Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Pamje nga Kausani, fshat në Indi ku për një kohë zonja Irina Tweedie qëndroi pas ndrrimit të jetës së shejhut të saj, Radha Mohan Lal (Bhai Sahib). Zonja Tweedie është njëherit edhe pararendësja e sheh Llewellyn Vaughan-Lee-së.
Rreth 13 minuta lexim
Dashuri dhe Mall: Misteret femërore të dashurisë
Korrik 1999, nga Llewellyn Vaughan-Lee
(shq. Lluellin Von-Lli)
Dhimbja e ashkut për çdo zemër u bë ilaç
derti s’mund të zgjidhet asnjëherë pa ashk 1 .
Dashuria është forca më e fuqishme në univers dhe për shekuj me radhë mistikët kanë kuptuar potencialin shndërrues të dashurisë hyjnore. Dashuria na rikthen te dashuria, dashuria çvelon dashurinë, dashuria na plotëson dhe na dërgon në Shtëpi. Në thellësi të shpirtit ne duhemi nga Zoti. Lidhja e dashurisë, e cila është thelbi i qenies sonë, është sekreti më i madh i të qenurit njeri. Por prapë se prapë, ne e kemi harruar këtë natyrë thelbësore të qenies sonë, jemi të fshehur nga dashuria jonë më e thellë. Udha mistike është një çvelim i kësaj dashurie, një ringjallje e aftësive tona për të dashuruar dhe për t’u dashuruar.
Sikurse çdo krijim, dashuria ka një natyrë dualistike, atë pozitive dhe negative, mashkullore dhe femërore. Ana mashkullore e dashurisë është “Të dua”, kurse ana femërore e dashurisë është “Jam duke të pritur, kam mall për ty.” Për mistikët ana femërore e dashurisë, malli, kupa që pret të mbushet, është ajo që na rikthen te Zoti. Malli është një gjendje tepër dinamike por në të njëjtën kohë është një gjendje pranimi. Për shkak se kultura jonë ka kohë që e mohon femëroren, tashmë kemi humbur lidhjen me fuqinë e mallit. Shumë njerëz e ndjejnë këtë dhembje të zemrës por nuk e dinë vlerën e saj, nuk e dinë që pikërisht ajo është lidhja më e thellë me dashurinë.
Malli është dhembja e ëmbël që vjen si pasojë e të qenurit i Zotit. Direkt pas zgjimit të mallit në zemër, shihet që ai është udha më e drejtë për në Shtëpi. Ai na tërheq thellë në zemrën tonë tamam si një magnet, atje ku plotësohemi dhe shndërrohemi. Për këtë shkak mistikët sufi gjithmonë kanë theksuar rëndësinë e mallit. Sufiu i madh Ibn ‘Arabiu lutej: “O Zot, më ushqe jo me dashuri po me dëshirën për dashurinë” kurse Rumiu të njëjtën të vërtetë e shpreh me fjalë të thjeshta: “Mos kërko ujë, por ji i etur.”
Fshehtësia femërore e mallit i takon natyrës së shpirtit 2 i cili është gjithnjë femëror para Zotit. Në dhomëzën më të thellë të zemrës ne shohim drejt Zotit, pranues dhe të vëmendshëm, nevojtarë për ushqyerjen nga Zoti. Mistikët dinë që vetëm Zoti mund të na plotësojë, dhe vetëm Zoti mund të na shërojë nga sëmundjet e shpirtit 2. Rabia, një mistike e shekullit të 9-të e cila qe një ndër sufitë e parë që theksoi rëndësinë e dashurisë së devotshme, shprehu këtë të vërtetë mistike:
Burimi i vuajtjes dhe vetmisë sime gjendet thellë në kraharorin tim.
Kjo është një sëmundje që asnjë mjek s’mund ta shërojë.
Vetëm bashkimi me Mikun mund ta shërojë.
Zemra përmallohet për Zotin dhe ajo kërkon ta gjejë të Dashurin e saj të vërtetë. Nëse ndjekim mallin tonë dhe nëse e lejojmë veten të therremi nga dhembja e ndarjes prej burimit, atëherë do të kthehemi mbrapsht te Zoti.
