Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Revista Njeriu, Kallnuer, vjeti 1943, nr 7
Në midis shënjës udhëzuese që asht vue mbi mbulesën e Revistës Njeriu shifet një Pikë,
prej së cillës diftohen të përhapuna rrezet e Dritës, që mbajnë në gjinin e tyne: Librin, Qarkun dhe sipër pendën. Shumë prej lexuesave të ndershëm pyesin me kurreshti mbi qëllimin e këtyne shënjave dhe prandaj me ketë artikull dëshiruem me dhanë do shpjegime rreth mbrendisë që shvillon kuptimin e vizatimeve në fjalë.
Shenja udhëzuese mbi mbulesën e Revistës Njeriu: Pika, libri, qarku dhe penda.
Po e fillojmë sot nga Pika, nga randësi e saj që ka përpara theorisë s'evolucionit, ashtu edhe para idesë së pakufishme në sferat të epistemologisë [1] dhe t'ontologisë [2], ku n'atë lidhen si substancë gjithë identitetet dhe diversitetet e çashtjeve me randësi kryesore të jetës.
Në artikullin që kemi botuem në Nr. 2-3 të kësaj Reviste, nën titullin "Në Prakun e Mystereve", kemi tregue randësin q'u epesh në kohnat e Egjyptit të qëmotshëm shkronjave dhe bashkë me këto numrave. Hermes Tothi (Shenjti Idris, a. s) me anën e këtyne iu bante të ditun nxanësve, pasardhësve të vetë ditunitë esoterike dhe eksoterike. Yjt e hapsirës ishin shkronjat e Librit të madh qielluer, që formoheshin prej pikës jetike, trupzoheshin si fjalët e fjalitë në një libër për me dhanë kuptimin e naltë të qëllimit Hyjnuer dhe ndonse shumëzohen e paksohen në dukjé të pjellmet e Pikës, kjo gjithmonë në esencën e saj qëndron si mëma e çashtjeve themelore.
Elifi (1) ose numri 1 (njëja) në trajtën figurative përbahet prej shtat pikave, në barazim me shtat yjet e botës djellore, në shtat palë qiell e tokë, në shtat ditët e javës, në shtat ngjyrat e ylberit dhe me shtat pjesët e trupit të njeriut që janë: kryet, zverku, trungu i trupit, dy krahët e dy kambët.
Elifi i përbamë prej shtat pikave
Me gjithë që dijetarët studjozë na kanë thanë se Omer Kajami nuk ka të bajë me sufizmin ndër ca pjesë të rubairave; shifet çiltazi se dhe ai Poet i madhë e dijetar i Persisë tue thellue çashtjet-mëm (questions meres) para mysterit jetik, i ka dhanë randësi kryesore Elif-it (1), për të cillin thotë:
Një qime ndan gënjeshtrën nga e vërteta,
Dhe çelës një Elif të vetëm gjeta,
Gjeje dhe ti si un' i verbëri,
Dhe nofta shkojmë drejtë të vetë jeta [3]
Omer Kajami me këtë katrore tregon se me anën e Elifit, që asht shkronja e parë në abecenë Arabishte e Persishte, mësoj shkronjat e tjera, frazët, librat dhe me anën e tyne ditunit, kështu mbeson Zotin (All-llahun, xh. xh.), pse Emni i Tij fillon me Elif, (shqip me A), difton edhe se asht monotheist. Këtu e shofim se Zotin e cillëson me Emnin "Vetë Jeta" që Arabisht e Persisht don të thotë, Hajj, i cili asht një nga nandhet e nandë Emnat e bukura të Zotit, që përmenden në Kuran.
I nalti Ali (q.v.) ka thanë: Ditunija asht një pikë, e shtuen ata që nuk kuptojnë. Unë jam pika nën shkronjën ba (ب)... Pa të vetmen pikë sikurse shkronja ba ngel pa kuptim, dhe gjithsija pa njeriun, që asht pika e përsosun e esencës së sajë, ngel e zveshun prej qëllimit final të vetin. Tue dashtun të bajë një barazim midis Librit Hyjnuer e t'atij landuer, i shenjti Ali ka thanë: "Të gjitha suret (kaptinat) e Kuranit janë të mbledhuna n'atë që asht në fillim në Seb' al-Methanin, e cilla për bahet prej shtat pjesësh, këto të gjitha mblidhen, si rezyme, në kuptimin e Besmelesë e kjo në shkronjën e parë të saj ba, por dhe kjo tretet në pikën e vetme, që i ruen substancën.
