Junus Emre
Ditët u janë bërë net...
Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Shëtita mbi tokë, sa trima takova, shtrirë;
Njëri, i madh, tjetri, i vogël, breza të shëndoshë, shtrirë...
Dikush, trim, dikush, plak, ditët u janë bërë net;
Njëri, dervish, tjetri, mësues, besimtarë dijetarë, shtrirë...
Rrugët u shkonin drejt, duart u mbanin pendë;
Gjuhët, si bilbilë, dijetarë këshilltarë, shtrirë...
I madh e i vogël i kanë qarë: trima të çartur në varr,
Te kryet harqe u kanë varë; shigjeta për t'u lëshuar, shtrirë...
Gjurmët e kuajve, pluhur, shpinës rrobë të bukur hedhur,
Urdhërues mbi diell e hënë, zotërinj kaq të mençur, shtrirë...
Duart e lidhura, me këná, me shërbëtore të rá,
Flokët sterrë të zeza, faqetrëndafile zonja, shtrirë...
Shërbëtorë e djem rioshë luajnë e qeshin si bilbilë;
Janë ndarë; nënat e vdekura i presin në varre, shtrirë...
Të gjithë duarlidhur, të drejtën nga Zoti e shpresojnë;
Dikush, vajzë e fejuar, të drejtat e pamarra, shtrirë...
Junusi hallin e vet s'e di, gjuhën ia bën të flasë Zoti;
Fytyra të ndritura, ballëlarë si hënë e plotë, shtrirë...
Divani, Junus Emre. Përkthyer nga Mithat Hoxha. (Shkup: Logos-A, 2011)
Tags: Yunus Emre shqip, ashik Junusi ➜