Nji ditë t’korrnave, Jezusi na thirri neve bashkë me miqtë e tij 'tjerë, në kodra. Toka e mbante njifar arome, e bash ashtu si qika e mbretit në dasëm t’vet, ish zbukurue me tana stolitë e sajna. E qielli si dhandërr.
Kur mbrrinëm nelt, Jezusi tuj ndejt hala ndër korijën e dafinave, tha: "Pushoni këtu, qetësoni mendjen e ujdisne zemrën, se shum habere kam me i’u dhanë sot".
U ulëm në bar, me lulet e verës te tana për veti, e Jezusi u ul në mes nesh e ja nisi:
“T’lumt ata që janë të paqtuem në shpirt.
“T’lumt ata që nuk ngajnë mas kamjes, se do të jenë të lirë.
“T’lumt ata që e kujtojnë dhimtën e vet e në atë dhimtë, presin gëzimin e tyne.
“T’lumt ata që kanë unti për t’vërtetën e bukurinë, untia ju bjen bukë e t’eqtit e tyne, ujë t’ftoftë.
“T’lumt ata që janë dashamirë, atyne do t’ju bahet gajret prej mirësisë ‘tyne.
“T’lumt ata që janë të pastërt në zemër, ata do t’jenë Nji me Zotin.
“T’lumt ata që kanë merhamet, bash në rahmet kanë me pasë hise.
" T’lumt paqtuesit, fryma e tyne ka me rrnue përmbi beteja e ata do t’i kthejnë fushat e poçarit në bahçe.
“T’lumt të përndjekunit, se ata do t’jenë të shpejtë kambëve dhe do të jenë me krahë.
“Gëzonu dhe jini të hareshëm, se e keni gjetë Mbretninë e Qiellnave mrenda vetës. Kangëtarët e moçëm u përndjekën kur i knuen qësaj mbretnie. E edhe juve kanë me ju përndjekë, po bash qaty asht nderi e shpërblimi juej.
“Ju jeni si krypa në tokë; e, me i hupë shija krypës, me çka me jau krypë njerzve bukën e zemrës?
"Ju jeni nuri dynjasë. Mos e qitni atë dritë ndër shinik. Le ta ban dritë krejt, në tana anët – për ata që e lypin Qytetin e Zotit.
“Mos mendoni se kam ardhë me çartë sheriatin e skribëve dhe farisejve; se ditët e mia mes jush janë të numërume a fjalët t’peshueme; i kam veç edhe disa orë, për m’e përmbush nji ligj tjetër e m’e shplue nji besë të re.
"Ju asht thanë se s’duhet me vra, por unë po ju thom, ju s’duheni as me u idhnu pa shkak.
“Ju kanë mësue e urdhnu të moçmit që me pru viçin, kingjin a zogj në tempull, me i ba kurban mbi altar, që Zoti me jau ndi erën e juve me ju falë gjynahet.
“Veç, ngoni knej po ju thom unë juve, a po i jepni Zotit ate që o kon’ e Tina gjith, prej bir vakti?; a po doni m’e qetësu Zotin, e arshi i Tina asht përmi thellësinë e heshtjes e krahët e Tina rrethojnë gjithçka ka?
“Shkoni e lypeni vllaun e pajtohuni me te, para se të lypni najsend në tempull; banu nji njeri që jep dhe i dashtun për akrabanë. Se në shpirtin e qëtyne, Zoti e ka mbaru nji tempull që nuk ka me u shkatërru kurrë, e në zemrën e tyne, nji altar që nuk ka me u humbë kurrë.
“Ju kanë thanë, sy për sy – dhamb për dhamb. Po une po ju thom: Mos i rezistoni të keqes, se kundërshtimi asht ushqim për të keqen dhe e ban ma të fortë. Veç të dobëtit kishin me u hakmerrë për veten e tyne. Ata me shpirt të gjonë, falin; e asht nder, kur je mazllum, me falë.
“Veç ato pemët që bajnë fryte, i shkundin a i gjuejnë me gurë për m’u ushqy prej tyne.
“Mos bani vird për t’nesërmen, po veneroni këtu-sot, se m’u mjaftue me sot asht mrekullia e sajna.
“Mos ja mbani ma fort dert vetit kur jepni, sesa nevojlisë. Se kushdo qe jep, ai vet për veti njiherë ka marrë prej Zotit, bile shum ma tepër.
“Dhe jepini secilit qysh t’ka nevojë; se Zoti nuk i jep krypë të eqtve, as gurë të untve, as tamël atyne që i kanë da prej gjini.
“T’shejtën mos jau jepni qenve; as mos jau gjueni inxhitë derrave. Se me dhurata të tilla veç i lazdroni; e ata njejtë mandej bajnë hajgare me hedijet tuja, a mrena në urrejtjen e tyne, ju kishin shkatërru me shum qef.
“Mos lidhi’ me thesare që mujn me ju prishë ose që hajnat muj ‘i vjedhin. Lidhi’ me thesare që nuk prishen as vidhen, po që rriten n’dashni sa herë i kqyrim. Se qaty ku asht thesari juej, qaty e keni edhe zemrën.
"Ju kanë thanë se katili duhet me u vra me shpatë, hajni m’u kryqëzu e kurva me u gurëzu. Ama qe, po ju kallxoj – ju s’jeni të pagjynah në atë që ban vrasësi, hajni e kurva. Kur ju jau denoni trupat, shpirtu juej u nxihet.
"Hak po ju flas – asnji gjynah nuk bahet prej nji mashkulli a nji femne. Po te tana gjynahet bahen prej tetan’ juve. Ai që pe paguen denimin, ndodhë që o’ ka e then veç nji hallkë t’zingjirit – zingjirë që kalon duerve e kamëve t’jueja. Ndoshta ai po e paguen me dhimtën e vet, çmimin për gëzimin e juej kalimtar.”
Kështu foli Jezusi, a une u përvlojsha me i ra n’dy gujt e me nijaz, po qysh m’vike marre, s’mujsha as me livritë, se lene ma me thanë naj fjalë. Po ma n’fund fola e thashë: “isha lutë qetash, po guha m’u ka rëndue. A më mëson u lutë."
E Jezusi tha: "Kur të boni dua, lejeni ashkun me folë vet. Mue tash po me vjen me e ba ket dua kështu:
"Zoti jonë n’tokë e qiell, i Shenjtë asht emni Yt.
Si ndër ne, njashtu dhe n’Qiell, u baftë vullneti Yt
Bukën tonë t’përditshme, na jep mjaftueshëm për sot.
Me rahmetin Tand na fal dhe njani-tjetrin ta falim na mëso.
Na udhëzo drejt Teje – e në errësinë, dorën Tënde drejt nesh shtrije.
Se te Ti asht fuqia e përmbushja jonë – o Poseduesi i kësaj mbretnie".
Natën ‘mramje, Jezusi u zhdorgj poshtë kodrave, a na tetanë e ndjekëm përmrapa. Tejsa i shkojsha mas, e përsëritsha duanë e Tij e i fiqirojsha krejt ato që Ai kish thanë; se e dijsha diqysh se fjalët që kishin ra atë ditë si fjolla, duhet me u forcu si kristale, a krahët që kishin fluturue përmi kokat tona, kanë me ra rrapllimë si thundra hekuri për toke.
Pjesë nga libri: Jezusi, bir i njeriut
Përktheu: Sokol Sylejmani
Tags: Alemi i perkryem, Khalil Xhibran shqip, Khalil Gibran shqip, The madman, I çmenduri