Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Sohbet i mbajtun në Ville d'Avray, Francë
12 gusht, 1922
PSE quhet muzika art hyjnor, kur asnjena prej arteve tjera nuk quhet kësisoji? Na sigurisht mundemi me e pa Zotin në të gjitha artet dhe në të gjitha shkencat, po vetëm, edhe vetëm në muzikë Zoti asht i lirë prej të gjitha formave dhe mendimeve. Në çdo art tjetër ka idhujtari. Çdo mendim, çdo fjalë e ka formën e vet. Veç tingulli asht i lirë prej formës. Çdo fjalë poezie krijon nji pikturë në mendjet tona. Vetëm tingulli nuk ban qi të na u shpërfaqet nji objekt përpara.
1
Muzika, si fjalë qi e përdorim në përditshmëri, nuk asht asgja tjetër pos pikturës së të Dashtunit. Muzikën e duem për shkak qi asht piktura e të Dashtunit tonë. Po pyetja asht: Kush asht i Dashtuni jonë, a ku asht Ai? I Dashtuni jonë asht burimi e synimi jonë. Bukuria qi e shofim para syve tanë fizik asht ajo qi e shofim prej Tij. E ajo pjesë e të Dashtunit tonë, e cila nuk manifestohet tek sytë tanë asht forma e bukurisë së brendshme me të cilën i Dashtuni jonë na flet neve. Veç ta kishim ndigju zanin e të gjitha bukurive qi na tërheqin në cilëdo mënyrë, ne kishim me e gjetë qi në çdo aspekt, mbrapa çdo manifestimi asht Shpirti perfekt, Shpirti i urtisë.
Çka asht ajo qi shofim si pasqyrim kryesor të jetës në bukurinë qi shifet para neve? Ajo asht lëvizja. Në vija, në ngjyra, në ndryshime të stinëve, në ngritjen e zbritjen e valëve, në erë, në furtunë, në çdo bukuri të natyrës asht nji lëvizje qi s'ndalet. Asht kjo lëvizje qi shkakton ditën e natën, e edhe ndryshimin e stinëve. Kjo lëvizje, na jep neve kuptimin mbi çka na quejm, kohë. Përndryshe s'kish me pas kohë - se asht përjetësia. E kjo na mëson neve qi çdo gja qi e duem, qi e admirojmë, qi e vëzhgojmë e e kuptojmë, asht jeta qi mshifet mbrapa, e qajo jetë asht vuxhudi (apo qenia) jonë.
Arsyeja se pse s'mundemi me e pa tanë Vuxhudin e Zotit asht kufizimi jonë, ama krejt çka duem na në ngjyra, në vija e forma, a edhe në karaktere - krejt çka asht e dashtun për neve - i përket Bukurisë së Hakut i cili asht i Dashtuni i tanve.
Kur e gjurmojmë se çka na josh neve në këtë bukuri qi e shofim në krejt format, kemi me e pa qi asht lëvizja e bukurisë: muzika. Krejt format në natyrë, lulet të bamuna e të ngjyrosuna në nji formë të përkryeme, planetet e yjet, toka - krejt na e dhanë nji ide mbi harmoninë, mbi muzikën. E tanë natyra asht tue marr frymë, jo veç krijesat e gjalla, po e tanë natyra. Asht veç prirje e jona qi me i krahasu ate se çka na duket ma e gjallë me ate se çka neve na duket ma jo e gjallë. Prirje qi na ban me e harru se çdo gja edhe çdo krijesë asht tue jetu nji jetë të përkryeme. E shenja e jetës qi kjo bukuri e gjallë na jep neve asht muzika.
Çka e ban shpirtin e nji poeti me vallëzu? Muzika. Çka e ban nji piktor me pikturu piktura të bukura, e nji muzikat me këndu kangë të bukura? Asht inspirimi qi bukuria jep. Sufiu e ka qujt këtë bukuri Saki, Dhanësi Hyjnor, i cili jep venën e jetës për krejt. Çka asht vena e Sufiut? E gjithë bukuria: në forma, në vija e ngjyra, në imagjinatë, në ndjenja, në sjellje - në krejt këto ai e shef Nji Bukuri. Krejt këto forma të ndryshme janë pjesë e Shpirtit të bukurisë i cili asht jeta mbrapa, përherë e bereqetshme.
Sa për ate se çka quejm muzikë në përditshmëri - për mu arkitektura asht muzikë, kopshtaria asht muzikë, bujqësia asht muzikë, pikturimi asht muzikë, poezia asht muzikë. Në çdo okupim të jetës ku bukuria ka kenë inspirimi, ku vena hyjnore asht derdhë, aty asht muzika. Po në mes krejt arteve të ndryshme, veçanërisht arti i muzikës asht cilësu hyjnor, sepse asht miniatura ekzakte e ligjit qi punon në tanë universin.
Për shembull, nëse i studiojmë vetët tona, na kemi me i vërejt rrahjet e pulsit e të zemrës, marrjen e frymës edhe nxjerrën e saj, të gjitha janë punë ritmike. Jeta asht e mvarun prej punës ritmike qi e ban i tanë mekanizmi trupor. Fryma shpërfaqet si za, si fjalë, si tingull. Tingulli asht vazhdimisht i zashëm, tingulli jashta edhe mrena neve asht muzikë. Kjo kallxon qi ka muzikë jashta edhe mrena neve.
Muzika e inspiron jo veç shpirtin e nji muzikanti të madh, po çdo të posalindun. Në momentin qi vjen në këtë botë, ai nis e i lëvizë krahët e kambët e tij të vogla me nji ritëm muzikor. Për ate s'asht ekzagjerim me thanë qi muzika asht gjuha e bukurisë, gjuha e Njishit qi çdo shpirt i gjallë e ka deshtë. E na mundemi me e kuptu ate nëse e kuptojmë e e njohim këtë bukuri të përkryeme si Zoti, i Dashtuni jonë, tani bahet e natyrshme qi kjo muzikë, qi na e shofim në art e në tanë universin, me u emnue si Arti Hyjnor.
Marrë nga libri: Hazrat Inayat Khan, The Mysticism of Sound and Music: The Sufi Teachings of Hazrat Inayat Khan [shq. Misticizmi i tingullit dhe muzikës: Mësimet sufiste të Hazreti Inajat Han-it] (Geneva: Shambhala, 1996).
Përktheu: Trandofilishta (2021)