Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Sohbet i mbajtun në Paris, Francë
5 dhjetor, 1922
Shumë prej njerëzve në botë e marrin muzikën si nji burim zbavitjeje, nji kalim kohe; për shumë muzika asht nji art, e nji muzikant nji zbavitës. Ama, asnji s'ka jetu në ket botë, s'ka mendu e as s'ka ndi, pos qi e ka konsideru muzikën si ma sakralja në mes krejt arteve. Se asht fakt qi ate se çka s'mundet arti i pikturës qartas me e kallxu, poezia e shpjegon me fjalë, e ate qi edhe poeti e ka zor me e shpreh në poezi, shprehet në muzikë.
Me kte nuk po them vetëm qi muzika asht superiore ndaj pikturës e poezisë; në fakt po them qi muzika e tejkalon religjionin, se muzika e ngritë shpirtin e njeriut edhe ma naltë se të ashtu qujtunat format e jashtme religjioze. Ama nuk duhet me u kuptu qi muzika mundet me e zanë vendin e religjionit, se jo domosdo çdo shpirt asht i akordum me ate frekuencë qi mundet përnjimend me përfitu prej muzikës, edhe jo çdo muzikë asht aq e naltë sa me e ngritë nji person qi e ndigjon ma shumë se religjioni. Por për ata qi ndjekun kultin e brendshëm, muzika asht thelbësore për ngritjen e tyne shpirtnore. Arsyeja e kësaj asht se shpirti në kërkim të vërtetës asht në kërkim të nji Zoti qi s'ka formë. Arti 1 , pa pikë dyshimi, asht ngritësi ma i mirë, ama përmbanë forma. Poezia ka fjalë, emrat drejtojnë kah format. Veç muzika asht ajo qi e ka bukurinë, fuqinë, hijeshinë e në të njajtën kohë mundësinë qi me e ngritë nji shpirt përtej formës.
Për ket arsye në kohnat e lashta profetët ma të mdhenjë kanë kenë muzikantë të mdhenjë. Për shembull, në jetnat e profetëve hindu mundemi me e gjetë Naradën, profetin e madh i cili në të njajtën kohë ka kenë nji muzikant i madh. Edhe Shivën, nji profet hyjnor i cili ka shpikë vinën sakrale. Njiashtu Krishna gjithmonë paraqitet me nji fyell.
Asht nji legjendë goxha e njohun mbi jetën e Musait e cila na kallxon se qysh Musai e ndigjoi urdhnin hyjnor në Malin Sinai me fjalët: "Musa ke!" - "O Musa, ndigjo" ose "O Musa, sodit" - e kështu zbulesa qi i ndodhi ke prej toni e ritmi. Ai e emnoi atë me të njajtin emën: musake. Fjalët si 'music', ose 'muzikë' kanë ardh prej asaj fjale 2 . Davudi, kangët e zani i të cilit asht i njohun tash e sa kohë, në formë muzike ia përçoi mesazhin botës. Orfeu i legjendave Greke, njohësi i misterit të tonit e ritmit, përmes kësaj dijeje ka pas fuqi ndaj forcave të mshefta të natyrës. Nji ndër hyjnitë hindu, ajo e mësimit, e dijes, emri i së cilës asht Sarasvati, asht pikturue gjithmonë me vinën. Çka kallxon kjo? Kjo kallxon qi çdo lloj mësimi thelbin e ka në muzikë.
Përveç hijeshisë natyrale qi e ka, ajo ka edhe nji fuqi të magjishme, nji fuqi qi mundet me u jetue edhe tash. Po duket qi njerëzia ka humb nji pjesë shumë të madhe të shkencës antike mbi magjinë, po nëse ka mbetë sado pak prej magjisë atëherë ajo asht muzika.
Muzika, përveç qi asht fuqi, asht edhe dehje. Kur i deh ata qi e ndigjojnë, a thu sa shumë i deh ata qi e lujnë edhe e këndojnë. E le ma ata qi kanë prekë të përkryemën e muzikës, e ata qi e kanë kundrue për shumë vjet radhazi! Atyne u jep nji kënaqësi e nji ekzaltim edhe ma të madh sesa të nji sulltani kur ulet në fronin e tij.
