Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Sheh Ahmed Shkodra (1881-1927)
Jetëshkrim në vargje i Sheh Ahmed Shkodrës
1.
Çunen zâ lule-qershijet,
Gzushëm n’vesh t’nji drandofilet,
Vehabi 1 na ka pru’ haber,
N’Shkodër, dashni Ai don me mjéll’!
2.
Zgjedh’ Ai ka do edeplij 2
faren e mirë me ia çil’ n’gji.
Imamë e shehlerë ndër breznî,
nur nen nur, zotnia i tij.
3.
Kaderi n’emën shkru’ iu la:
dy t’fisëm me dasht’ e nderu’.
Njenit “Dritë t’Gjithsi’s” i tha
e tjetrin, “pir” me e naltu’.
4.
Ai qysh n’njomî diktu’ u pat,
për mençunî me kend s’u mat.
Haxhi Halimit mbas iu vu’,
Islamin bukur me ia msu’.
5.
Etja e tij ama ka kenë,
për nji fuçi t’madhe me vénë 3.
E kjo etje me ujë s’shuhet,
andaj n’vreshta u nis, thuhet.
6.
Shkoi bash n’zemër t’mejdanit
Zemër-çil’ karshi Sulltanit 4
Me dek’ pa dek’ ka pas nijet,
Siç ka urdhnu’ Resuli vet.
7.
N’tokë t’sirreve poq imanin
Bash shtatë vjet larg pat vatanin
Shpirt’e mendje ndritoi n’Persi
Drit’ e dije me pru’ n’Shqipni.
8.
T’naltë Madhnia jeretisi 5
Qeramet 6 n’at’ ashik ka ba.
Ashkun me Nur ia qendisi
Zemrat njom’ n’dashni i ka.
9.
Me dritë t’mendjes ai pagzoi
Bijt’ e Shkodres kur u kthy-e
myderriz 7 punen filloi,
N’hoje zemrash zgjidh do nyje.
10.
Lum’ Xhennetit prej t’tijes gojë,
arabishtja e Kuranit.
T’osmanv’e t’persve fjal’ msoi,
ama shqip i kndoi t’Madhit.
11.
Imam e hoxhë, n’hapa t’parve
i priu paq besimtarve.
N’Shkodër nji lum me fisnikrî
rrjedh’ pa ndal’ prej atij zotnî.
12.
Nen kët’ lum nji vullkan ish msheh,
vullkan vénet, oh, nji dyrnjâ
n’ashk t’Vedudit 8 tuj prit me deh.
Mall pesh’ me çu’, hatân’ me bâ…
13.
Sheh Musaja i Gjakovës
çoi ujë zjermit me i shtu’.
Ixhazetnamen 9 prej Kosovës,
Shkodren n’ashk me e lulzu’.
14.
Sheh i naltë Ahmedi u bâ,
perdja iu hoq atij me pâ.
Sejjidin Ahmed tu e madhnu’,
n’ashk me vulë t’Rifais me rrnu’.
15.
Rrug’e dashnis’ e lehtë t’kish kenë,
tân’ asaj ia kishin pas ngén’.
Ama n’gonxhe n’daç ti me hy’,
do ferra duhen kapërcy’...
16.
E as ai t’lehtë s’e kish,
me ec pa u ther’ n’drandofilishte,
ama sirr 10 i Rifais ish,
shpimi n’trup, punë nuk i prishte.
17.
Sabërtor 11 e tân’ matunî,
shigjetat i priti bash n’gjî.
E n’kët rrugë ne daç me pri’,
âmël t’vjen bile ajo breshnî.
18.
N’Tophanë t’Shkodres nji erë u ndi’,
deren çîl’ la ai Rifai.
Teqe bâni t’veden shpi,
n’ruhanijet 12 mblu’, aty me pri’.
19.
Shkodra me mure s’ish rrethu’,
driten n’vedi me ia kaplu’.
N’tân Shqipnin’ nuri iu derdh,
nuri Rifai der’ n’Toskni erdh’.
20.
Péna e tij kish nxjerr veç ar,
melekt’ kishte ai haberdar 13.
