Nizâmi
Lindja e Kejisit
Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Dorëshkrim nga Lejla dhe Mexhnuni
Mes beduinëve të Arabisë dikur rrojti një zotëri,
i pari i Banu Amirëve, prej Sejidësh ishte soj'i tij.
Asnjë vend nëpër dynja nuk kishte aq bereqet
dhe zefiri iu bë fjalëmirë i lavdisë së tij nëpër milet.
Arritjet e kurorëzuan Sulltan i arabëve së toku,
madje baraz me Kharunin qe pasuria që rroku.
Zemra e tij ishte gjithnjë e zbutur për fukaranë
dhe për ta trasta e tij rrinte e hapur tejendanë.
Më xhymerti mikpritës ishte për çdo rrugëtar
dhe në çdo përpjekje e sprovë atij i prihej mbarë.
Kështu së paku i mori dhenë nam’i punës së tij,
por edhe fruti bërthamën e vet e ka në brendi.
Megjithëse hibetin e halifes kishte ndiehej si qiri
që digjej pa dhënë mjaft nur, i dukej vetja e tij.
Zemrën ia moliste një brengë, nuk gjente rehat,
atij i qe dhënë gjithë ç’gjakonte, por s’kish evlad.
Ç’vlenin lavdi, fuqi e pasuri me parzmin shkretë,
pa pasur pinjoll kujt t’ua lëri kur vajtur të ketë.
Mos qe thënë misri të thahej dhe dega të fishkej?
E qiparisit të rënë, çerdhja e fazanëve do prishej.
Me se do t’shendohej, ku do gjente prehje, strehë:
Tejrron ai që në kujtesën e të birit vdekjen s’njeh.
Kështu tretej mendimeve sojliu, thinjej e thellohej
Duà, zeqatë sado të bënte e në sexhde përgjëronej.
Hëna e plotë që priti majë qiellit nuk ia mëshoi,
Dhe fara e jaseminit që mbolli kurrë s’gjelbëroi.
Sejidi ende nuk qe razi t’i përkulej rrizkut t’vet,
Prej dëshirës së paplotësuar harroi ç’ish adet.
Insani! Kur lutjet s’i gjejnë shteg, s’sheh dobi,
posë perdes të së ardhmes, të gjitha hiqet se i di.
Të shumta janë sendet që vërtetë lipsen kërkuar
Dhe po qe se nuk gjendet, është punë e bekuar!
Edhe ajo që ke gjongë një e nga një vete e tret,
Sirre më mirë të rrijnë shumica, dukë mos u jep.
Peri i fatit tonë zë fill jashtë dynjasë shqisore
Dhe ç’sot duket dry, nesër të bëhet çelës prore.
Si kush që kërkon xhevahirnë, ç’nuk bën vaki,
Tek e ushqen shpresën si midhja tjerr inxhinj.
Pasi qe shtruar në lutje që i dilnin si lëngatë,
Perëndia e dëgjoi, dhe ia fali çunin me natë.
Për t’i dhënë sisë një mëndeshë qe e besuar,
Qeshte porsi shegë dhe si trëndafil i shenduar.
Çehren e fytyrës çelur si gur elmas e kishte,
Me ta parë në dynja dalur belit kjo njomishte,
Si petale lulesh i shpërndau ç’kishte në haziné,
Urata dhe brohorima u bënë iso e së tijës haré.
Çdo ngjërim qumështi iu bë në shtat harf dini,
Çdo kafshatë që llupte i bëhej llokmë përdëllimi.
T’i mbrohej mësyshit me llullaq faqet iu ngjyruan,
Si nuskë, magjepsja e ashkut n’parzëm iu gërshetua.
Kur qumështi i njomte buzët si lajle këtij kërthiri,
I bëheshin së toku sa gjethi i ënjtur i një jasemini.
U lind kur e ngrënë ishte hëna, në trajtë djepi,
e kur e plotë u bë atij iu shqua trimëria e gazepi.
“Dhurata e dashurisë iu bë këtij xhani nga Perëndia!”
dhe Kejs ia ngjitën emrin kur iu plotësua pashia.
Viti kaloi dhe u bindën të gjithë në brendësi
Që kërthirit i kish shkuar pashia në përsosuri.
Ashtu si rrezja e dritës ujërat i depërton tejendanë,
Ashtu xhevahiri i dashurisë trupit i ndriste matanë.
Mes lojërave dhe gazit rritej bahçes së fëmijërisë,
Dhjetë vjeç, si përrallë e tregonin sa e kish pashinë.
Kujtdo që i qëllonte ta kundronte pakëz në surrat,
Qoftë edhe nga larg, i uronte shëndet e jetë të gjatë.
Përktheu: Sait N. Saiti
Tags: Lejla dhe Mexhnuni shqip, Nizami Ganjevi, Nizamiu, Layla and Majnun in Albanian, letërsi islame, traditë islame, traditë persiane, traditë perse, letërsi sufiste, literaturë sufiste, sufi, sufizëm shqip, poemë, poezi, rrëfim, , Nizami Ganjavi