Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Për të mos na keq-kuptue ndonjë nga lexuesit e ndershëm me artikullin “Përcaktimi i Misticizmit n’Islam” botue në numurin e kaluem, po apim këtu edhe disa spjegime të tjera. Qëllimi i jetës së vërtetë në këtë botë asht përsosunija. Këtë qëllim parashtron Zoti me gojën e Profetit tue thanë: “Zoti thotë, personi që due Unë bahem veshi i tij me të cilin ndigjon, drita e tij me të cilën ai shef, dora e tij me të cilën ai prek dhe kamba e tij me të cilën ai ecë.” Këto shprehje zbulojnë fushën e përparimit të pakufishëm për njeriun. Ato na paraqesin në mënyrë të pagabueshme qëllimin e vërtetë të njeriut në këtë jetë.
Toka, qysh me agimin e gjallnisë shtazore ka pamun herë mbas here në formë njeriu, një realizim të vërtetë të këtij ideali shpirtnuer. Profetë, shenjtorë e mësuesë të mëdhej janë çuem për të dhanë shembullim e perfeksionimit të tyne njerzuer dhe për të diftue rrugën drejtë këtij qëllimi të naltë. Ata, me gjith dobsit njerzore, u munduen me fjalë e vepra të diftojnë mbështetje të plotë ke Zoti. Mos të kujtohet se Zoti asht xhelos për ndonjenin që deklaron me qenë si Ai. Ata mund të jenë figura të Zotit ose hyjnorë, por mbrenda katër mureve të njerzimit.
Zoti prap thotë, me anën e Profetit: “Desha të njifem prandaj krijova njeriun”. Disa nga shenjtorët Muslimanë, që kanë ardhun gadi në çdo shekull kanë diftue me punë se janë shkrimun në dashtunin e Zotit, mirë po disa nga Muslimanët injorantë i kanë nxjerrë jasht rrugës islame. Krijimi i njeriut (a ma mirë i njeriut të përsosun) në fytyrë të Zotit i detyrohet cilësisë së dashtunisë ke Ai. Ky atribut asht themeli i misticizmit n’Islam.
Pretendimi i ndonjë njeriu si me qenë Zot, rrjedhë nga vetë-mohimi. Vullneti i tij s’kontrollon dot veprat që ban: ai pushon së qenuni, s’ka gjykim e dëshirë të veten dhe i kushtohet kryekëput Zotit. Kështu ai bahet një vegël lëvizëse në duert e Hyut dhe këtë për të çue në vend urdhnin e Perëndis. Asht në kët kuptim që gjymtyrat e tija janë të Zotit. Pikërisht si nënpunsat e Qeverisë që janë persona t’emnuem për të përmbush qëllimet e Shtetit, po kështu edhe njerës të tillë të dorëzuem krejtësisht Vullnetit të Zotit, çfaqin fuqinë e Tij. Hekuri i futun në prush bahet porsi zjarrm, ep dritë dhe nxehtësi; dhe se për atë që nuk e din kujton se asht zjarrm, mirë po kur t’a heqish e ta lesh të ftohet kthehet prap në gjendjen e përparshme (hekur).
Çdo njeni në vehten e vet ka një element Hyjnuer, i cili kur vjen në pjekje me Zotin ndizet dhe shkëlqen. Ai merr disa karakteristika Hyjnore dhe punon, flet e lëvizë sikur don Zoti. Çdo njeri që nuk e din e quen atë se pretendoi për Zot, por muslimani që zotron diturit ezoterike dhe ekzoterike nuk gabohet pse e din që momente kësodore të shkëlqimit Hyjnuer janë të përkohshme dhe se do të këtheje në gjendjen e tij normale me dobësit e të metat e natyrës njerëzore. Njerës të përsosun si këta kanë tërhequn admirimin dhe çudinë e turmave, por asht e nevojshme me krahasue natyrën e tyne të vazhdueshme në se faktori njerzuer sundon mbi jetët e tyne atëherë nuk janë zjarrm por hekur i futun në zjarrm. Mottua e këtyne njerëzve asht: “Dëshira t’Ande u baftë o Zot”. Ata janë porsi një maqinë që punon nër duert e Vepruesit të Madh.
“Pajoseni vehten me cilsinat e Zotit!”! Kjo ishte porosia e Muhammedit (alejhi selam) për ndjekësit e tij që të mund të nallsohen drejt të mirës e së mbarës së njerëzimit. Njeriu, me gjithse i mveshun me natyrën shtazore, asht krijue për qëllime shumë të nalta. Fuqit e të hangmes, të pimes e të lindjes fëmijë nuk janë qëllim i arrdhjes së tij në këtë botë; pse edhe shtazët ma t’ulta veprojnë njëlloj. Po të studjojmë njeriun e shekullit të sotshëm nuk e gjejmë larg këtij qëllimi t’ultë të natyrës shtazore. Gjithë ajo çka kemi fitue n’emën të qytetnimit të tashëm janë mjete të stërhollueme për të kënaqë pjesën e natyrës s’ulet. Ndërsa njeriu trashigon fuqina që e ngrenë shumë nalt e bile përtej engjëjve kur t’i shvillojë si lypset. Jo vetëm me kaqë, por engjëjt janë krijue për të përmbush nevojat e tij. Kurani thotë: “Njeriu asht zavendsi i Zotit mbi Tokë, prandaj i lypset të pajoset me cilsinat e Zotit, të zotnojë gjymtyrat (fuqitë) e Tij, të shoh e të ndigjojë me sy e veshë të Tij. Ky asht trashigimi që e pret atë që bahet i dashtun i Zotit, i cili me divotshmeninë e tij i ka kalue gjithë të metat njerzore dhe i ka ba vend vehtes në njeriun e përsosun.