Malli është epiqendra e çdo udhe mistike, ashtu siç autori anonim i shekullit të 14-të i veprës klasike mistike The Cloud of Unknowing [shq. Reja e të Panjohurës], citon: “E gjithë jeta juaj duhet të jetë jetë e mallit.” Por shoqëria jonë perëndimore është aq e ndarë nga ky fill mistik i cili ngërthen çdo udhë shpirtërore, saqë nuk kemi një kontekst brenda të cilit do mund ta vlerësonim natyrshmërinë e dëshirës së zemrës për të Vërtetën. Ka shumë njerëz që ndjejnë palumturinë e një shpirti të përmalluar për shtëpinë e tij por që ende nuk e dijnë burimin kësaj palumturie. Ata nuk e kuptojnë mrekullinë e dhembjes së tyre. Ata nuk e kuptojnë se është përmallimi i zemrës së tyre ajo që do t’i dërgojë në Shtëpi.
Një mike pati një ëndërr të thjeshtë por të fuqishme, në të cilën ajo ishte e vetme në një fushë duke i ulëritur hënës. Aty nuk pati ndonjë përgjigje ndaj thirrjes së saj të dhimbshme, dhe kur u zgjua ajo ndjeu njëfarë dështimi. Ajo pati thirrur por nuk kishte marrë ndonjë përgjigje. Por tradita e të dashuruarve që moti ka ditur se thirrja jonë është vetë përgjigjja, malli jonë për Të është Malli i Tij për ne – “je Ti që më thërret te Ti.” Malli i zemrës është kujtesa për kohën kur kemi qenë së bashku me të Dashurin tonë. Dhembja e ndarjes është zgjimi jonë ndaj dijes se diku jemi të bashkuar me Zotin.
Malli na tërheq ne prej ndarjes përsëri në bashkim, prej sensit të ndarë të vetes te një plotësi më e thellë e qenies sonë të vërtetë. Malli i zemrës është një shenjë e përmbushjes më të thellë, dhe prapëseprapë ajo e tmerron mendjen sepse ajo nuk i takon kësaj bote. Nuk ka asnjë dashnor që shihet, asnjë që mund të preket apo të kontrollohet. Është një lidhje dashurore e thelbit me thelbin, e cila ka lindur përpara zanafillës kohore. Për fat të keq ne e kemi harruar fuqinë e saj, kultura jonë nuk ka hapsirë për dëshirën ndaj të paprekshmes. Në traditën e krishterë kjo lidhje është personifikuar në devotshmërinë e Marie Magdalenës ndaj Krishtit. Pas kryqëzimit ajo qëndroi duke vajtuar te dhoma e zbrazur ku ai qe varrosur. Dhe kur Jesusi, i ringjallur erdhi dhe i tha: “Moj grua, po pse vajton?” Kë kërkon?” ajo së pari e ngatërroi atë me një kopshtar deri kur ai e thirri në emër, “Marie”, dhe ajo u kthye e i tha, “Rabboni” që do të thotë, “Mjeshtër”.
Në këtë takim ka mall e devotshmëri dhe në të tregohet misteri i lashtë i lidhjes ndërmjet mësuesit dhe dishepullit. Shpesh është anashkaluar fakti se Marie Magdalena ka qenë e para që e ka parë Krishtin e ringjallur, por është fakt me rëndësi të thellë. Pasi është ky qëndrim i brendshëm femëror i zemrës, i mallit dhe devotshmërisë që ajo trupëzon, që hap dashuruesit ndaj misterit të përtejshëm të dashurisë, ku vuajtja dhe vdekja janë dyert e një gjendjeje më të lartë të vetëdijes. Dashuruesi pret duke vajtuar që i Dashuri të zbulojë natyrën e Tij të vërtetë.