Mundet të themi pra se gjithësija asht një libër i shenjtë rruzëllimuer, një unitet i gjallë landuer e shpirtnuer, me një qendër në ngjyrë shkëlqimi e cilla asht burimi i të gjitha ngjyrave, fuqirave dhe energjive që zgjanohen e rëngjohen në trajta të dukëshme e të padukëshme përpara evolucionit qarkullues. N'atë qendër të shkëlqyeme, pikë-rranjësore, pshihet mysteri i mystereve — që po zbulohet herë pas here me anën e shkencës — dhe si një reflekt i dritës së vetë në përmbledhshmeni iu ka qenë çfaqun profetëve, shenjtve e genive me anën e dashunisë së naltë dhe të kthelltësisë shpirtnore.
Në rubain e poshtshkrueme shifet kjartazi se dhe Omer Kajami nuk i ka shpëtue dot randësis së Pikës i cilli thotë:
Pika qau pse nga deti larkë ra.
Deti qeshi t'onet jemi prap i tha,
Në t'vërtetë nuk ka tjetër zot se na,
Por nga Qarku me një pikë jemi nda.
Pa pikat deti nuk do t'ishte i dukshëm. E pra gjithsija që duket sheshi i shumësive të panumërta, nuk kishte me qenë kurrsesi në harmoni të plotë sikur elementat që e për bajnë këtë, të mos ishin të formueme në esencë prej një rrezeje, prej një pikës me të njajtë spirit e cillësina të njësueme.
Kjo Pikë e ndritun përmban bukurinë e përsosun, burimin e të gjithë të mirave dhe asht e mbulueme me shtat perde, që seicilla përmban dhetmijë të tjera, pshihet në shtatdhet mijë napa të errësueme dhe sa aqë tjera të shkëlqyeshme. Të ngritunit e të gjithë këtyne perdeve dhe t'arritunit ball për ballë me të vërtetën absolute i asht bamun kismet vetëm njeriut të përsosun. [4]
Mystikët Islam këtë sukses të përplotsuem, këtë shkallë të naltë shpirtnore, që përshëmbëllehet në dukjen e bukurive të Zotit, e argumentojnë në zbulimet Hyjnore që i janë bamun Shenjtit Musa (a.s.) kur ai e kërkonte në Malin Sina (Turi Sina).
Këtë çfaqje Hyjnore edhe Viktor Hugo-ja e ka pasë përshkrue si vijon: "Pse kërkoj me pàm Zotin tepër (së afërmi) Moisiu e humbi torruan; me t'u errësuem syt prej mënd-marrjes edhe për pakë desh ra nga maja e Sinasë në thellësinat e Humnerës..."[5]. Prap ky vjershëtar i madh frances kur nga aparati madhështor i rruzullimit tërhiqet drejt mystereve të thella të pazbulueme, randësinë e pikës e shpjegon me këtë frazë: "Le tout éternel sort de l'éternel atome"... Gjithë gjanat dalin nga atomi: pika e përjetshme.
Sufitë e Orientit mysterin e kësaj pike e kanë shpjegue si vijon: çfaqja e fuqisë së përgjithshme e Zotit prej Pikës së pshehtisë. [6]
Shejh Abdyl Ehad En-Nuriu Pikën e ndanë në trish: Pika germore (noktaji hurufanije), pika errësore (noktaji dhylymanije) dhe pika shkëlqimore (noktaji nuranije).
1) Pika e parë asht ajo që formon jashtësinë themelore: p.sh. dukjen e jashtme të atomit, shkronjat në një libër, yjet e një qielli etjera.
2) Pika e dytë asht ajo që formon brendësirën landore, fuqitë negative, p. sh. elektronet në atom, frazat në një libër, trupet në planetet e tjera...
3) Pika e tretë asht ajo e shkëlqimit që formon jetën, rezistencën e çdo sendi, pika qëndrore e gjallnisë së përjetshme, p. sh. pika qëndrore në atom që posedon fuqinë elektrike pozitive, përmbajtja e kuptimit themeluer të një libri... zjarri flakërues qëndrorë i çdo planeti që mban në lëvizje trupat qiellorë etj...
