Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
rreth 17 minuta lexim
Në leximet e literaturës së misticizmit islam (tesavufit), haset jetësim serioz i koncepteve jungiane. Një shembull i spikatur i këtij ndërthurimi është poezia e papërsëritshme e Junus Emresë, “Gel Gör Beni” (Eja e më shih!), e cila njëkohësisht përbën njërën ndër shtyllat e poezisë sufiste.
Ben yürürüm yane yane
Aşk boyadı beni kane
Ne âkilem ne divane
Gel gör beni aşk neyledi
Gâh eserim yeller gibi
Gâh tozarım yollar gibi
Gâh akarım seller gibi
Gel gör beni aşk neyledi
Dertli ciğerim dağlarım
Şeyhim anuban ağlarım
Ben yürürüm ilden ile
Şeyh anarım dilden dile
Miskin Yunus biçareyim
Baştan ayağa yareyim
Ya elim al kaldır beni
Ya vaslına erdir heni
Çok ağlattın, güldür beni
Shtegtoj unë flakë-flakë,
Dashunia më la vragë.
As i urtë, as i marrë
Eja shihmë: me dogji mallë.
Herë fryj si era në mal,
Herë pluhuros udhë pa ndalë,
Herë rrjedhë; përroj në perrall
Eja shihmë më dogji mallë
Derti im i madh sa malet
Qaj për Shejhun, buza më varet
Eci unë krahinë më krahin
Në çdo gjuhë Shejhut ia flas praninë
Miskin jam unë, në hall e mall
Krye e këmbë jam plagë e zjarr
O Dorë Mëshire, me ngrit lart Ti
O më mbështjell me Dashuri
Qava shumë, gëzomë tani.
Në këtë poezi, Junus Emre – si një ashik (në terminologjinë sufiste nënkupton të dashuruarin mistik) – këndon për dashurinë dhe mallin e tij përvëlues për mashukun (të Dashurin), një përvojë e cila e sfilit në të gjitha mënyrat e mundshme. Kjo dukuri në diskursin jungian pasqyron procesin e individuimit. Përkatësisht, subjekti poetik, përmes kësaj përvoje të brendshme, i përshkon katër fazat e procesit të transformimit alkimik¹ — një skemë simbolike e lindur nga praktikat e alkimisë mesjetare, ku përpjekja për të shndërruar metalet e zakonshme në ar, edhe pse e kuptuar si proces material nga vetë alkimistët, për Jungun nënkuptonte një shprehje të pavetëdijshme të transformimit të shpirtit njerëzor — që përfshijnë: Nigredo-n (shpërbërjen dhe përballjen me errësirën e pavetëdijes), Albedo-n (pastrimin dhe kthjellimin e ndërgjegjes), Citrinitas (pjekurinë shpirtërore), dhe Rubedo-n (integrimin e të kundërtave), një udhëtim që, sipas Jungut, përfaqëson thelbin simbolik të procesit të individuimit dhe integrimit të Vetes*.
Zjarri i dashurisë: Nigredo (shpërbërja)
Faza e parë alkimike Nigredo, e simbolizuar nga vdekja, humbja e orientimit dhe vuajtja e brendshme, në kuptimin psikoanalitik ka të bëjë me shpërbërjen e strukturës së vjetër të egos†, me konfrontimin e përmbajtjeve të pavetëdijshme dhe shfaqjen e tyre në sipërfaqe në formë kaotike — shpeshherë edhe melankolike. Në poezinë e Junusit, kjo fazë fillon me vargjet:
Ben yürürüm yane yane
Aşk boyadı beni kane
Shtegtoj unë flakë-flakë
Dashuria më la vragë
Nigredo, sipas Jungut, është “gjendja fillestare, qoftë e pranishme që në fillim si cilësi e materia prima-s, kaosit ose massa confusa-s, ose e prodhuar nga ndarja (solutio, separatio, divisio, putrefactio) e elementeve” (Jung, 1968/2025, f. 248). Kjo fazë përfaqëson pikën e parë të një ndryshimi të brendshëm psikologjik, ku individi përballet me errësirën, konfuzionin dhe shpërbërjen e strukturave të vjetra të vetes. Ajo mund të shfaqet si një gjendje e paqartë, e ngatërruar apo kaotike, ose të lindë gjatë procesit të shpërbërjes së personalitetit — përmes ndarjes, tretjes apo kalbjes së aspekteve të pavetëdijshme. Kjo dinamikë simbolike del në pah te subjekti poetik. Ai ecën “duke u përvëluar”, çka nënkupton procesin e pastrimit të egos përmes vuajtjes. Ashku shfaqet si katalizator i këtij transformimi, njësoj si malli për hyjnoren përballë vetes së rrejshme në filozofinë sufiste (Ishk Hakiki). Në këtë mënyrë, identiteti i vjetër digjet, për të krijuar hapësirë për një identitet të ri.