Imanin 14 tand n’daç me beku’,
letrat nisja me ia lexu’!
21.
Njizetetri libra ka lân’
shpirtit t’shpirtit krahë me i dhân.
Zemren n’devër 15 me ta sjell’,
n’sferat e nâlta me ta përcjell’
22.
Dashnin’ e tij për vatanin
nji e kishte me imanin:
Ai njiherit kishte ba bé,
për besimin e për atdhe.
23.
N’zemër t’tij çerdhe paten bâ
dy dashni t’mdhaja sa s’ka.
Shqiponj’ dykrenash nderu’ ish,
emna t’Ehli-Bejtit n’trup kish.
24.
Beku’ ish tân’ njerzîa,
kush shpirtin lshoi te ai zotnîa.
Qerametet e tij kur pân’,
me dyja durt’ dorzu’ iu kân’.
25.
N’turrë t’druve sherbes hyni,
n’at’ zjerm pa iu dridh’ as syni.
Ibrahimi ujë i pat dhân’,
n’sytë e lig’ me dëshmu’ imân.
26.
Zâ i tij n’vite ushtoi
zemrat peshë për hajr i çoi.
Dritë e tij s’u shu’ n’at’ dimën,
zemren Shkodres kur pat dridhun.
27.
Pranverë kur Zoti e ka pru’,
çili ashkun n’zemër me kndu’.
Dimën i ftoftë qe e i zi
Shkodren vetëm kur e la ai.
28.
Me t’Dashtunin ai u taku’,
mbas nji jetet n’mall tu rrnu’.
Për dashni t’atij ashikut,
Miku driten n’tokë s’ia fiku.
29.
Me shekuj mrapa ka me gzu’
zemra që prej urtisë s’tij u trazu’.
Rahati s’ka mâ, e mos prit,
vén’ prej atij si t’kesh hedh’ n’fyt.
30.
Tyrbes s’tij afër tu i shku’,
zemër-mjera nis me piku’.
Amanetin n’vend me ia çu,
shpirtin n’ziqr nis me rrotullu!!
_________
Shënime të fjalëve
1 Vehabi - “Dhuruesi”, i referohet një ndër 99 emrave të Allahut (arabisht: ٱلْوَهَّابُ)
2 Edeplij - njerëz me edep (moral të lartë / edukatë; arabisht: أدب)
3 Véna - vera: në traditën shpirtërore islame përfaqëson dashninë (hyjnore) me të cilën ashiku dehet.
4 “Sulltani” përdoret për t’iu referuar sulltanit të zemrës së ashikut — Zotit të tij.
5 Jeretisi: krijoi
6 Qeramet: mrekulli
7 Myderriz: profesor/mësues
8 Vedudi: “Ai që dashuron”, i referohet një ndër 99 emrave të Allahut (arabisht: ٱلْوَدُودُ).
9 Ixhazetname: vërtetim-leje. Në rastin tonë bëhet fjalë për ixhazetnamen që merret për t’u bërë sheh. Dervishët këtë e marrin zakonisht nga një sheh tjetër, i cili gjykon se dervishi në fjalë ka arritur gradën e mësuesit shpirtëror.
10 Sirr: (shkurt) msheftësi (shpirtnore).
11 Sabërtor: Ai që ka sabër, sabërliu apo durimtari.
12 Ruhanijet: I ngjyer me shpirt; që ka aurë të mirë shpirtnore.
13 Haberdar: Ai që sjell haber, lajm.
14 Imani nuk asht vetëm besim qysh përkthehet zakonisht, por imani asht dritë në zemër me të cilin poseduesi i tij sheh realitet shpirtnore dhe njeh Zotin.
15 Devër: rrotullim.
Komentim i poezisë
Poezia e paraqitun mâ nalt ka për qëllim vargëzimin e copëzave biografike që kena arrit me gjet’ për nji ndër figurat mâ të shqume e mâ të dashtuna nga sufitë e trojeve shqiptare, atë të Sheh Ahmed Shkodrës (1881-1927), iu shenjtëroftë sirri, i cili qe atdhetar, poet, shkrimtar, mësues, hoxhë, imam në xhami e së fundmi edhe sheh i tarikatit Rifai. Nëpërmjet saj synojmë me prezantu’ ambël lexusin me kët’ personalitet i cili dha kontribut të jashtëzakonshëm tuj shkru’ mbi shpirtninë islame (tasavvufin) në gjuhën shqipe me germa latine e jo me ato arabe, siç qe shkru’ shqipja e deriatëhershme si pasojë e qëndrimit t’Shqipnisë për shekuj me rradhë nën Perandorinë Osmane.
