Kur t’i afrohenë ç’i thotë gjyli gjylit?
Neve kundërmojmë apo ajo hënë?
I prishet mendja të shkretit bylbylit,
Dhe e lë përgjysmë këngën që ka zënë.
Si bandill i djegur vështron në sy.
Mendohet cilin do, gjylin apo ty?
Afsh’i gjivet tu është era e gjylit,
Dy faqet e tua i dhan’ atij ngjyrë,
Cullufet e tua lulet e zymbylit,
Je vetë bukuria e kopshtit ku ke hyrë.
Pra ka hak bylbyli të shikojë me sy,
Ta lërë trëndafilin, të këndonj për ty!
Të këndonj për buzëtë të kuqe shafran,
Të këndonjë për ballin që nuk zbehet kurrë,
Të këndonjë për vetullat të shkruara gajtan,
Qerpallat si shigjeta në sytë me nurë!
S’habit i shkretë ka ngulur ata sy
Nuk di se ç’të thotë ç’të këndonjë për ty?
Të këndonjë për faqet, të këndonjë për supat,
Për krahët e llërët dritë dhe ergjënd.
Të këndonjë kraharorin, për ato dy kupat,
Që një botë të tërë e kanë lënë pa mënd.
Të këndonjë këngën e vetme pa të dytë,
Eja shpirt te ashiku, bandilli i yt.
Shënime:
gjyl - trëndafil; bandill - djalosh i pashëm e i këndshëm; cullufe - flokë.