Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
rreth 5 minuta lexim
Ceremonia e semâsë mevlevite
Shkrue prej pasardhësit të hazreti Mevlanës Dr. Xhelaleddin B. Çelebisë
Semâja asht frymëzim i Mevlana Xhelaluddin Rumit (1207-1273). Ajo njiashtu asht pjesë e zakoneve, historisë, besimit dhe kulturës turke. Semâja në shtatë pjesë simbolizon manâtë e ndryshme të ciklit mistik drejt përkryemjes (ngjitjes apo miraxhit). Shkenca bashkohore pohon se gjendja themelore e ekzistencës sonë asht rrotullimi. Nuk ekziston objekt apo qenie që nuk rrotullohet. Nji tipar i përbashkët në mes qenieve asht rrotullimi i elektroneve dhe protoneve të atomeve të cilat përbajnë strukturën ma të imtë të yjeve larg në qiell. Për shkak të kësaj ngjashmënie, çdo gja rrotullohet dhe insâni vazhdon jetën, ekzistencën e vet me anë të rrotullimit të atomeve, elementeve strukturore në trupin e vet, qarkullimit të gjakut, ardhjes prej tokës dhe kthimit në te dhe me anë të rrotullimit të tij bashkë me Tokën. Ama të gjitha këto janë rrotullime të natyrshme, të ndërdijshme. Insâni asht posedues i nji mendjeje dhe inteligjence qi e dallon dhe e ban ma naltë se të gjitha krijesat e tjera. Ndaj nji dervish rrotullues ose nji semazen e shtin mendjen me iu bashkue kësaj ngjashmënie e me u rrotullue si tana krijesat e tjera.
Ceremonia e semâsë përfaqëson të gjithë udhën mistike të ngjitjes shpirtnore të insânit përmes ashkut. Kështu ai braktis egon (nefsin), gjen hakikatin dhe e mbërrin të “Përkryemin”. Mbasandej, ai rikthehet nga udhëtimet e tija shpirtnore si nji insan i cili ka mbërri nji matuni dhe nji përkryemje madhështore në mënyrë që me i dashtë e me i ba hyzmet tanë krijimit, tana krijesave, pa diskriminim fetar, klasor apo racor. Me veshjen e tij të kresë (gurvarrin e egos), kmishën e tij të bardhë (qefinin e egos) dervishi lind shpirtnisht në hakikat. Me heqjen e xhybit të tij të zi, ai udhëton dhe zhvillohet në matuni shpirtnore me anë të etapave të semâsë. Në fillim, si dhe në çdo etapë tjetër të semâsë, tek i mban duert e kryqëzueme (në krahnor) ai përfaqëson numrin nji dhe dëshmon unitetin e Zotit. Tek rrotullohet, kraht’ e tij janë të hapun, dora e djathtë e drejtueme kah qielli, hazër për me pranu begatinë e Zotit, dhe shikimi i tij i kthyem kah dora e majtë qi asht e kthyeme kah toka. Ai rrotullohet nga ana e djathtë në të majtë kështu tu u qendërzu rreth zemrës. Në këtë mënyrë ai u jep njerëzve dhuratën shpirtnore të Zotit i cili i kundron me nji vigjilencë hyjnore. Tuj u sill rreth zemrës, prej të djathtës në të majtë, ai e ngërthen tanë njerëzimin dhe tanë krijimin në dhembshuni e dashuni. Semâja përbahet prej disa pjesëve, të gjitha me manâ të ndryshme:
1. Ajo fillon me nji lavd (Nât-i sherif) ndaj Pejgamberit alejhi selam, i cili përfaqëson dashuninë dhe të gjithë pejgambert' përpara tij. Me i lavdue ata i bjen me e lavdue Zotin i cili e krijoi gjithsecilin prej tyne.
2. Ky lavd ndiqet prej nji tingulli daulleje (kudumi) qi simbolizon urdhnesën hyjnore të Krijuesit: "Kun" (Bohu!).
3. Masnej vazhdon nji muzikë instrumentale "taksim" dhe nej, të cilat përfaqësojnë frymën e parë qi jetëzon gjithçka, pra, Frymën Hyjnore.
4. Pjesa e katërt' asht kur dervishët e përshëndetin njeni-tjetrin. Ecja e tyne rrethore e përsëritun tre herë, "devri veledi", shoqnohet me muzikë të qujtun "peshrev". E gjitha kjo simbolizon përshëndetjen e shpirtnave ndaj njeni-tjetrit; shpirtna këta të mshefun në forma dhe trupa.
5. Pjesa e pestë e semâsë (rrotullimit) përbahet prej katër dhanieve të selamit. Në fund të secilit selam, ashtu si në fillim, dervishi me anë të dukjes së tij dëshmon njishmërinë e Zotit.
i. Selami i parë asht lindja e insânit me ndjesi e me mendje në hakikat (të vërtetën). Ai përfaqëson tanë idenë e ekzistencës së Zotit si Krijues dhe vetes si krijesë.
ii. Selami i dytë paraqet dalldinë e insânit kur i bjen me pa madhështinë e krijimit përpara madhnisë dhe fuqisë së plotë të Zotit.
iii. Selami i tretë asht shkrimja dhe dalldisja në ashk. Aty bahet kurban mendja në dashni. Ky asht dorëzim i tanësishëm (teslimijet), asgjësim i nefsit (fenâ) në të Dashtunin dhe bashkim. Kjo gjendje dalldie asht nivel i naltë i cili në Islam përkufizohet si "Fenâfilah". Ama, niveli ma i naltë në Islam asht niveli i arritun prej Pejgamberit alejhi selam. Ai quhet hyzmetqari kryesor i Zotit e rrjedhimisht edhe pejgamberi i Tij. Synimi i semâsë nuk asht nji dalldi e pafundme, a nji humbje e mendimit të vetëdijshëm, por asht nji ndërgjegjësim ndaj tij.
iv. Selami i katërt': Qashtu qysh Pejgamberi alejhi selam e ngjet Arshin (Fronin) e masnej iu kthehet punëve të tokës, qashtu edhe dervishi rrotullues, tue ndjek fundin e udhës shpirtnore dhe ngjitjes së tij, i kthehet punës së tij, pra, të kenunit i vyeshëm. Ai asht hyzmetqar i Zotit, pejgamberëve të Tij dhe tanë krijimit... Në fund të selamit, prapë i kryqëzon kraht' ku dëshmon njishmërinë e Zotit me vetëdije dhe ndjeshmëni.
6. Pjesa e gjashtë e semâsë asht këndimi i Kurânit, e sidomos ajeti 115 prej surës Bekare (2): "Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi, pra, ngado qi të ktheheni asht Fytyra (vexhh-i) e Allahut. Vërtet, Allahu asht Gjithëpërfshimës dhe i Gjithëdijshëm".
7. Ceremonia e semâsë përfundon me nji lutje paqeje për të gjithë pejgamberët dhe të gjithë besimtarët. Me mbarim të semâsë, të gjithë dervishët kthehen qetësisht në dhomat e tyne të meditimit (tefeqyr).
Përktheu: Trandofilishta (2025)
Fotografitë: Marrë nga İrfan Medeniyeti
tags: Meulana Rumi, Rumiu, sema, rrotullim, valle, mevlevi, tradita mevlevite, tarikati mevlevi