Sheh Ahmed Shkodra punoi s’tepërmi për me “shqipnu” tasavvufin, me thur pazgjidhshmërisht binomin atdhe-fe e me eduku' lexusat me dashninë për vatanin e me gjuhen e tyne amë si rigjallnim të k'saj të fundit. Edhe shehu jonë, bashkë me figura si Hafiz Ali Korça e të tjerë, asht hala nji thesar i mshehun ndër rradhët e mendjeve të ndrituna të myslimanëve rilindas shqiptarë, të cilët çallma që mbanin n’kry i la jashtë interesit të historianëve që përpiqen pa ndal’ me perëndimizu' revolucionet që prunen Shqipninë k'tu ku asht, duke përmend pak e aspak t’tilla figura që me punë e dije t’naltë vunen gurë t’fortë e t’qendrushëm në themelet e përparimit tonë kombtar e fetar.
N’Trandofilishte mund t’gjeni disa vepra t’Sheh Ahmed Shkodrës, të cilat ju ftojmë me i lexu'. Në kushtet e nji shqipeje hala foshnje e t’pakonsolidume, dija e tij bâni dritë tuj thur’ amël vargje t’cilat prekin shpirtin e e ushqejnë atë me dashni për fe e atdhe.
Poezia jonë, e thurun modestisht e krejt larg asaj që i dashtuni jonë, Sheh Ahmed Shkodra, meriton, shpesh përdor simbolika për me tregu' sa mâ hijshëm copëzat e jetës s’tij. Për t’tillë arsye, mendume se lipset nji komentim shpjegues e plotësues i biografisë së sufiut n’fjalë, strofë mbas strofe:
1.
Çunen zâ lule-qershijet,
Gzushëm n’vesh t’nji drandofilet,
Vehabi 1 na ka pru’ haber,
N’Shkodër, dashni Ai don me mjéll’!
Shehu jonë ka lind n’vakt pranveret, më 16 mars t’vitit 1881. Lulet e qershisë janë lajmtare t’pranverës, e n’atë vjetë, ato paten edhe nderin e dhânies s’haberit për nji peshqesh që Madhnia i Tij, Vehabi (Dhuruesi), donte me zbrit n’Shkodër, vendi ku lindi e u rrit Sheh Ahmed Shkodra. Drandofilja, nga ana tjetër, n’shpirtninë islame përdoret si simbol i dashnisë hyjnore e tuj kenë se e gjithë jeta e shehut tonë asht nji letër dashnijet ardh’ për ne prej Burimit t’Dashnisë, ashtu siç asht jeta e çdo evlijajet, ajo qe e para lule me marr' haberin e lindjes s’nji personaliteti t’tillë.
2.
Zgjedh’ Ai ka do edeplij 2
faren e mirë me ia çil’ n’gji.
Imamë e shehlerë ndër breznî,
nur nen nur, zotnia i tij.
Sheh Ahmed Shkodra lindi n’nji familje shkodrane besimtarësh n’zâ. I ati, Mulla Muhamedi (Mulla Muho), ka kenë mufti i Tuzit, imam e profesor (myderriz). Gjyshi i vet, Sheh Hasani, ka kenë po ashtu hoxhë edhe sheh. Familja e tyne ka kenë e bekume me dije fetare e me edep t’naltë. Paraardhësit e vet i përcolli në vlerat e tyne e bile ua tejkaloi për sa i përket veprimtarisë e kontributeve në fusha të ndryshme që dha gjatë jetës s’tij.
3.
Kaderi n’emën shkru’ iu la:
dy t’fisëm me dasht’ e nderu’.
Njenit “Dritë t’Gjithsi’s” i tha
e tjetrin, “pir” me e naltu’.
