Daniel Gerhartz, 1965
Marie Magdalena
Mbi takimin e parë me Jezusin
Ka qenë qershuer kur e kam pa për s'pari herë. Ecte vetëm nëpër fushat e grunit kur unë me shërbëtoret i kaluem afër.
Ritmi i hapave t'tij qe ndryshe prej njerëzve të tjerë; s'kisha pa ma heret lëvizje si ato të trupit të tij.
Njerëzit nuk ecin nëpër tokë në atë mënyrë. Edhe tash nuk e di a ecte ngadalë apo shpejt.
Shërbëtoret e mia i drejtuen gishtat kah Ai e i pëshpëritshin me turp njona-tjetrës. Unë për nji çast e ndala hapin edhe e ngrita dorën me e ndalë. Po Ai nuk e kthejë fytyrën kah unë e as nuk m'kqyri. E kjo hiç nuk më pelqej. U ktheva në vete e u bana e ftohtë sikur me pas kanë në nji pirg bore. U dridha.
N'qat natë e pash në andërr; masnej më treguen se kisha britë në gjumë e qi s'isha pas rahatue hiç në krevat.
Në muejin gusht e pash prapë prej dritares. Ish pas ulë nën hijen e selvisë qi gjindet matanë bahçes teme. Ai rrijke qaq qetë sa qi u dukke sikur me pas kanë gurë i skalitun, rrijke si statujat e Antiokit e qyteteve të tjera të Vendeve të Veriut.
Skllavja jem, egjiptianja, erdh e më tha: "Qaj njeri ka ardh prapë këtu. Ai asht ul matanë bahçes tande".
I ktheva sytë kah Ai e shpirti mu dridh. Ke i bukur për s'tepërmi.
Trupi i tij ke nji trup e çdo pjesë u dukke sikur e dashunojke pjesën tjetër.
U çova e u vesha me rroba prej Damasku, dola prej shpisë e eca kah Ai.
A ke vetmia jem apo aroma e Tij qi m'tërhoqi kah Ai? A mos ke umja e syve t'mi qi dojshin me pa hijeshi, apo qe bukuria e Tij qi drita e syve t'mi e kërkojke?
Edhe tash nuk e di.
Me rrobat e mia të parfumosuna e me sandallet prej ari, me ato sandalle qi kapiteni Romak m'i ka pas dhanë, eca drejt Tij. E mbërriva edhe i thashë: "Nandja e mirë"
E Ai m'tha: "Nandja e mirë, Merjeme".
M'kqyri, e sytë e Tij të natës më kqyrën në nji mënyrë qi s'më kish pas kqyr asnji burrë deri atëherë. Papritë u ndiva si e zhveshun, u turpnova.
Edhe pse Ai me tha veç: "Nandja e mirë".
Masnej i thashë: "A po vjen në shpinë teme?"
Ai me tha: "A s'jam veçse në shpinë tande?"
Në qat çast nuk e kuptova, po tash e di se çka deshti me thanë.
Edhe i thashë: "A po vjen me pi venë e me hongër bukë me mu?"
E Ai tha: "Po Mejreme, po jo tash."
"Jo tash, jo tash" tha. Në ato dy fjalë kish pas zanë vend zani i detit, i pemëve e i erës. E kur m'i tha ato, jeta i foli vdekjes.
Se unë jam kanë e vdekun, miku jem. Unë jam kanë nji grue e ndame prej shpirtit t'saj. Unë jetojsha larg prej kësaj veteje që ju tash e shihni. Unë i kam takue të gjithë burrave, e njikohësisht asnjenit. Ata me quejshin prostitutë, grue e pushtueme prej shtatë shejtanëve. Jam kanë e mallkueme e m'kanë pas zili.
Po kur sytë e Tij të agimit i kqyrën sytë e mi, tanë yjet e natës teme u shuen, e unë u shndërrova në Merjem, veç në Mejrem, në nji grue të humbun në tokën qi e pat njoftë, vetja e së cilës u gjind në vende të reja.
Prapë i thashë: "Hajde në shpinë teme e ndaje bukën e venën me mu."
E Ai tha: "Pse po me fton me kanë mysafiri yt?"
E unë i thashë: "Të lutna hajde në shpinë teme." Krejt pjesa e dheut bashkë me krejt pjesën qiellit në mu thirrke kah Ai.
Masnej m'kqyri, mesdita e syve të Tij më kaploi, e më tha: "Ti ki shumë dashnorë, e prapë veç Unë të due ty. Burrat e tjerë të dashunojnë vetveten në afrinë tande. Unë t'due ty në veten tande. Burrat e tjerë e shofin nji bukuri në ty qi ka me u shu ma shpejt se ymri i tyne. Ama, Unë e shoh nji bukuri në ty qi s'ka me u shu, edhe në vjeshtën e ditëve të tua qajo bukuri nuk ka me u frigu prej shikimit të vetvetes në pasqyrë, e as nuk ka me u fy.
"Veç Unë ta due të padukshmen në ty".
Masnej Ai me za të ultë tha: "Shko tash. Nëse kjo selvi asht e jotja edhe nëse don qi unë mos me u ulë nën hijen e saj, atëherë mundem me u largu."
Unë iu përgjërova e i thashë: "O mjeshtër, hajde në shpinë teme. Kam temjan qi digjet për ty, edhe nji legen argjendi për kambët e tua. Ti je edhe s'je i huej. Të lutna, hajde në shpinë teme!"
Ai mandej u çue në kambë, m'kqyri sikur qysh kqyrin stinët nëpër fusha, e buzëqeshi. E prapë tha: "Të gjithë burrat të duen për veten e tyne, a Unë të due për ty."
E u largue.
Po asnji burrë nuk ec si Ai. A lindi nji frymë në bahçen tem qi lëvizi kah lindja, apo ishte nji furtunë qi kish me i tundë të gjitha gjanat në themel, unë s'e dita. Po në qat ditë, perëndimi i syve të Tij e mbyti dragoin në mu, e unë u bana grue, u bana Mejremi, Mejremi prej Mixhdeli.
Xhibran Halil Xhibrani "Jezusi, evlad i njeriut" (përkthim i pabotuem)
Përktheu: Trandofilishta (Dhjetor 2023)
Tags: Alemi i perkryem, Khalil Xhibran shqip, Khalil Gibran shqip, The madman, I çmenduri