Junus Emre
Kush vjen, shkon; kush zë vend, mërgon...
Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Kjo botë s'i mbetet kujt; aty e ke vdekjen, kujdes;
Kush ikën, ikën, më s'vjen; aty e ke vdekjen, kujdes...
Kush vjen, shkon, kush zë vend, mërgon, ha ç'i takon;
Vdekja jetës i pret qefin, aty e ke vdekjen, kujdes...
Mal që të bie sipër, vdekja vjen, gjuhën ta mbërthen;
Kopshte e vreshta mbeten; aty e ke vdekjen, kujdes...
Veshja-qefin bëhet dhé, gjethe mbijnë mbi të;
Sytë të mbushen me dhé; aty e ke vdekjen, kujdes...
Trashëgimtarëve u mbetet malli që mblodhe në vitet,
Në gropë ti i heq vuajtjet, aty e ke vdekjen, kujdes;
Pra, mos e pandeh tëndin, do ta vuash haramin,
Do të të pyesin për hallallin; aty e ke vdekjen, kujdes...
Malli u mbetet të tjerëve, vepra jote vjen pas teje;
Dora s'të zë një copë gjë; aty e ke vdekjen, kujdes...
Nuk kthehet ai që arrin atje, mbetet errësirave...
Këtu shih të bësh të mira; aty e ke vdekjen, kujdes...
Mëkatar je me mëkate shumë, por pa një rënkim;
S'ke nga shkon tjetër drejtim; aty e ke vdekjen, kujdes...
Junus, vër lakun në qafë, pastaj lër porosi pas;
Preje lidhjen me këtë botë, aty e ke vdekjen, kujdes...
Divani, Junus Emre. Përkthyer nga Mithat Hoxha. (Shkup: Logos-A, 2011)
Tags: Yunus Emre shqip, ashik Junusi ➜