Rrjedha arketipale: Albedo (pastrimi)
Më tej, Junus Emre përshkruan një gjendje kufitare, ku ai nuk është më as racional, as i çmendur:
Ne âkilem ne divane
Gel gör beni aşk neyledi
As i urtë, as i marrë
Eja shihmë: më dogji mallë!
Kjo pasqyron çlirimin e egos nga strukturat racionale dhe dorëzimin e saj lumit të pavetëdijes — një dukuri që mund të lexohet edhe përmes konfliktit Puer–Senex². Subjekti poetik luhatet mes të dyjave, i paaftë për të përcaktuar përfundimisht kornizat e tij psikologjike.
Dorëzimi i egos e fut subjektin në një rrjedhë arketipale; aty ku qëndron thelbi i fazës së Albedos:
Gâh eserim yeller gibi
Gâh tozarım yollar gibi
Gâh akarım seller gibi
Gel gör beni aşk neyledi
Herë fryj si era në mal,
Herë pluhuros udhë pa ndal,
Herë rrjedh; përroj në prrall
Eja shihmë: më dogji mallë
Lëvizja e subjektit përmes elementeve natyrore (era, pluhuri, uji) simbolizon shpërbërjen graduale të egos dhe bashkimin e saj me forca më të mëdha, transpersonale e kozmike. Arsyeja përse kjo fazë karakterizohet me fazën e Albedos apo zbardhësimit është për shkak se në kontekstin simboliko-alkimik, subjekti poetik po spastrohet duke u mbështetur në elementet e natyrës: shpërbërja e mëparshme e çoi në një përballje me hijen dhe e bëri të domosdoshme shfaqjen e dritës — dhe kjo me të njëjtat përmasa si errësira, për të lindur qartësia në vështrim dhe njohja e thellë e të kundërtave.
Paralelizimi i unit poetik me elementet natyrore, ndërkaq, simbolizon një rikthim në periudhën arkaike dhe parësore të qenies — një kthim që ka funksion sterilizues: çlirimin e subjektit nga çdo restimulim kufizues psikologjik.
Vetëdija diellore: Citrinitas (pjekuria)
Në vargjet vijuese shfaqet faza e tretë, Citrinitas — e njohur edhe si "verdhësimi" — e cila përfaqëson zgjimin e ndërgjegjes së ndriçuar dhe arritjen e pjekurisë shpirtërore. Kjo fazë shënon një kalim nga pastrimi (Albedo) drejt dritës së vetëdijes, ku individi fillon të ndërtojë një marrëdhënie më të qëndrueshme me vetveten, duke kapërcyer dualitetet e brendshme dhe duke i dhënë formë një identiteti më të përqendruar. Në këtë pikë, vetëdija nuk është më vetëm e pastër, por edhe aktive.
Dertli ciğerim dağlarım
Şeyhim anuban ağlarım
Derti im i madh sa malet,
Qaj për Shejhun, buza më varet
Junusi i pjekur i kthehet dhimbjes me një rivlerësim të saj si burim urtësie, ndërsa vuajtja e tij përvijohet përmes metaforës së një mali të brendshëm — pengesë që duhet ngjitur dhe tejkaluar.
Ben yürürüm ilden ile
Şeyh anarım dilden dile
Eci unë krahinë më krahinë,
Në çdo gjuhë Shejhut ia flas praninë
Udhëtimi i tij nomad nuk është më thjesht një lëvizje fizike nga vendi në vend, por një endje e brendshme përmes shtresave të vetëdijes. Kjo është faza ku njeriu braktis sigurinë e identitetit të formuar më parë dhe hyn në një kërkim të thellë për të zbuluar thelbin e tij autentik. Pra në kontekstin simboliko-alkimik, vetëdija “diellore” e fituar në këtë nivel, e sjell një ndërgjegjësim që kërkon të shndrisë hijën e brendshme. Ky ndriçim, megjithatë, nuk ndodh lehtë; është i përftuar përmes një dhimbjeje që kalit dhe përul. Sipas Jungut, shumë alkimistë dhe filozofë kanë dështuar në këtë fazë sepse kanë anashkaluar procesin e domosdoshëm të përuljes për të hyrë në të. Kjo është arsyeja pse ata nuk kanë mundur të arrijnë në Rubedo (integrim) – fazën e rilindjes së shpirtit, ku bashkohen kundërshtitë dhe arrihet përmbushja e tërësisë.