Shehu mbajti emnin Ahmed. Ky emën e lidhi me dy shpirtna që shumë i desht. Ahmed asht emni tjetër i profetit tonë, Muhamed Mustafasë alejhi selam. Në librin e tij me dy vëllime, “Drita e Gjithësiës”, shehu jonë derdh dritë dijet bash për profetin alejhi selam dhe titulli i librit i referohet po atij. Shehu gjithashtu ka shkru' edhe mevlud (tregimi i jetës së profetit alejhi selam në vargje). Tjetri Ahmed asht Sejid Ahmed Rifai-ja, iu shenjtëroftë sirri, themelus i nji prej dymbdhjetë tarikateve (rrugëve shpirtnore) t’Islamit. N’hapa t’tij i gjeti gjuhë shpirti e tarikati që ndoqi Sheh Ahmed Shkodra qe ai Rifai.
4.
Ai qysh n’njomî diktu’ u pat,
për mençunî me kend s’u mat.
Haxhi Halimit mbas iu vu’,
Islamin bukur me ia msu’.
Mprehtsia e mendjes e mençunia e tij u pat dallu’ që n’voglî . Haxhi Halim Jusuf Kelmendi njifet si i pari msus' i Sheh Ahmed Shkodres. Pranë tij mori mësimet fillestare dhe ato t'mesme fetare.
5.
Etja e tij ama ka kenë,
për nji fuçi t’madhe me vénë 3.
E kjo etje me ujë s’shuhet,
andaj n’vreshta u nis, thuhet.
6.
Shkoi bash n’zemër t’mejdanit
Zemër-çil’ karshi Sulltanit
Me dek’ pa dek’ ka pas nijet,
Siç ka urdhnu’ Resuli vet.
"Dek pa dek" asht hadith i mirënjohun i pejgamberit alejhi selam n'mesin e sufive.
7.
N’tokë t’sirreve poq imanin
Bash shtatë vjet larg pat vatanin
Shpirt’e mendje ndritoi n’Persi
Drit’ e dije me pru’ n’Shqipni.
Dëshira e flaktë e shehut tonë për dije të thella e mistike n’fenë islame paralelizohet me etjen për vénë. Véna në traditën shpirtërore islame përfaqëson dashninë (hyjnore) me të cilën ashiku dehet. Nji etje e tillë nuk shuhet me ujë (dije të cungume n’kët' rast) a diçka të ndryshme prej vénës që t’deh e t’dalldis. Shpirti i ashikut vetëm me atë vénë gjen rahati. Për me i çil deren ksaj dashnie e me shku' me gjet’ vénën e tij, Sheh Ahmedi niset për n’atë tokë t’bekume t’Persisë, vendin e lindjes s’shumë e shumë mistikëve islamë. Atje qendron e studion për 7 vite rradhazi. Siç vetë biografia e tij e tregon, atdheu i fjeti gjithnji n’shpirt. Dijen që mori atje, e bâni dritë për t’vedin vend.
8.
T’naltë Madhnia jeretisi
Qeramet n’at’ ashik ka ba.
Ashkun me Nur ia qendisi
Zemrat njom’ n’dashni i ka.
Po t’lexojmë poezitë e Sheh Ahmedit, arrijmë me ndi amëlsinë me t’cilën përcjell dijet e tija e ashkun që ia ka mbush zemren. Gjuha e tij asht e aftë me t’afru' aq natyrshëm zemren me profetin Muhamed alejhi selam e me figurat e ehlibejtit e të evlijave.
9.
Me dritë t’mendjes ai pagzoi
Bijt’ e Shkodres kur u kthy-e
myderriz 7 punen filloi,
N’hoje zemrash zgjidh do nyje.
Pasi kthehet n’vendlindje shërben si msus' besimi në shkollën fillore n’lagjen Parrucë. Njiashtu shërben si profesor në universitetin “Haxhi Seheh Shamia” të Shkodres.
10.
Lum’ Xhennetit prej t’tijes gojë,
arabishtja e Kuranit.
T’osmanv'e t’persve fjal’ msoi,
ama shqip i kndoi t’Madhit.
