Zot i shpirtnave t’humbun, Ti qi m’je i humbun mes zotnave, ndigjom!
Fat i ambël, qi na vështron neve t’çmendunve, shpirtnat e përhumbun, ndigjom!
Unë rrnoj mes nji race të pa të meta, unë ma i papërkryemi. Unë, nji njeri kaos, nji nebule elementesh t’hutueme; unë qi lëvizë n’mes botnave t’mbarueme — njerëzve t’ligjeve t’kompletueme e rregullave t’pâqa, t’cilëve mendimet iu janë të ndame në klasa, t’cilëve andrrat iu janë t’radhituna, e t’cilëve vizionet iu janë t’regjistrueme e t’pranueme.
Virtytet e tyne, o Zot, janë t’matuna; mëkatet e tyne janë t’peshueme, e edhe gjanat qi s’numrohen e qi kalojnë nër muzgun e zbehtë, qi s’janë as mëkate e as virtyte iu janë të regjistrueme e t’futuna nër regjistra. Ktu ditët e netët janë t’ndame n’sezone t’edepit e t’qeverisuna prej ligjeve t’patëmeta të përpikmërisë.
Me ngranë, me pi, me ba gjumë, e me e mbulue lakuriqsinë, e masnej me u këput n’kohë t’caktueme. Me punue, me luejt, me kandue e vallzue, e masnej me u shtri e me ndejt pa levizë kur ora nxen vaktin. Me mendue ksisoji, me ndi kaq shumë, e masnej me përfundue mendimin e ndijimin kur nji yll i caktuem lind atje naltë, matan horizontit. Me e skllavnue komshinë me nji buzëqeshje, me dhanë dhurata me nji fisnikëri përderisa e lëvizë dorën, me urtí me lavdue, me kujdes me qortue, me e çkatrrue nji za t’nji fjale, e me nji frymë me e zjarrmue nji trup, e masnej me i la duert kur puna e ditës ka mbarue.
Me deshtë në bazë të nji rregulli t’caktuem, me e kënaqë veten në trajta të paramendueme, me adhuruem zotnat me hije, me i intrigue shejtanët me zotsi arti, e masnej me i harrue t’gjithë sikur t’ket vdek kujtesa. Me dëshirue me nji motiv, me soditë me konsideratë, me qenë i lumtun ambëlsisht, e me vuejt fisnikërisht — e masnej me e zhbrazë kupën qi nesër me e mbush edhe njiherë.
Krejt kto gjana, o Zot, janë t’krijueme me paramendim, t’linduna me përcaktim, t’ushqyeme me saktësi, t’qeverisuna prej ligjeve, t’drejtueme prej arsyes, e masnej t’bâme kurban e t’varrosuna mas nji mënyre t’përshkrueme. E edhe në varret e tyne t’qeta mu në brendinë e shpirtit t’njeriut janë t’shenjueme e t’numrueme.
Nji alem i përkryem asht ky, nji botë qi konsumohet prej përsosmërisë, nji botë me mahnitje madhështore, ma i pjekuni fryt në kopshtin e Zotit, nji gjenialitet i universit.
Po pse, pse duhna me kanë unë këtu, o Zot? Unë nji farë e njomë e afshit t’pa ngopun, nji shtrëngatë e çmendun qi s’kërkon as lindje e as perëndim, nji fragment i hutuem në nji planet t’zjarrmuem?
Pse jam unë këtu, o Zot i shpirtnave t’humbun, Ti qi n'mes zotnave m'je humbun?
Xhibran Halil Xhibrani, I çmenduni (përkthim i pabotuem)
Përktheu: Trandofilishta (2021)
Tags: Alemi i perkryem, Khalil Xhibran shqip, Khalil Gibran shqip, The madman, I çmenduri