Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Poezia e Rumit fillon me fjalën بشنو "bishnau", në persisht, "dëgjo" në shqip. Kjo fjalë është një analogji me atë çka shpreh edhe vetë revelacioni Hyjnor, i cili është një fenomen që përçohet mbi të gjitha falë natyrës dëgjimore.
Kur Zoti nxjerr nga ijët e Ademit pasardhësit e tij të ardhshëm, Ai i pyet: "A nuk jam unë Zoti juaj?"(alastu bi rabbikum).
Ata përgjigjen: "Po, ne e dëshmojmë" (kalu belâ shahidna) [Kur'an: Al-A'raf, 172].
Ky ajet kuranor na bën të mendojmë se njeriu vjen në Tokë për të dëshmuar këtë besëlidhje (mithâk) që ka dhënë përpara se të lindë, në parazanafillë (ezel) dhe ta rikujtojë atë deri në fund...
Nëse thirrja nuk do të kishte ardhur nga Krijuesi, as veshi nuk do të kishte dëgjuar, as zemra nuk do të kishte dëshmuar. Pra, dëgjimi është përvoja e parë me të cilën krijesa (ri)zgjohet tek vetvetja për të dëshmuar Krijuesin.
Mesnevia e Rumit nis me vajin e nejit (fyellit) dhe tregon për ndarjen e cila është një metaforë shumë e njohur në poezinë orientale, si p.sh ajo arabe (firak), persiane (xhoda), indiane (virah).
Vetë ndarja e të dashuruarve simbolizon edhe ndarjen e shpirtit me origjinën e tij, të krijesës me Krijuesin.
Kallami është prerë nga kallamishtja nga mjedisi i tij origjinal, është zbrazur dhe është shndërruar në fyell, dhe pikërisht aty ku është prerë prodhohet tingulli dhe ky tingull mund të shprehë vetëm se një vajtim. Ky vajtim është edhe ai i shpirtit njerëzor që aspiron të (ri)gjejë origjinën e tij, të dashurin e tij origjinal.