Sheh Ahmed Shkodra gjatë jetës s’tij përvetësoi disa gjuhë të huja, prej tyne: arabishten, osmanishten, persishten. Pavarsisht ksaj, veprat e tij gjinden në shqipe të shkrume me germa latine.
13.
Sheh Musaja i Gjakovës
çoi ujë zjermit me i shtu’.
Ixhazetnamen 9 prej Kosovës,
Shkodren n’ashk me e lulzu’.
Për me ushtru' rolin e shehut në tarikatin Rifai, duhet ixhazetnameja, hilafetnameja apo vërtetimi-leja, siç duhet edhe te tarikatet tjera, të cilën Sheh Ahmed Shkodra e mori në Gjakovë, nga shehu i mirënjohun Haxhi Sheh Musaja. Mexhid Yvejsi, rahmet pastë, kallxon se Haxhi Sheh Musaja (1855-1917) ka kenë burrë i ditun e i ndritun. Ai kish studiu' në Stamboll ku prej Sheh Ibrahimit të Teqes së Rifaive në Stamboll kish marrë hilafetnamen dhe ish dërgu' si sheh në Gjakovë në vjetin 1875, ku edhe ish pritë me dashamirësi. Në vjetin 1882, Haxhi Sheh Musaja, me ndihmën e disa ylemave të Gjakovës e të popullit kish ndërtu' nji asetane apo "nânë të teqeve" të Tarikatit Rifai, ku mbas Sheh Musasë, si sheh ka shërby' evlati i tij, Sheh Adem Nuri (1896-1938) e mandej Sheh Danjolli (1911-1981), Sheh Lutfiu e Haxhi Sheh Masari.
16.
E as ai t’lehtë s’e kish,
me ec pa u ther’ n’drandofilishte,
ama sirr 10 i Rifais ish,
shpimi n’trup, punë nuk i prishte.
Në fillim, Sheh Ahmed Shkodra, për veprimtarinë e tij pati ofendime, sulme, kundërshtime, por me anë t'durimit, besimit t'palkundun, mençunis' e matunis' s'tij, Tarikati Rifai filloi me u përhap nga Shkodra, n'Gegnî e mandej edhe n'Tosknî. K'to vështirsi që shehi ka has, paralelizohen me ferrat e drandofilishtes n'poezi. Ky shpim metaforik prej ferrave lidhet me nji sirr t'ktij tarikati. Tarikati Rifai njifet për ritualin e shpimit të faqeve apo vendeve të tjera të trupit. Disa, ama, argumentojnë se ky nuk asht ritual i mirëfilltë i këtij tarikati.
18.
N’Tophanë t’Shkodres nji erë u ndi’,
deren çîl’ la ai Rifai.
Teqe bâni t’veden shpi,
n’ruhanijet 12 mblu’, aty me pri’.
Sheh Ahmed Shkodra e hapi teqen n'shpin' e tij në Shkodër, përkatësisht në lagjen Tophanë. Pra, aty u bâ nji votër shpirtnie ku dervishët myslimanë vijshin, krahas gjanave të tjera, krynin edhe ritualin e ziqrit.
20.
Péna e tij kish nxjerr veç ar,
melekt’ kishte ai haberdar 13.
Imanin 14 tand n’daç me beku’,
letrat nisja me ia lexu’!
21.
Njizetetri libra ka lân’
shpirtit t’shpirtit krahë me i dhân.