Që të trija këto çfaqësina janë brënda në pikën e shkëlqyeshme, që kemi shpjegue ma nalt, pikë e cila përban unitetin real e absolut të qenmenisë së dukëshme e të padukëshme, sikurse në themele, rranja, trupi, lulja me farën përbajnë pemën, dhe këto pika të sajueme në tri çfaqësina përbajnë pikën e shkëlqyeshme jetike e mystike.
RANDËSI E PIKËS SI ATOM
Të gjithë shkencëtarët e mëdhenj e të vegjël janë të një mendimit, se gjithësija asht e formueme prej një tog elementash, këto elemente themeltare ma parë i konsiderojshin me qenë katër. Thales-i, 640 vjet para lemjes së Krishtit, e quejti si origjinalin e krijesës të çdo gjaje prej ujit. Anaximéne 550 vjet para, prej ajrit, Ksenofani prej dheut, Herakliti prej zjarrit. Këtyne katër elementave u kanë dhanë e u japin randësinë e posaçme gjithë mystikët. Këtu, si për shembëll, shinojmë pyetjet në gjuhën persishte që i bani Shemsi Tebriziu, Mevlana Xhelaluddini Rumisë:
An cist që ta ser kademesh xhymle dihánest
An çist që bi-paj sheby-ruz revánest?
An cist që be jeq lahza biqerded heme alem
An çist që in halk deru zhymle nihánest?
Që don të thotë:
Ç'asht ai që krye-kamb asht goj e të kafshon?
Ç'asht ai që pakambë nat' e ditë udhëton?
Ç'asht ajo që në sekund gjithë botën e pushton?
Ç'asht ajo që krijesat në mbrendinë mbulonë?
Atëhere Mevlanaj, si një mystik i mbaruem i kohës së vet, që dinte burimin e kësaj njohunije trashigue qysh me qindra vjet para Krishtit e deri në ditët e tij, iu përgjegjë:
Narest që ser ta kademesh xhymle dihánest!
Abest që bi-páj sheby-ruz revánest!
Badest bejeq lahza biqerdet heme álem,
Haqest qe in halk deru xhymle nihánest!
Që don të thotë:
Zjarri asht krye-kamb, gjith goj e të përvëlonë!
Ujët asht që pa kambe nat' e ditë udhëton!
Era asht që në sekund gjithë botën e pushtonë,
Dheu asht qe krijesat në mbredine i mbulonë!
Këto katër elemente, si ata ma kryesorët, kanë ruejtun randësinë e tyne në të kaluemen enigmatike; e, sot si mbas zbulimeve të shkencës kanë arrijtun numërin nandhet e nand: Hydrogjen, Oksigjen, Karbon, Flori, Zhiva, Bakri, radiumi etjera kësodore.
Çdo gja në botë nga mishi e gjaku i trupit tonë e deri në retë dhe yjet e qiellit asht trupëzuem me formimin e këtyne elementave në trajtime të ndryshme: p. sh uji përbahet prej bashkimit të hydrogjenit me oksigjenin. Shkencëtarët kishin gjetun se dhe këto elemente ishin të formueme prej çikërimeve të veçanta, që nuk pranojshin ma pjesëtime, të cilave u kishin vue emnin atom.
Kujtohesh atëhere se ma të vogël gja nga atomi nuk kishte mundësi me u mejtuem. Dijetarët e shkencës kujtuen se e gjetën shpirtin e elementeve që formonin botën.... Por ca nga këta iu vuën prap kërkimeve ma t'imta, kështu që dyzet vjet ma parë dyshimi mbi këtë pikë u shtue, filloi të themelohet mendimi se dhe atomi mundet të përbahet prej pjesësh tjera të veçanta.
Ma në fund dolli Dr. Robert Andrios Milikani, dijetari amerikan, që e vërtetoi se atomi nuk asht sendi i pa pjestueshëm dhe i vetëm pa qenë e mundun të dallohen në të elementet e tjerë që e formojnë. Ky dijetar brenda ne atom zbuloi një botë të re, një gjithësi të panjohun deri n'atë minutë, e gjet se në mes të atomit ekzistonte një pikë, një qendër porsi dielli, një botë që kryefund ndodhet e mbushun me planete, të cilët në një minutë me një shpejti të miljardit, vijnë përqark qendrës që formon pikën e atomit.
