Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Sohbet i mbajtun në Suresnes, Francë
29 korrik, 1922
Mbasi tema asht rreth harmonisë së muzikës, kisha deshtë me thanë qi harmonia e vërtetë e saj vjen prej harmonisë së shpirtit. Vetëm muzika qi vjen prej harmonisë së shpirtit, burimit të vërtetë të saj mundet me u quejt e vërtetë. Kur vjen prej aty, ajo duhet me i tërheq tanë shpirtnat.
Secili shpirt dallohet në bazë të vendimeve qi i merr në jetë dhe udhës qi e ndjekë. Kjo ndodh për shkak të dallimeve të mendjes, përndryshe shpirtnat në thelbin e tyne nuk dallojnë në mes vete. Për ate s'ka mjet ma të mirë për me i ba bashkë mendjet e ndryshme e me i harmonizue ato pos muzikës. S'kish me kenë ekzagjërim nëse them qi muzika asht e vetmja qi shpirtnat e racave, nacionaliteteve e familjeve, të cilat sot janë aq të ndamë, mundet me i ba bashkë nji ditë. Ndaj, mësimi i nji muzikanti asht nji mësim i madh në jetë. Muzika nuk asht e shprehun përmes gjuhës, po përmes bukurisë së tingullit e tonit qi e tejkalojnë gjuhën. Sa ma shumë qi nji muzikant asht i vetëdijshëm për misionin e tij në jetë, aq ma shumë mundet me i ba shërbim njerëzisë.
Tash, natyrisht ekzistojnë metoda të ndryshme rreth kanunit të muzikës në nacionalitete të ndryshme, ama koncepti i bukurisë nuk asht i ndryshëm. Ndryshimet vijnë kur muzika asht e bame prej njerëzve, se nuk ka ndryshime në muzikën e bame prej shpirtnave.
Supozo, nji njeri vjen prej Lindjes së largët, prej Veriut, Jugut a Perendimit; kudo qi ai shef bukurinë e natyrës, ai s'mundet ndryshe pos me e çmue e deshtë ate. E njajta ndodh edhe me ashikun e muzikës. Prej kudo qi ai vjen, a çfarëdo lloj muzike qi ai ndigjon, nëse muzika ka shpirt edhe nëse ai lyp shpirt në muzikë, ai ka me e çmue e admirue krejt ate.
Për ma shumë, muzika ka nji mision jo vetëm me shumicën, po edhe me individat. Misioni i saj me individat asht po aq i nevojshëm edhe i vlefshëm sa misioni i saj me shumicën. Krejt problemet në botë, edhe krejt katastrofat qi ndodhin vijnë prej mungesës së harmonisë. Kjo kallxon qi bota sot ka nevojë për harmoni ma shumë se kurrë. Pra, nëse muzikanti e kupton kte, krejt bota ka me kenë myshteria i tij.
Kur nji njeri mëson muzikë, ai jo domosdo ka nevojë me mësu se qysh me u ba nji muzikant, a me u ba nji burim zbavitje e hareje për shokët e tij. Jo! Po tue lujtë, tue deshtë e tue ndigju muzikë ai duhet me e zhvillu ate në karakterin e tij. Dobia e vërtetë e muzikës asht kur njeriu bahet muzikal në mendime, fjalë e veprime. Njeriu duhet me kenë në gjendje ta përçoj harmoninë për të cilën shpirti i ka mall e për çdo çast i digjet. Krejt tragjeditë në botë, në individa a në popullata, vijnë prej mungesës së harmonisë. Edhe harmonia mas miri i jipet njeriut kur e krijon ate në jetën e vet.
Ka lloje të ndryshme të muzikës, edhe çdo lloj tërheqë shpirtnat e caktuem në bazë të evolucionit të tyne. Për shembull, fëmijtë në rrugë janë shumë të kënaqun tue kalue kohën, se ritmi i kohës së kalueme në rrugë ka nji efekt në ta. Po, sa ma shumë të evolon njeriu, aq ma shumë përmallohet për nji harmoni ma të hollë. Arsyeja se pse njerëzit pëlqehen a nuk pëlqehen në mes vete asht për shkak të etapave të ndryshme në zhvillimin e tyne. Shembull, nji njeri asht në nji etapë ku e çmon nji lloj të caktuem të muzikës, tjetri, i cili asht në nji etapë ma të naltë evolutive don nji muzikë ma të përshtatshme për evolucionin e tij.
E njajta ndodhë edhe në religjione. Disa ngecin në besime të caktueme edhe s'dojnë me evolue ma shumë. Pra, asht e mundun qi ashiku i muzikës me pas tendencë me mbajtë nji lloj muzike e mos me u naltësu ma tepër. Zhvillimi i vërtetë qi vjen përmes muzikës asht evolimi i lirshëm, vazhdimi, pa ndi se çka munden me mendu njerëzia. Në këtë mënyrë, bashkë me zhvillimin e tij në muzikë, me e harmonizu jetën e shpirtit, rrethit e punëve të tij.
Përgjatë udhëtimeve të mia nëpër botë, kam ndigju muzikë në vende të ndryshme, edhe gjithnji kam ndi nji shoqni intime, nji vllazni në muzikë; gjithnji kam pas nji respekt të madh për muzikën edhe dashamirët e saj. Kohë mbas kohe në Indi, me takimin e atyne qi kanë prekë pak prej të përkryemës në muzikë, jam bind qi njeriu mundet me e ndi harmoninë, qi asht nji provë e vërtetë e të përkryemës, jo vetëm e muzikës së tyne po edhe jetnave t'tyne.
Nëse kish me u ndjek ky parim i muzikës, atëherë s'kish pas ma nevojë për nji religjion të jashtëm. Nji ditë muzika ka me kenë nji mjet qi ka me shpreh religjionin universal. Duhet kohë për kte, ama ka me ardh nji kohë kur muzika edhe filozofia e saj ka me u ba religjioni i njerëzisë.
Marrë nga libri: Hazrat Inayat Khan, The Mysticism of Sound and Music: The Sufi Teachings of Hazrat Inayat Khan [shq. Misticizmi i tingullit dhe muzikës: Mësimet sufiste të Hazreti Inajat Han-it] (Geneva: Shambhala, 1996).
Përktheu: Trandofilishta (2021)