Lapis philosophorum: Rubedo
Në këtë poezi të Junusit, Rubedo – faza e fundit e procesit alkimik dhe atij psikologjik – përfaqësohet përmes përuljes së thellë të subjektit poetik ndaj urtësisë së Shejhut. Në vargjet e mësipërme, dëshpërimi dhe thirrja që i drejtohen Shejhut nuk janë shenja dobësie, por çaste të subjektit poetik kur e pranon të vërtetën rreth asaj se vetë ai nuk mjafton për të kaluar përmes ngushticave të shpirtit dhe se ka nevojë për një orientim – një Udhëzues që mishëron aspektin Hyjnor në botën e vdekshme. Përulja këtu nuk është poshtërim, por një akt vullnetar dorëzimi ndaj të Vërtetës më të madhe, gjë që e bën të mundur transformimin final: kalimin nga egoja e vetizoluar drejt Burimit të Vetes.
Rubedo, në këtë kontekst, është urdhërimi i Dritës, bashkimi i kundërshtive – e ulëta dhe e larta, njeriu dhe Hyjnorja, hija dhe rrezja – që mund të ndodhë vetëm kur egoja nuk përpiqet më të mbretërojë mbi gjithçka. Sipas Jungut, shumë alkimistë dhe mendimtarë perëndimorë kanë pësuar disfatë pikërisht në këtë fazë, sepse në vend që ta tejkalonin egon përmes një lidhjeje me dimensionin e shenjtë, janë rikthyer tek vetja si burim suprem i së vërtetës. Ky rikthim në vetvete, duke përjashtuar Hyjnoren, përfaqëson një inflacion psikik – një fryrje e pavetëdijshme e egos³, që mendon se mund ta njohë Tërësinë pa u përulur ndaj saj. Pa këtë akt të dorëzimit shpirtëror dhe njohjes së një urtësie më të madhe se vetja, nuk është e mundur të arrihet Rubedo – rilindja e plotë e njeriut të bashkuar me Krijuesin e tij, sepse mohimi i Hyjnores nga ana e egos është tregues i inflacionit psikik:
“Meqë ideja e Zotit përfaqëson një intensitet psikik të rëndësishëm, madje të parezistueshëm, ishte, në njëfarë mënyre, më e sigurt të besoje se një intensitet i tillë autonom ishte një jo-ego, ndoshta një entitet krejtësisht i ndryshëm apo mbinjerëzor.
…Meqë bëhet fjalë për një çështje me energji të frikshme, rezultati (i eliminimit apo zëvendësimit të këtij entiteti hyjnor) do të jetë një shqetësim psikologjik po aq i rëndësishëm në formën e një çarjeje të personalitetit.” (Jung, 1938/2003, ff. 119–121)
Në vazhdim të poezisë, vajtimi i fundit shënon vdekjen e rreme, duke shënuar kalimin e tij në fazën përfundimtare — Rubedo:
Miskin Yunus biçareyim
Baştan ayağa yareyim
Miskin jam unë, në hall e mall
Krye e këmbë jam plagë e zjarr
Ya elim al kaldır beni
Ya vaslına erdir beni
Çok ağlattın güldür beni
O Dorë Mëshire, më ngrit lart Ti
O më mbështjell me dashuri
Qava shumë, gëzomë tani
Në sufizëm, ky bashkim është me Zotin (mashukun), ndërsa në mendimin jungian, ai pasqyron integrimin e të pavetëdijshmes në vetëdije — qëllimi përfundimtar i udhëtimit shpirtëror — dhe me të, njëkohësisht, edhe më madhështor: individuimi, plotësimi, arritja e Tërësisë, për të cilën Jungu shkroi deri në fund të jetës së tij. Në paralelen sufiste, ky vetëasgjësim (fena) i lejon njeriut të rilindë në dhe me dashurinë hyjnore.
Lutja e tij për t’u “larguar prej vetes” ose për t’u “bashkuar” pasqyron tensionin e të kundërtave dhe idenë qendrore jungiane se njeriu nuk e arrin ndriçimin duke imagjinuar dritën, por duke e bërë të vetëdijshme errësirën.
Ngjizja e Vetes në përjetësinë e së Vërtetës
Në këtë udhëtim të brendshëm, ndërmjet psikës dhe shpirtit, mbetet përgjegjësi e lexuesit që, duke ndjekur shembujt si ai i Junus Emresë, t’i përgjigjet thirrjes së përjetshme për të realizuar vetveten nën dritën e Hyjnores — një thirrje që kërkon tejkalim, harmonizim dhe dorëzim ndaj një të Vërtete më të madhe se vetja jonë. Vetëm përmes këtij rrugëtimi mund të arrijë të bëhet jo vetëm pasqyrim i Hyjnores, por edhe pjesëmarrës i ndërgjegjshëm në të — një gjendje që, sipas Jungut, përbën qëllimin përfundimtar të krijimit dhe të vetë ekzistencës sonë.
