Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Nj' errësir' e tmerrshme botën kish mbuluar
Nga gjith anët kombet kjenë turbulluar
S'kish mbetur gjikundi nji moral i bukur
Diturija, feja fare ishte çdukur.
Vrasja, presja, therja tekdo mbretëronte
Njerzim, mëshirë askush nuk menjtonte.
Thua ishte bërë bota egërsirë
Dhe EUROPA rronte krejt ndë errësirë.
Pale ARABIJA më keq nga të tjerat
Kishin hedhur rranjë nga ç'do anë ferrat,
Gocat i groposnin prindet në të gjallë
Në ç'do vënd tërheqës bota kishin djallë.
Ligësi e madhe plakosur dynjanë
Të bijt e Ademit njeri tjatrin hanë.
Kishte perënduar diell' i njerëzimit.
Akoma s'kish lindur han' e lulëzimit.
Njitim i vërtetë që pruri Ademi
Ish ngritur me kohë humbur nga Alemi.
Në dynjat dytimi, tritimi vazhdonte1
Fletën e njitimit askush s'e këndote,
Donte nevoja të delte nji dritë
Për të zgjuar botën që kish ngel e mpitë.
Për të ndritun botën kurdo lente dielli,
Mjaft shënja u duhnë mbi tokët nga dielli.
Lumtëri e madhe dhe fatbardhësija
Vetëqeverimi, bashkimi lirija
Do lintnin së bashku tok me pejgamberë
Por këtë s'e dinin arabët e mjerë.
Kish afruar koha do të grisej reja
Do të përsëritej e vërteta feja.
Do shpëtonte bota krejt nga errësirat
Do të mbretëronin ani veç të mirat.
Gjith librat e shënjta sihariq thërrisnin
Lindjen e AHMEDIT pa-durim e prisnin,
Nga an' e BAT'HASE dielli do të lindte
Drit' e Perëndisë q'andej do të vinte.
Nat' e dymbëdhet' e Rebiul-ev-velit
Ajy yll i bukur ka zbritur prej qiellit.
Ajy shpirt i bukur e ndriçoj dynjanë
Ç'ka krijuar ZOTI mirs-ardhe i thanë.
Mirs-ardhe mirs-ardhe na prure lirinë
Shpëtove nga zgjedha atdhen, Arebinë.
Për të ngjallur zëmbrat të çoj Perëndija
Me përkrahjen t'ënde u ngjall diturija.
Nji shekull pa mbushur botën e zaptove
Me kur-an' e ZOTIT çdo vënt e shpëtove.
Përparim i motshim prej teje ka mbetur
Europa prej bijve të tu e ka gjetur.
O fis i Hashimit: nip i Ibrahimit!
O hën' e lirimit! at'i përparimit!
Të mos vinje tinë bota do shkretohej
As Zot i vërtetë nuk do të njitohej
Nga të gjitha cenet ti ke qën' i qruar
Si ke dashtur vetë o yll je krijuar.
Njeri je njeri, Perëndi je, s'themi
Po je aq' i naltë sa s'e merr kalemi.
Gjithë njerëzija ty të qofshin falë,
Shërbimet e ta s'tregonen me fjalë.
Veç se njerzimit tjater s'ke mejtuar
Vetëm për të shruar shpirtat je munduar.
Shërbimet q'i bëre O shpirt njerzisë
Tregojnë q' u çove drejt prej Perëndisë.
Sa të jetë jeta emri mbretëroftë
Dija e përparimi, atdheu lulëzoftë
Alejqes-selam them o i madhi ynë
Na ke zbardhur faqen, na ke çelur synë.
Alejqes-selam se nga shirqi na qite
Me kur-an' e naltë shpirtin na ndrite.
________
1 Nd' Arebi asi ohej kush besonte dy, kush tri e kush në qindra Perëndi. Lati Uzzaji Menati ishin tri Perëndi të mëdha.
Marrë nga revista Zani i Naltë, nr. 1, fq.7-9. Tetor 1923.
Kaligrafia në sfond: Medet Hakk (e pasqyruar)
Tezhipi i kaligrafisë së dytë: Selxhen Belgin Ballëkçë