Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Hëna plot pesëmbëdhjetë,
N' anët të qjellit po ndrin,
Bota është gjith' e qetë,
Gjësendi nuk' pipërin.
Qielli ësht' i qëruar,
I kulluar po si ari,
I fjetur e i qetuar,
Syri s' nginjetë së pari.
Ka rrjedhurë si uj' ergjëndi
Më të gjith' anët një dritë,
Dhe prej soje gjithë vëndi
Është bërë posi ditë.
Buruar një uj' i artë,
E dhen' e ka xbukuruar,
Majat' e malit të lartë
Dhe gërxhet i ka zbardhuar!
Mi brigj' e mi shesh' e drurë,
Dhe përmi det drita bije,
E mi shkëmbënj e mi gurë,
Dhe vise që jan' në hije.
Nata është fort e qetë,
Dhe gjith' i ka zënë gjumi,
Vetëm përrenjt' e rrëketë
Ligjërojnë, edhe lumi,
Që oshëtin duke shkuar,
Nxjer një zë plot ëmbëlsirë,
Dhe ikën duke kënduar,
Sa vete bukur' e mirë.
Veriu fryn pakë nga dale,
Njerës, kafshë, shpes' e fletë,
Pyje, shkëmbinj, fusha, male,
Të gjithë janë të qetë.
Maji ka sjellë nga Zoti,
Shumë bekim e urata,
Është zbukuruar moti,
Dhe n' ar' është veshur nata.
Lulet kanë lulëzuar,
Vjen një erë fort' e mirë,
Drurëtë janë ngarkuar,
Dhe barratë kanë mbirë.
Dhitë, kecërit e dhëntë
Edhe shqerat jan' tulitur,
Rrinë zgjuar vetëm qëntë,
Nëpër ledhe janë shtritur.
Se nga dëgjonet thëllëza
Që thotë tri katër fjalë,
Nëpër brinj' e nëpër rrëza,
Dhe deti ka pakë valë.
Një zë tjatër tani dëgjonj!
Që zëmrënë m'a përvëlon!
U-doqçë, mê s' munt të duronj!
Bilbili ka zën' e këndon!
Qiej, yj e dhé, pushoni,
Tani juve kush u dëgjon,
Vini veshn' edhe dëgjoni,
Bilbili, bilbili këndon.
O bilbil! e di se ç' dua,
Andaj zëri i bukur yt,
M' a dogji shpirtinë mua,
Edhe gjumë s'më hyn në syt!
Burimi: "Lulet e Verësë"
Fotografia: Varri i Naim Frashërit pranë teqesë së Merdivenköy në Stamboll, aty ku u varros fillimisht.