Shënime:
1. Në librin Psikologjia dhe Alkimia, Jungu sqaron: “Dallohen katër faza, të karakterizuara nga ngjyrat origjinale të përmendura nga Herakliti: melanosis (nxirje), leukosis (zbardhje), xanthosis (verdhësim) dhe iosis (skuqje). Kjo ndarje e procesit në katër pjesë quhej ‘katërsimi i filozofisë’. Më vonë, rreth shekullit XV ose XVI, ngjyrat u reduktuan në tri, dhe xanthosis, e quajtur ndryshe citrinitas, gradualisht doli nga përdorimi, ose përmendej shumë rrallë. Në vend të saj, viriditas (njomësia e gjelbër) shfaqet ndonjëherë pas melanosis ose nigredo-s në raste të jashtëzakonshme, ndonëse nuk është e njohur gjerësisht. Albedo është, për ta thënë kështu, agimi, por vetëm me rubedo-n vjen lindja e diellit. Kalimi drejt rubedo-s ndërmjetësohet nga citrinitas, ndonëse kjo, siç thamë, më vonë u la mënjanë. Rubedo-ja vjen më pas drejtpërdrejt nga albedo-ja, si rezultat i rritjes së intensitetit të zjarrit në shkallën më të lartë. E kuqja dhe e bardha janë Mbreti dhe Mbretëresha, të cilat në këtë fazë mund të festojnë ‘martesën e tyre kimike’.” (Jung, 1968/2025, f. 249)
2. Puer-i (rinia e përjetshme) përfaqëson dashnorin spontan dhe ekstatik, ndërsa Senex-i (plaku i urtë) mishëron rendin, strukturën dhe përmbajtjen e qëndrueshme.
3. Bloated ego (egoja e fryrë) është term që i referohet një egoje që ka uzurpuar hapësirën e Vetes, duke e vendosur veten në qendër të përvojës dhe duke refuzuar çdo autoritet apo burim njohjeje jashtë saj. Një ego e tillë është e mbyllur ndaj Hyjnores dhe e paaftë për dorëzim, çka, sipas Jungut, përbën një rrezik për çarje të personalitetit. Për një elaborim më të thelluar, shihni librin Ego and Archetype nga Edward Edinger.
Terminologjia jungiane e përdorur në tekst:
* Vetja (Selbst): përfaqëson tërësinë e personalitetit – atë që ne jemi në thelb. Ajo shfaqet përmes simboleve, ëndrrave, mitologjisë dhe përvojave shpirtërore, duke udhëhequr njeriun drejt harmonisë së brendshme dhe unitetit të qenies. Sipas Jungut, është stadiumi përfundimtar i evoluimit të njeriut e që vjen si rezultat i procesit të bashkimit të të kundërtave dhe i integrimit të shpirtit me materialen, mendjes me hijen, dhe tokësores me hyjnoren. Për më tepër, Jungu përdori termin "Vetja" (Selbst) për të shprehur imazhin e Zotit — një imazh që, sipas tij, përbëhet nga gjithçka që ne mund të dijmë rreth Zotit.
†Ego: Në psikologjinë jungiane, egoja është qendra e vetëdijes së njeriut – pjesa e personalitetit që përfshin identitetin, perceptimet, kujtimet dhe vetëdijen për veten në marrëdhënie me botën. Megjithatë, ajo përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të psikës, ndërsa pjesa më e madhe përbëhet nga pavetëdija personale dhe ajo kolektive.
‡ Hija (Schatten): Sipas Jungut, hija është një kompleks i pavetëdijshëm që përmbledh të gjitha aspektet e personalitetit të individit të cilat vetëdija i ka mohuar ose shtypur. Ajo përfaqëson instinktet, dëshirat dhe impulset që nuk përputhen me imazhin e ndërtuar nga normat sociale. Integrimi i hijes është një proces thelbësor në rrugën drejt individuimit, pasi njohja dhe pranimi i saj mundëson një vetëdije më të plotë dhe një ekuilibër të brendshëm e më të qëndrueshëm.
Referencat:
1. Jung, C. G. (2003). Psikologjia dhe besimi (D. Koka, Përkth.). Botimet Dritan. (Vepra origjinale botuar në vitin 1938)
2. Jung, C. G. (1968). Psikologjia dhe alkimia (R. F. C. Hull, Përkth.) (Vëll. 12 i Veprave të përmbledhura të C. G. Jung). Princeton University Press.
Shkrimi & përkthimi i poezisë : Dhurata Alija (2025)