Lulet lulëzuan
me të parë djellë
kushedi ç’duruan
që kur janë mbjellë.
Që kur u përzien'
me rër’ e me ujë,
dhe u lagn’ e u lyen
pa bujë e rrëmujë.
Pa zë psherëtimi,
zë e vaj të kotë,
i ngurroj thellimi
nënë dhen’ e ftohtë.
Edhe balt’ e ndotur,
edhe llum’ i ndyrë
i patnë përlotur
me ngjyrë e mënxyrë.
Ato piperonin
me një sulm i qetë
dhe mbinin e shkonin
që përposh përpjetë.
Që ngaj errësira
brenda në dhe thellë
ndillnin krejt të lira
dritën edhe qelltë.
Sa me rënd’ i mbante
rrënj’ e balt’ e nxirë
dh’ i tërhiqte e s’i ndante
për në fundësirë,
Dhe sa m’i padukur
edhe sa m’i zjarrtë
ishte sulm’ i bukur
për në qiejt’ e lartë,
Aq më lirë e fshehur,
dh’ aq më me ngadalë
rritnin pa pandehur
sulmin e pandalë
Dhe ja, ndizet era
mbi barishte e bimë!
Ja! Qesh pranëvera
nëpër ngashërime!
Ja! Sa lul’ e qetë
çeli gjinë e sajë,
përmbi degë e fletë
atje lart në majë!
Poezia: Lasgush Poradeci
Piktura: Paul Leroy