Qé qitu, unë ulem në mes vëllaut tem malit, e motrës sem detit. Të tret’ jemi nji në vetmi, e dashunia që na lidh neve asht e thellë, e fuqijshme e edhe e çuditshme. Jo, asht edhe ma e thellë se thellësia e motres sem, e ma e fuqijshme se fuqia e vëllaut tem, e edhe ma e çuditshme se çudia e çmendunisë tem.
Epokë mbas epoke ka kalue prej agut t’hirët i cili na bani t'dukshëm te njani-tjetri; e edhe pse na kemi pa lindjen, përmbushjen edhe vdekjen e shumë botnave, hala jemi t’ri e plot të etun. Jemi t’ri e plot energji, po hala jemi të pa çiftëzuem e t’pa vizituem. Edhe pse na qëndrojmë me nji perqafim të pashkëputun gjysmak, hala jemi t’parahatuem. E çfare rahatie ka në dëshirat e frenueme e në afshet e pashueme? Kur do me ardh hyjnia e flakërueme me e ngrohë shtratin e motres sem? E çfarë rrëkeje ka me u rrok me ia shue etjen vëllaut tem? E kush m’asht ajo grue e cila do t’sundoj zemrën tem?
N’qetín e natës motra murmuritë n’gjumin e saj emrin e panjoftun të hyjnisë s’flakërueme; me nji anë tjetër vëllau thërret për nji hyjneshë t’ftohtë e t’largët. Po për kand thrras unë në gjumë, nuk e dij.
...
Qé qitu, unë ulem me malin vëllaun tem, e me detin motrën tem. Te tret jemi nji në vetmí, e dashunia që na lidh neve asht e thellë, e fuqijshme e edhe e çuditshme.
Shënim: Titulli origjinal asht "The Great Longing" qi ka kuptimin e mallit të zjarrmishëm.
Xhibran Halil Xhibrani, I çmenduni (përkthim i pabotuem)
Përktheu: Trandofilishta (2021)
tags: Khalil Gibran shqip, The Madman, tregime, rrëfime