Mirë po si mund t’ia mërrijmë atij kulmi njerzuer, ku individuali bahet objekt i dashtunisë së Zotit, i mveshun me fuqina Hyjnore dhe me çfaqje të cilsinave të Tij? Në qoftë se ligjet e tërheqjes janë të vërteta gjithkund dhe në se dashtunija tërheq dashtunin, na ma së pari lypset t’a duem Atë me mish e shpirt. Pikërisht si elektronet që përshkrojnë universin fizik, po ashtu dashtunija Hyjnore depërton në botën shpirtnore të njerzimit. Po, sikur elektronet që nevojiten për një udhëzues për të çfaqun vehten ashtu asht e domosdoshme edhe ajo që zotnojmë mbrenda nesh e cila tërheq shkëndinë e dashturisë Hyjnore. Zoti thotë (kështu thotë Muhammedi): “Kushdo që kërkon të vijë afër Meje një pëllambë, Unë i afrohem një metër, dhe cilido që don të Më avitet një metër Unë i avitem një kilometër, dhe kushdo që ecë drejt Meje, unë fugoj mbas tij”. I tillë asht Zoti i besimtarëve. Hiri i Tij vjen ke na si përfundim i veprave t’ona. Dojeni Atë dhe keni për t’u dasht nga Ai. Njeriu përpa heqë dorë një herë e përgjithmonë nga gjithë dëshirat e lakmitë tokësore dhe përpa i dorëzue vehten kryekëput Vullnetit të Zotit, s’mund t’ia mbërrijë atij përplotsimi të mrekullueshëm. Në këtë mënyrë Kurani flet për Muhammedin (alejhi selam): “Ti nuk e hodhe kur e hodhe (mbi anmikun), por Zoti e hodhi” (8:17).
Njersit e përsosun pra, me anën e dashtunisë së veçantë për Zotin ia mbërrijnë asaj gjendje për vetë-naltsim saqë i ban ata me u pajosun me cilsinat e Zotit. Dashtunija kërkon vetë-mohim. Psikologjia e një dashnori të vërtetë nuk mund të shpjegohet ma mirë veçse me dy fjalët arabisht Hul-let dhe Hubb, të cilat mund të zëvendsohen afërsisht me fjalët shqip, miqësi dhe dashtuni. E para në origjinal ka kuptim, me zbrazë (me pastrue) dhe e dyta me mbush. Këto zbulojnë proçesin e vërtetë të dashtunisë. Ne së pari duhet të pastrojmë zemrën tonë nga çdo gja tjetër dhe t'a mbushim me diçka të re. Një zemër që i ka ba vend vetëm një objekti për t'u adhurue nuk pranon kurr ta zavendsoje me një send tjetër. Se sa e vështirë do të jetë për ata që kanë mbush zemrën e tyne me qëllime anti-njerzore! Na duhet të pastrojmë zemrën nga çdo gja e papëlqyeshme dhe t’a mbushim me dashtunin e Zotit dhe të Krijesave të Tij.
“Ka disa njerës që adhurojnë sende tjera përveç Zotit; ata i dashurojnë sikur Hyun, dhe se besimtarët janë ma të fortë në dashtunin e Zotit.” (2:165). Këto fjalë provojnë se dashtunija e njeriut për Zotin dhe krijesat e Tij asht baza e fesë Islame; kjo asht deklarue si ma e forta e të gjitha lidhjeve, dashtunive dhe miqësive. Zemra për pa u zhytun thellë në Mendimin e Zotit njeriu nuk mund të shijojë bekimet që dashtunija e Zotit mund t’i api. Pra, kur të ketë mërrijtë atë gradë ai pajoset me cilsinat dhe ngjyrat Hyjnore dhe se nuk asht e vështirë për të të bajë mrekullina. Por këto janë shenja të prezencës së Zotit ke ai dhe jo kurr prova të Hyjnisë së tij.
Në një gradë të tillë patën arrijtë edhe shumë shenjtorë të tjerë për të dhanë shembullin e përsosunisë për naltsimin e të tjerëve. Humbja e vehtes në dashtuninë e Zotit asht grada e fundit e njeriut të përsosun. Për hirin e kësaj dashtunije ata nuk peshonin as jetën dhe vdekja fizike për ta nuk ishte vdekje e vërtetë. Sakrifica e trupit asht vetëm një simbol i fliës së vullnetit që sundon mishin dhe gjakun. Asht detyra e jonë t’i shtypim epshet dhe dëshirat e t’i kushtojmë gjykimin t’onë rrugës s’Atij ma të Naltit. “Vullneti t’And dhe jo imi!” paraqet dorëzimin që don të thotë Islam; e mbasi t’ia kemi arrijtë gradës së dorëzimit të plotë, na bahemi qëllimi i dashtunisë Hyjnore.
Profeti Muhammed (alejhi selam) e përmblodhi kët të vërtetë me një fjalë: “Mutu kable en temutu”, “Vdisni para se të vdisni” dmth. Dlirojeni vehten nga çdo gja që shpirti e trupi i juej lakmojnë në këtë botë; pse në të vërtetë të gjitha këto, ke esenca e shpirtit, janë krejt të hueja. “Zhytuni në zjarrmin e dashtunisë së Zotit, pse ky asht shpëtimi i juej”.
Burimi: Revista “Njeriu”, nr.2, gusht 1943, "Qëllimi i Misticizmit"- Shpeshi.
Tags: Sufizmi, islami, tesavvuf, tesavufi, shqip, shqiptar, përshpirtshmëria islame, shpirtni islame, misticizëm, mistik, shekulli 20, shqipëri, tiranë, shkodër, kultur, art, metaforë, lugina e shenjtë, kuran shqip