Mbrenda në atom në mes të elementeve që përdridhen me një shpejtësi të jashtzakonshme ekziston një energji aqë e madhe sa nuk mundet t'ia presin mendja njeriut; një energji që mjafton të rregullojë gjithë planetin tonë, po të jetë e mundun të futet në shërbimin e mëndjes s'onë. Por vallë si janë formue atomet dhe a janë të një lloji të gjitha? Po të marrim hydrogjenin që asht nga atomet ma të thjeshtë do të shohim se atomet, me gjithë se jashta i shëmbllejnë njeni tjetrit, në qendër kanë nga një pikë të vogël, që rreth saj përdridhet gjaja e quejtun elektron; sasija e këtij nuk gjindet në një masë mbrenda çdo atomi, në shumë prej këtyne ekzistojnë tepër elektrone, në ca ma pakë; në hydrogien që asht ma i thjeshtë i të gjithëve gjindet vetëm një.
Mbrenda në atom në mest ndodhet pika rreth së cillës duket elektroni që përdridhet me një shpejtësi të pabesueshme. Pika me gjithqë e vogël, asht dymijë herë ma e rand se elektroni, i cilli mbasi dridhet në sekund me një shpejtësi dyqind milash, nuk asht e mundun të shifet. Veç kësaj pike dhe t'elektronit nuk ka kurrgja tjetër në atom. Në pikët ekziston elektriku pozitiv, e në elektronin negativi. Në hydrogjen që asht atomi i thjeshtë ndodhet vetëm një elektrik pozitiv e një negativ; në sende tjera tue u shtuem sasija e elektroneve, shumëzohet dhe fuqija elektrike, kështu që në atomet e elementeve të ndryshëm, ekziston një sasi e ndryshme elektronesh. P. sh. Hydrogjeni ka një atom, litioni dy, brilioni tre, buroni katër, karboni pesë, nitrogjeni gjasht, oksigjeni shtat, florini tetë, neoni, sodiomi, magnesiumi, alaminiumi, selikoni, fosfati, squfura, argoni kanë nga nand potasiumi dhjetë, calsiumi njimbdhet.
Kaqë na thotë përmbi atomin dijetari amerikan, por nuk na shpjegon dikush deri më sot, dhe as ai vetë, se përse ekziston elektriku mbrenda në atom si edhe elektroni përse dridhet përqark pikës me atë shpejtësi të mrekullueshme!
Kur shkenca një ditë do të çthuri Pse-në e kësaj enigme, ka me u zbulue një fuqi e jashtzakonshme që do të ndryshojë botën në një trajtë tjeter e cila sot para syve materialiste na duket mysterioze: ajo kohë në analet e nalta të mystiçizmit quhet mbretënimi i mëndjes së përsosun.
———————
[1] Shkenca që zbulon atë që njeriu din.
[2] Pjesë e metafizikës që merret me qënien përgjithësisht, dhe me parimet e saj.
[3] Kjo katrore asht përkthim i Rushit Bilbil Gramshit
[4] Kur i Madhi Muhammed (a.s.) u bashku me Dritën e qiejeve e të tokës, dhe Xhebraili mikun e Perëndisë mundi t'a shoqnojë deri né Prakun e mbram (Sidretyl Mynteha) dhe më tej e la të kalojë me një lloj asansori (Refreh). Në mystiçizëm Xhebrail quhet edhe nderi madhështuer, Ligji Suprem (Sidretyl-Mynteha), kufi e logjikshme mendjes Refref = inspiracioni; të gjitha këto janë mjetet përshembëllyese të lartësimeve Hyjnore, ku kalohen shtatdhetmijë perdet.
[5]
En voulant trop voir Dieu, Moise chancela
Un pen plus; il tombait du haut de cett cime.
L'oeil plein des turnoiements terribles de l'abime.
[6] Komentatori Fususit të Myhjjidini Arabisë, i ndjeri Sari Abdullah Effendiu për këtë pikë thotë kështu: "Kudreti qyl-lijëj Samadani jenin Noktaji ezelijeden zuhuru".
Fotografia në prapavijë: Martin Sponsel
tags: Randesi e Pikes ne Mysticism e Atomism, Ferid Vokopola, Omar Khayyam shqip, Omer Hajami, Ibn Arabi, Ibn Arabiu, misticizem islam, misticizëm islam, sufi, sufizëm, sufizem