Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Me emrin e Allahut Mëshirues e Shpërblyes!
Ky është libër i Mesnevisë. Për sa i përket arritjes së të vërtetës dhe shtjellimit të të fshehtave evidente të saj, Mensevia është esenca e esencës së esencës së fesë. Është dija më e lartë e Zotit, rruga më e ndriçuar e Zotit, prova më e hapur e Zotit. Mesnevia i përngjet llambadarit brenda të cilit ndodhet kandili që llamburit më shumë se mëngjeset, që është parajsë për zemrat; ajo ka burimet e saj, degët e saj, filizat e saj. Njërit prej atyre burimeve, këta bij të rrugës i thonë Selsebil, çezmë për udhëtarë. Është stacioni më i mbarë dhe vendi më i mirë i pushimit për personat e pozitës së lartë shpirtërore dhe bujarë. Njerëzit e mirë e të dobishëm ftohen, hanë e pinë aty; njerëzit e lirë çlodhen e ripërtërihen. Mesnevia i përngjet Nilit në Egjipt: është ujë i pijshëm për të duruarit, është mall i pashuar për soj sorollopin e Faraonit dhe mohuesit, qafirët! Kështu, edhe Zoti ka thënë: "Me të, Zoti ua zgjat rrugën shumicës dhe ua drejton rrugën shumicës!" Nuk ka dyshim se Mesnevia është shërim për zemrat, i fshin dëshpërimet e bën Kuranin të kuptueshëm, bëhet shkak për begatimin e të mirave, i zbukuron shprehitë. Është shkruar me duart e shkronjësve me famën të lartë e me thelbin të dobishëm, të cilët nuk lejojnë që ta prekin të tjerë persona përveç atyre të të pastërve! Mesnevia ka zbritur nga Zoti i Botëve: e shtrembra nuk i ngjitet dot as nga para, as nga pas, se e vëzhgon dhe e mbron Zoti që është mbrojtësi më i mirë dhe më i mëshirshmi i të mëshirshmëve. Mesnevia ka edhe cilësime të tjera veç këtyre; edhe ato Zoti i ka dhënë! Por ne, duke i përmendur këto pak cilësime, e premë fjalën shkurt. E pakta është provë për të shumtën, një grusht ujë është provë për liqenin, një grusht kokrra drithi është provë për lëmin.
Robi i varfër e nevojtar për mëshirën e Zotit të Lartë, Muhammedi biri i Muhammedit të birit të Hysejinit prej Belhi - Zoti ia pranoftë Mesnevinë - thotë: U përpoqa e u rropata për ta zgjatur dhe për ta zgjeruar nga të gjitha anët këtë Mesnevi në vargje e cila përmban në vetvete ndodhi të çuditshme e të thëna rrallë, fjalë të mëdha e të dobishme, margaritarë të argumentimit, rrugën e të të përkushtuarve të devotshëm, kopshtin e atyre që kryejnë adhurimet, si dhe e cila ka pak fjalë e shumë kuptime, më dëshirën e zotërisë tim, e personit tek i cili jam mbështetur kam pasur besim, i cili sundon mbi trupin tim siç sundon shpirti im mbi të dhe në dorë të të cilit ndodhet buka ime e përditshme! Ai person është i madhi dhe prijësi i arifëve, domethënë, dijetarëve shpirtërorë, imami i njerëzve të orientuar e të njohur në mënyrë evidente me të vërtetën, është amaneti mes popullit të Zotit që u shkon në ndihmë britmave të popullit dhe që mban fort zemrat dhe mendjet, është i zgjedhuri i Zotit mes krijesave, i zgjedhuri në porositë e profetit të vet dhe në fshehtat pranë njerëzve të kulluar të tij. Është Hasani i biri Muhammedit të birit të Hasanit, shpatës së Zotit dhe të fesë, zotëruesit të virtyteve, i njohur si Ahityrkogllu, çelës i thesarëve Arshit dhe kujdestar i thesareve të tokës. Ai është Bajazidi i kohës, Xhunejdi i së sotmes. Është Besniku i biri i Besnikut. Zoti qoftë i kënaqur edhe prej tij, edhe prej të parëve të tij! Në origjinë është nga Urumu dhe nga soji i shehut vlerëlartë që thoshte "rashë të flija kurd dhe u ngrita arab", Zoti ia bekoftë shpirtin atij vetë dhe ua bekoftë shpirtrat atyre që rrjedhin nga soji i tij! Ç'paraardhës i mirë dhe ç'pasardhës i mirë!
Ka një soj të tillë
që dielli ka shtruar kaftanin mbi sojin e tij;
Ka një origjinë të tillë
që yjet kanë shtruar dritën përtokë përballë tij!
Burimi: Mevlana Xhelaluddin Rumi. Mesnevi I; përkth. Mithat Hoxha.
Artikull paraprak: "Prezantim i Mesneviut në gjuhën shqipe" - Tahir Akyürek
Të gjashtë vëllimet e Mesnevisë të përkthyera nga Mithat Hoxha mund të lexohen online në www.archive.org apo këtu.