Kultura jonë ka harruar dhe ka varrosur derën e devotshmërisë. Dashuruesi shpesh lihet i zënë në kurth pa ditur as natyrën e vërtetë dhe qëllimin e përmallimit që e tërheqë në zemër. Është e lehtë të mendoni se kjo pakënaqësi e shpirtit është një problem psikologjik, të ngatërroni përmallimin me depresionin, ta identifikoni si një kompleks amësor apo të mendoni se është shkaku i një martese të palumtur. Ne duhet ta rikthejmë shenjtërinë e pikëllimit dhe mananë 3 e lotëve të zemrës. Sepse përmallimi i dashuruesit është përmallim për t’iu rikthyer burimit në të cilin çdo gjë është ngërthyer në plotësinë e saj. Vuajtjet e dashnorëve të Tij janë dhembje të lindjes që na zgjojnë në një vetëdije më të lartë. Ku dashuria bashkon këtë botë me të pakufishmen, dhe ku zemra e ngërthen këtë jetë jo nga këndvështrimi ndarës i unit por nga dimensioni i përjetshëm i Vetes. Nga brendia e zemrës njëshmëria e dashurisë bëhet mrekullia më e thellë e jetës, sepse, me fjalët e Hildegard von Bingen: “Zemra është ajo që sheh përjetshmërinë primordiale të çdo krijese.”
Nëse do mundemi të krijojmë një kontekst të mallit, atëherë ata të cilët zemrat iu janë ngarkuar me këtë kërkim dikur do ta njohin natyrën e vërtetë të dhembjes së tyre. Ata s’do të kenë më nevojë ta shtypin atë duke u frikësuar se është një anomali apo një problem psikologjik. Ne duhet që bashkërisht ta konfirmojmë këtë sekret të brendshëm: që zemra vuan për shkak se ajo s’e ka harruar dashurinë e saj të vërtetë.
Nëse do të ndiqnim udhën e çdo dhembjeje, e çdo plage psikologjike, ajo do të na çonte te dhembja primare: dhembja e ndarjes. Të lindësh në këtë botë është të përjetosh ndarjen nga njëshmëria, nga Zoti, nga i Dashuri i zemrave tona. Ne jemi të dëbuar nga parajsa dhe mbartim plagët e ndarjes. Por nëse e pranojmë vuajtjen, nëse e lejojmë që të na udhëzojë në thellësinë e vetes sonë, ajo do të na çojë më thellë sesa çdo shërim psikologjik. Dashuria dhe vuajtja janë faktorë të fuqishëm shndërrues sepse ato e ngërthejnë misterin e të qenurit njeri. Malli është thirrja e dashurisë që të “rikthehemi në rrënjët e rrënjëve të vetës sonë”, në një vend në brendi të thelbit të qenies sonë. Aty ku gjithnjë jemi të plotë.
Ne jemi të kushtëzuar ta menjanojmë dhembjen, por për mistikun dhembja e zemrës është një fije e cila na udhëzon, kënga e shpirtit që na çvelon. Meister Eckharti thotë: “Zoti është pshertima (ah-u) në shpirt,” dhe kjo pshtertimë (ah), kjo vuajtje, është helmi më me vlerë. Është gjithnjë një mister mënyra se si dashuria na shëron prej vuajtjeve që i shkaktojmë vetes. Dashuria s’mund të kuptohet nga mendja ashtu siç nuk mund të ngërthehet nga uni. Dashuria është fuqia e cila na hap e na shndërron, e cila na deh dhe na magjeps. Dashuria na shpie më thellë, larg prej burgut të veteve tona të limituara, drejt lirisë dhe plotësisë së natyrës sonë hyjnore. Në fjalët e një të shenjti sufi, Xhamiut: “Asnjëherë mos ia ktheni shpinën dashurisë, e as dashurisë në formën e njeriut, sepse vetëm dashuria do të t’ju lirojë nga vetvetja.”
______
1 Ashk: dashuri e flaktë (hyjnore).
2 Këtu fjala shpirt është shqipëruar nga fjala soul që shpesh herë në literaturën sufiste bën fjalë për nefsin. Pra, këtu qartasi nuk bëhet fjalë për ruh-un që zakonisht shqipërohet si shpirt.
Këto terme trajtohen gjerësisht në librin e Sachiko Murata-së, The Tao of Islam apo më shkurtimisht në një shkresë nga Maria Massi Dakake, "Walking on the path of God like Man"?: Women and the Feminine in the Islamic Mystical Tradition.
3 Mana-ja: domethënie, vështrim, kuptim etj.
Përktheu: Trandofilishta (25 shkurt 2022)
Fotografia: Nityananda Mukherjee
Burimi: Vaughan-Lee, Ll. (Korrik, 1999). Love and Longing: The Feminine Mysteries of Love