Zemren n’devër 15 me ta sjell’,
n’sferat e nâlta me ta përcjell’
Mexhid Yvejsi shkruen se në vjetin 1926, në ribotimin e librit Këshilli i Atëdheut, Sheh Ahmedi informonte lexusit për librat që ishin hazër për t'u shtyp'. Atëkohë lista përmbante 22 tituj, si:
1. Të ramit e të Madhit t’onë në bark të Nanës
2. Të lemit e të Madhit t’onë e madhniet e tij
3. Të njitunit e të Madhit tone në Qiell
4. Zani i Dervishëve (1933)
5. Zani i Rifais
6. Istoria e Ehli Bejtit…
7. Këshilli i Dervishit
8. Zani i Alisë
9. Të lemit e Imam Alis
10. Ligjet e Rifaiive
11. Fabrika e Zotit (qoftë livdue)
12. Fabrika e vogël
13. Shekulli i vogël
14. Të lemit e gjithsis me kunorë të Perendis
15. Këshilla të nalta (filozofina fetare)
16. Të lemit e Zojë Fatimes
17. Mrekullinat e plakut t’onë
18. Rregulli i qeveris (hija e Perendis)
19. Madhnija e Naltsija e Ehli Bejtit
20. Barka e Nuhit (lavdi qoftë mbi të)
21. Rruga e drejtë, Kur’ani e Ehli Bejti
22. Këshilli Kombëtar
"Dy" tituj që nuk janë në listën mâ nalt janë edhe:
23. Drita e Gjithësiës (1923) & Drita e Gjithësiës (1936)
23.
N’zemër t’tij çerdhe paten bâ
dy dashni t’mdhaja sa s’ka.
Shqiponj’ dykrenash nderu’ ish,
emna t’Ehli-Bejtit n’trup kish.
Nëpërmjet mjeshtërisë së kaligrafisë arabe, Sheh Ahmed Shkodra kish punu' flamurin kombëtar shqiptar, ku në formë shqiponje kishte shkru' emrat e Ehli-Bejtit, apo familjes së pejgamberit alejhi selam, si: Hazreti Aliut, hazreti Fatimes, hazreti Hasani dhe Hysejnit, paqja e Zotit qoftë mbi ta.
24.
Beku’ ish tân’ njerzîa,
kush shpirtin lshoi te ai zotnîa.
Qerametet e tij kur pân’,
me dyja durt’ dorzu’ iu kân’.
Dy rreshtat e fundit t'k'saj strofe i referohen historisë së Lutfi Kondit, t'tregume nga Zaho Golemi, që vijon e tillë: asht fakt se Lutfi Kondi, pasi pa nji qeramet të Sheh Ahmedit, bashkë me nji koleg ushtarak nga Vlora (Kodhel Zilja) dorëzunen gradat, uniformen, armët dhe u dorëzunen dervishë tek Sheh Ahmet Shkodra. Por ngaqë ishte bektashi, Lutfi Kondi i qëndroi besnik bektashizmit dhe besëlidhjen e mbajti deri n'fund të jetës edhe pse më 1967 besimet në Shqipni u ndalunen me ligj. Dervish Lutfi Kondi prehet n'varrezat e Gjirokastrës. Lutfi Kondi ka kenë bektashi nga familja, por ka shërby' n'vitet e hershme t'tij si ushtarak në periudhën e mbretnisë.
25.
N’turrë t’druve sherbes hyni,
n’at’ zjerm pa iu dridh’ as syni.
Ibrahimi ujë i pat dhân’,
n’sytë e lig’ me dëshmu’ imân.
Sipas gojëdhënës që kemi ndigju', Sheh Ahmed Shkodra, nji ditë prej ditësh hyn në debat me disa priftrinj t'krishterë e t'tjerë. Tuj kenë se gjatë muhabetit, shehu provokohet prej tyne me dëshmu' besimin e tij apo me shpërfaq' qeramete t’udhës s’tij n’sytë e klerikve, si mnyrë kjo për me bâ t’prekshme madhninë e fesë Islame e cila deri m’atë herë për to qe asgja pos nji seri e pafundme ritualesh, i vjen vakti nji ndodhiet t’rrallë, t’dëshmume nga sytë e vendasve e t’përcjellun gojarisht brez mbas brezit. Shehu jonë bashkë me klerikt shkojn' n’lagjen Tophanë t’Shkodres. Aty ndodhet nji furrë drush, temperatura n’dhomën e së cilës asht e papërballushme nga njeriu. Qetësisht, i thotë shoqnusve