh me kaqë naze tatëpjetë,
Herë hovshëm si të ishe një shigjetë.
Herë shkon përmes lugajës që bleron,
Herë nën të drunjvet degë gjarpëron.
Herë shkon me vrull si kali që s'ka fre,
Me rrëmbim, i shkumbëzuar, si voré.
Herë vjen me këngë, herë vjen me valle,
Herë shpejt si zog dhe herë mengadale.
Që kur ike nga i dashur zemërdlirti...
Për atë, që aqë fort ta donte shpirti,
Ti nxiton pa këmb' e kokë... si kusari,
Her' i qeshur her' i shkrirë krejt së qari.
Zjarr i diellit ty të ndau nga ai,
Ré e krismë u bë ahu yt i zi.
Dhe nga ahu-i ndarjes sate, o qyqar,
Dhe nga lotët që të rrjedhin kalivar,
Ré të zeza e mbulojnë gjithë qiellin,
Dhe e zënë, dhe e fshehin fare diellin.
Anembanë ngryset, nxihet hapësira
Posi zemrat plotë mëkate të pështira.
Dhe papritur nëpër qiellin si skëterrë
Vetëtima shkrepëtijnë me poterë
Flakë ndizet tashti qielli anembanë
Dridhet bota nga llahtara që ka pranë.
Nuk sheh veçse re të zeza, shi, rrëmujë
Nuk shikon veç shkrepëtima, tym e ujë.
Dhe kështu me këto lajka, me stuhi,
Ti në tok' o nazemadh, vjen përsëri,
Që ajo të çelet shpejt me hirin tënd
Nga takimi yt të vishet me gazmend.
Digjen lulet që të shohin vetëm ty,
Dorën tënde shoh kudo me këta sy.
Toka e vdekur nga ti çelet e merr jetë
Bëhet kopësht e lulishte e vërtetë.
Er' e ngjyrë sjell nga qielli ti këtu
Kopsht parajse e bën botën ti kështu.
Herë borë, herë bëhesh shi e ré
Herë ujë, avull e rrufé.
Herë shkon nga qielli, herë poshtë zbret,
Bëhesh lumë dhe me kaq vërtik rrëshqet.
••••••••••••••••••••••••••••••••••••••••••••••
Ja, mbasi ke ngjallë-e dlirë tokn' e tharë,
Dhe mbasi kaq male e fushëza ke çarë,
Pranë mikut shkon tashti ti i gëzuar
Pa u ndaluar, e nxitim, duke kënduar.
Gjersa të mos kesh takuar mikn' e ndjerë
Në rënkim e vaj do jesh ti kurdoherë.
Burimi: Vepra, "Tehajjulat" (shq. "Ëndërrime")
Përktheu nga persishtja: Vexhi Buharaja
Fotografia: Varri i Naim Frashërit pranë teqesë së Merdivenköy në Stamboll, aty ku u varros fillimisht.