Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
O Zot, më jep një ashk që të mos e di ku shkoj;
Ta bëj të humbur veten, të mos e gjej ç'kërkoj...
Merre, fshije veten time meje, mbushmë me Ti;
Më vdis në këtë botë, të shkoj atje të rroj...
Mahnitmë ashtu që ç'është sot e nesër të mos e di;
Të të kërkoj gjithmonë Tỵ, në tjetër të mos shikoj...
E lashë këtë botë, aromën tënde shpirti ma nuhati,
Kurrë s'ta gjej dot vendin, Ty të të kërkoj...
Një zjarr i ashkut më ra në shpirt, eci, por s'di se si;
Mëlçia m'u mbyt në gjak, pse duhet të rënkoj?
Më lër të digjem të nxjerr tym a t'ia them si bilbili;
Në bahçen e mikut të mbij, të çel, të mos zverdhoj...
N'e tregofsha hallin, më shajnë, a më shohin me shpoti;
Pra, le të digjem në vuajtje, të mos merrem nëpër gojë...
Mansur [1] jam, varmë në litar, të të shoh qartë Ty;
Të ta bëj fli këtë shpirt, ashkun për Ty të mos e mohoj...
Ashk është shërimi i kësaj vuajtje, për të të bëhem fli;
Junus Emre, mbarësohu, kurrë pa ashk të mos jetoj...
Shënime: [1] Është fjala për Mansur el-Hall-llaxhin që u flijua për ashkun ndaj Zotit, prandaj në poezitë mistike, merret si simbol i këtij flijimi.
Me leximin e kësaj poezie na kujtohet ky muhabet kuranor:
Hazreti Jakubi alejhi selam: "Oh, sa e madhe asht vuejta jem për Jusufin". Kështu sytë iu verbun prej vuejtjes..."
Hazreti Jusufi alejhi selam: "Merreni këmishën tem edhe vendosjani në fytyrë babës tem; kështu ka me nis me pa."
E kur karvani u nis, baba i tyne [Hazreti Jakubi alejhi selam] tha: "Përnjimend po e ndij erën e Jusufit, edhe nëse ju më quni matuf".
E ata i thanë: "Pasha Zotin! Ke rrshitë pleqnie..."
— Kuran, surja Jusuf: ajetet 84, 94-95
Burimi: Divani, Junus Emre. Përkthyer nga Mithat Hoxha. (Shkup: Logos-A, 2011)
Tags: Yunus Emre shqip, ashik Junusi ➜