Fyelli i barive
Fyelli i barive,
Jehon nder kto zalle
Si malit âshtu vrrive,
Me kângë e me valle.
Me Zâna të shitueme,
Pranë lumit e sheut;
Me Oren të zânueme,
Për të bukren e dheut.
Me vallet qi këndojnë,
Livdojnë bukurin;
T'vërtetën tregojnë,
Ndjellin dashtunin.
Dashtunija e zjartë,
Zêmrën thellë e prek;
Bukurija e naltë,
Me shijë e tërhjek.
Shpesh herë bukurija,
E naltëson njerin;
E çon ke dashtunija,
Kû i rrëfen Tanësin...
Zblohet msheftësija,
Dhe misteri i lartë;
Ngritet Perëndija,
N'kuptimin mâ t'kjartë!...
Sa të ndrisë e vërteta,
Për hirë të dashtunis;
Pasqyrohet jeta,
Në lumni të bukuris.
Kushdo qi u shëndritë,
Shpirtin e shpetoj;
Me t'vërtete u ngritë,
Vdekjes nuk i mpshoj.
Ç'm'at' kohë xûe me u ngjallë,
Mrekullija në botë;
Për dashtni e mallë,
E veprim mâ të plotë.
Pra, i kjofshim falë,
T'flijuemit për besë;
Për virtyt e fjalë,
Shpirti-Shêjtë qindresë!...
Lajmi i derguem,
Vjen nga ana e t'Zotit;
Me fakt i dishmuem,
Si mbas ligjve të motit.
N'provë, n'disi, n'vullndet,
Kndellet shpirti i qetë;
Shtiellet me i pushtet,
Qi s'ka t'mêmë, as të mbetë.
Filli i filluem,
Gjithnji âsht n'vijim;
Si afsh i amshuem,
Ndihet n'rruzullim!...
Kjo botë âsht pasqyrë,
Ç'do gjâ duket n'jetë;
Vetëm ka dy ftyrë,
T'rrêmë edhe t'vërtetë...
Pra, t'gjurmojmë m'njên'anë,
T'vërtetën tu'ndjekë;
T'rrêmat duhen lanë,
Me Hyjni me u pjekë!...
Kush e ndjek ket sektë,
Aj, ka me u shelbue;
S'bâhet shêjt me predkë,
Veçse tu' veprue...
Shêjtnija n'veprim,
Ka kênë dhe do t'jetë;
Pra, çdo fé n'parim,
Drejtësin do t'a ketë.
Drejtësija e vërtetë,
Paqë âsht për gjithsin,
Shperblimin do t'ketë
Nji për të tanë njerzin!...
Vrejtje: Në Dhantin Hyjnore miku mâ besniku âsht mistiku!...
Revista "Fyelli i Baríve: Jone shpirtnore" - Tiranë, 1943.
Fotografia: Theth, Shkodër - Nurjona Pinguri