Në bazë të mendimtarëve lindorë ekzistojnë katër lloje dehjesh: dehje prej bukurisë, rinisë edhe forcës; masnej dehje prej pasunisë; e treta asht dehja prej fuqisë, urdhnit, fuqisë sunduese; edhe e katërta asht dehja e mësimit, e dijes. Po krejt këto janë dehje qi shuhen në krahasim me dehjen e muzikës, qashtu qysh shuhen yjet para diellit. Arsyeja asht se ajo e prek pjesën ma të thellë të njeriut. Muzika len shumë ma shumë mbresë sesa qi bota e jashtme mundet ndojhere me lanë. Bukuria e muzikës asht se në te asht burimi i krijimit edhe mjetet e absorbimit të saj. Me fjalë të tjera, bota asht krijue prej muzikës, edhe prapë prej muzikës, bota ka me u tërhjek drejt burimit prej t'cilit asht kriju.
Për me e përkrah kte ju mundeni me e lexu në Bibël qi së pari ka kenë fjala, edhe fjala ka kenë Zoti. Ajo fjalë asht tingulli, e prej tingullit mundemi me e kuptu idenë mbi muzikën. Asht nji legjendë lindore qi asht kallxu para shumë shekujsh, e qi thotë, kur Zoti e bani njeriun prej balte edhe i tha shpirtit me hy në te, shpirti refuzoi me hy në ket shpi burgu. Me kte Zoti i urdhnoi meleqtë me këndue, edhe tek këndojshin meleqtë, shpirti hyjke në trup, i dehun prej muzikës.
Na mundemi me pa kso shembulli edhe në botën shkencore e materiale. Para se nji maqinë - nji mekanizëm - nis e funksionon, mas pari i duhet me ba zhurmë. Mas pari bahet i zashëm, e masnej shpërfaqë jetë. Na mundemi me e pa kte edhe në nji anije, në nji airoplan, në nji makinë. Kjo ide i takon misticizmit të tingullit.
Nji bebe, para se t'i admiroj ngjyrat edhe format, ajo e shijon tingullin. Nëse asht ndoj art qi e mbushë rininë me jetë e entuziazëm, me emocion e me afsh, asht muzika. Nëse asht ndoj art qi e ban nji njeri me i shpreh tansisht ndjesitë, emocionet, asht muzika, si arti ma i duhun me e ba ket gja. Në të njajtën kohë, asht diçka qi ia jep njeriut ate forcë e fuqi të veprimit e qi i ban ushtarët të marshojnë me të rrahunat e daulleve e me tingujt e trumpetave.
Në traditat e kalueme na asht thanë qi në Ditën e Fundit, pak para fundit të botës, do të ndihet nji tingull trumpete. Kjo kallxon qi muzika asht e lidhun me zanafillën e krijimit, me vazhdimësinë e edhe me fundin e saj.
Mistikët e tanë kohnave e kanë deshtë muzikën mbi gjithçka. Pothuej në të gjitha rrethet e kultit të brendshëm, në cilëndo pjesë të botës qi ata janë, muzika shihet qi të jetë qendra e kultit, ceremonisë, apo ritualit të tyne. Ata qi e mbrrijnë paqen e përkryeme e cila quhet nirvana, apo në gjuhën e hinduve samadhi, e mbrrijnë ma lehtë përmes muzikës. Ndaj sufijtë, e sidomos ata të shkollës së vjetër Çishti, e kanë marr muzikën si burim meditimi. E tue meditu në ket mënyrë ata marrin ma shumë bereqete prej saj sesa ata qi meditojnë pa ndihmën e muzikës.
Efekti qi ata e jetojnë asht shpalosja e shpirtit, hapja e aftësive intuitive. Zemra e tyne, me e thanë kështu, hapet ndaj të gjitha bukurive qi gjinden mrena e jasht, tu i naltësue e në të njatën kohë tu i sjell ata te nji përkryemje qi çdo shpirt asht i etun me e mbrri.
______
[1] Hazreti Inayat Khani shpesh e ka përdorë fjalën 'art' në kuptim të ngushtë për pikturën, vizatimin edhe skulpturën.
[2] Ky rrëfim, qi asht pjesë e traditës popullore Indiane, nuk duhet me u kuptu si nji shpjegim etimologjik. Sepse për Hazreti Inayat Khanin gjuha asht kanë nji formë e muzikës, e çka i ka interesue atij asht qi me e gjetë muzikën e mshefun në fjalë.
Marrë nga libri: Hazrat Inayat Khan, The Mysticism of Sound and Music: The Sufi Teachings of Hazrat Inayat Khan [shq. Misticizmi i tingullit dhe muzikës: Mësimet sufiste të Hazreti Inajat Han-it] (Geneva: Shambhala, 1996).
Përktheu: Trandofilishta (2021)