t’tij me hy mrend e me pâ nëse besimi i tyne ka me mundsu' që ato me i rezistu' temperaturës s’naltë n’dhomë. Klerikt' e shofin me dyshim, t'befasum me kët' kërkesë praktikisht t’pamujtun me u realizu' që i bâni shehu. Mbas refuzimit t’tyne, shehu hek mantelin që mbante vesh’ dhe me besim t’palkundun n’Zotin e tij, pa iu dridh as qerpiku, futet mrend n’dhomë, mbyll deren dhe fillon i qetë me fal namaz e me ba ziqr. Mbas njifarë kohet, del nga furra e druve, po ashtu si hyni, i pandikum nga rrethana të cilat n’t’zakonshmen asht e pamujtun me i përballu'. Ngjashëm me Ibrahimin alejhi selam, Zoti i dhuroi qerametin e mbrojtjes nga zjermi: Ne thamë: “O zjarr, banu i ftohtë e shpëtim për Ibrahimin!” (Kuran, surja Enbija (21), ajeti 69). T’gjithë sa po e pritshin jashtë, t’shqetsum për te e kureshtarë me dit ç’po ndodh, mbeten gojëhap’ nga mrekullia që sapo dëshmunen, ku shehu doli prej turrës s'druve t'ndezun fort pa u djeg dhe duke shu' zjermin e furrs. Ky njifet si “qerameti i furrës s’druve”, nji ndër ngjarjet mâ kulminante n’historinë e Sheh Ahmet Shkodrës. Nëse keni dijeni mbi variante t’tjera mbi kët’ ngjarje apo mâ shumë detaje rreth saj, luteni me na shkru'!
30.
Tyrbes s’tij afër tu i shku’,
zemër-mjera nis me piku’.
Amanetin n’vend me ia çu,
shpirtin n’ziqr nis me rrotullu!!
Zijareti apo vizita e tyrbeve të njerëzve të mirë asht shenjë dashunie dhe edepi ndaj mirësisë e dashunisë që kanë lanë në kët' dynjâ. Ashikt’ shkojnë e bajnë zijaret me rikujtu', me kndu' ndoj elham (suren e parë të Kuranit) për shpirtin e të ndjerit por jo vetëm. Shpesh kur kaplon malli, ashikt’ shkojnë edhe i vizitojnë varrezat e të dashtunve për me u çmall e me i rikujtu' amanetet e marruna prej tyne. Evlijatë e Zotit nuk lajnë tjetër amanet përpos ziqrit (kujtimit të Zotit), dashnisë e dijes hyjnore. Biles Sheh Ahmed Shkodra, qysh kallxon Islam Dizdari rahmet pastë, e kishte zakon t’i këshillonte të gjithë me ba ziqr edhe mos me i lanë shartet e imanit edhe islamit. Ai shpesh e citonte ajetin e dhjetë të sures Xhuma (62) që thotë:
Vezkurullahe kethiran lealekum tuflihun
Ban Allahin ziqr shumë që me gjetë shpëtim
Prandej ashikt’ zaten nuk kanë tjetër rikujtim amaneti përpos vazhdimit të ziqrit, ashkut dhe nxanjes së dijes hyjnore.
Për dashamirët e shehut dhe ashikt’ që kanë dëshirë e mall me i ba zijaret, tyrbja i gjendet në lagjen Ndocej të Shkodres. Atë ia ndërtoi zonja Xhevahire Sadria nga Mali i Zi. Tyrbja vazhdon të vizitohet e nderohet me lutje e mall nga ashikt’ e udhës shpirtnore. Kështu dona me e përmbyll' kët' shkrim tu e lutë Zotin mos me i lanë kto troje pa miqtë (evlijatë) e Tij dhe mos me na lanë as neve pa miqësinë e hyrmetin e tyne. El Fatiha!
Shkroi: B. H. dhe Trandofilishta (3 muharrem 1447/28 qershor 2025)
Bibilografia
Dizdari, Islam. "Sheh Ahmed Shkodra: Mendimi i tij mistik". Revista Etika, nr. 30, 2010, fq. 14-17.
Yvejsi, Mexhid. "Shejh Ahmed Shkodra (1881-1927)" Nur Islam, 24 maj 2009.
Fotografia në sfond: Ilustrim në xhaminë e Et'hem Beut, Tiranë.
Tags: jetëshkrim, jeteshkrim i ahmed shkodres, jeteshkrim ahmed shkodra jeteshkrim