27 Shtator 2021
Më poshtë do të gjeni një intervistë të shkurtër me zonjën Marie Lasgush Poradeci të cilën e falenderojmë nga zemra që iu përgjigj ftesës sonë për zhvillimin e kësaj interviste.
Lasgush Poradeci me Maria Poradeci (Gusho) dhe Kostandina
(marrë nga KultPlus)
Pyetja 1: Si do t’i përshkruanit poezitë e babait tuaj?
Poezia e babait tim është hyjnore, sepse kur ai shkruante poezi e kishte shpirtin të shenjtëruar. Çdo poezi e tij është një xhevahir dhe xhevahir është çdo varg i poezive të tij. Xhevahir janë edhe fjalët e poezive të tij. Lasgushi thotë: “Poezi mund të shkruash shumë pak se ku t’i gjesh gjithë ato xhevahirë. Poezia duhet të jetë cilësi, jo shumësi. Mos ki frikë se ke shkrojtur gjatë gjithë jetës tënde dhjetë poezi. Frikë të kesh po të kesh shkrojtur njëqind poezi."
Pyetja 2: Cilat janë disa nga poezitë e tij më shpirtërore dhe a mendoni se qe frymëzuar nga ndonjë rrymë/rryma shpirtërore specifikisht?
Poezinë nuk e bën as klasiçizmi, as romantizmi, as realizmi, as surealizmi, as natyralizmi, as kubizmi, as izma të tjera. Poezinë e bën humanizmi. Poezia shpreh shpirtin e njeriut dhe s’mund të jetë vetëm se realiste. Vetëm poezia që ka si temë të përbrëndëshmen e njeriut rron. Poezia duhet të ketë universialitet nëpërmjet kontemporanitetit, se kur vdes kontemporaniteti ngordh edhe vlera e asaj poezie.
Pyetja 3: Cila është poezia juaj e preferuar nga babai juaj?
Kryesisht është e gjitha. Po mund të shkëpus disa. Unë i di pothujase të gjitha përmëndësh. Për ju, po shkëpus njerën:
Trashëgimi
Ju më lini të flas unë,
T’u them fjalë vjershërije,
Në bunacë a në furtunë
Të këndoj siç më ka hije.
Hija ime nuk di dhunë,
Di veç frymëzim lirije,
Dhe di punë, punë, punë,
Mund pa fund për art magjije.
Që të them nga ç’pata shkruar
Me kuvënd të përvëluar:
Ja! një iskër mjeshtërije,
Ja! një iskër bukurije.
Dhe t’a shoh të pasqyruar
Vetëveten fije-fije,
Fije-fije poezije,
Që mban erë Shqipërije.
Pyetja 4: Ç’këshillë mendoni që vlen të përmendet për brezin e ri kur flasim për rëndësinë e poezisë?
Lasgushi gjithmonë thoshte: "Përpara të gjithave është poezia. Ajo formon shpirtin e kombit. Një libër me një roman është një libër bashkëbisedimi, ndërsa një libër me poezi është një libër formimi. Me vargjet e Marsejezës në gojë dhe me vargjet "Për Mëmëdhenë, për Mëmëdhenë", bashkoi burra se s'ka me prit…. janë vrarë njerëz dhe janë fituar beteja. Prandaj duhet të shkruajmë poezi jo të mirë, po shumë të mirë. Jo të lartë, po shumë të lartë, shumë të fellë, shumë të gjerë, që t’i vemë shpirtit të kombit themele të shëndoshë."
Pyetja 5: Sa mendoni se kanë ndikuar punimet e babait tuaj në mënyrën se si e shihni të bukurën, artin dhe poezinë?
Tani që po merem me arkivën e babait tim jam lumturuar. Sepse lumturia për mua është kur realizon atë për të cilën je thirrur. Në arkivën e babait tim kam mësuar dy mësime fantastike që vijnë nga historia: E para: “Njih vetveten”, dhe e dyta “Respekto masën”. Duke shfletuar arkivën e babait tim kam njohur vetveten, pra atë për të cilën jam thirrur d.m.th kam arritur lumturinë. Dhe përpiqem të respektoj masën duke ditur se në momentin që nuk respektojmë masën kemi përgatitur shkatërrimin tonë. Faleminderit.
Tags: Marie Lasgush Poradeci, Lasgush Poradeci, poezi shqiptare, kulturë shqiptare, art shqiptar