Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Mevlana Muhammed Xhelaleddin (1207-1273) i njohur në Perëndim si Rumí, është një ndër poetët më të mëdhenj shpirtërorë e mistikë të të gjitha kohërave. Ai është si një luginë e gjerë e shtrirë në majat më të larta të njerëzimit. Sot, në botë, mesazhi i tij shpirtëror shpërndan dritë në zemrat e miliona njerëzve!
Me një fjalë, Rumiu ka bashkuar dhe njësuar aspektin pasionant të fesë me sufizmin dhe artin e poezisë. Në traditën mevlevite të formuar në mënyrën e tij të jetesës dhe nën dritën e mësimeve të tij, përmbahen shumë theksime lidhur me shndërrimin e mesazhit shpirtëror të Islamit në mënyrë jetese. Vepra më e madhe e Rumiut, Mesnevia, nuk është një ritregim poetik i Kur'anit dhe një libër i shenjtë i Islamit, vetëm se, në gjuhën e sufive, Mesnevia është një libër mirëkuptimi dhe uniteti që e interpreton këngën e ashkut, dashurisë pasionante, në një mënyrë elegante e të thellë!
Para së gjithash, Rumiu është një njohës mjeshtëror i shpirtit. Ai ka shkruar poezi, por nuk mund të shihet vetëm si poet. Ai ka treguar historira të ndryshme, por nuk mund të shihet vetëm si tregimtar. Krejt ndryshe nga ç'mund të mendohet, ai s'është as themeluesi ose paraprijësi i ndonjë feje! Ai është, sipas terminologjisë mistike, një myrshit, domethënë orientues i rrugës së drejtë, një pir, domethënë një plak ose i mençur dhe një ustad, domethënë usta, mjeshtër i shpirtit njerëzor i cili ua kujton njerëzve se, duke u zhveshur nga të gjitha të këqijat, njeriu duhet të kthehet te qenia e tij e natyrshme, i cili, duke interpretuar parimet e fesë islame, i orienton njerëzit drejt delikatesave të shpirtit dhe drejt të vërtetave. Prandaj çdo njeri gjen tek ai ca gjëra për vete, ftesa e tij mundet të reflektohet në të gjithë botën. Prandaj Mesnevia është një diell që i jep dritë çdo shpirti dhe zemre! Ndërkaq, çdo njeri merr nga ky det aq sa ç'e ka kapacitetin, aq sa ç'e ka pjesën e caktuar për të marrë!
Gjendja e sotme e njerëzimit tregon për një krizë të thellë shpirtërore. Pazgjidhshmëria e çështjeve na qëndron para si një problem i madh. Prandaj jam i sigurt se këto probleme e vështirësi në dukje të pazgjidhshme, mundemi t'i kapërcejmë me mesazhet e dashurisë pasionante të pafundme dhe të lirisë shpirtërore të Mevlanasë. Këto mesazhe i drejtohen kujtdo pa vënë kufizime fetare, gjuhësore, raciste e të ngjashme. Rumiu e shpreh këtë delikatisht kështu: "Po qe se në derë do t'ju vijnë vetëm të mirët, ku të shkojnë të këqinjtë?"
Me këtë rast u paraqes falenderimet e mia përkthyesit Dr. Mithat Hoxha dhe të gjithë atyre që kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar për botimin e kësaj vepre në gjuhën shqipe. Për shpirtrat e etur, kjo vepër është një burim ku mund ta shuajnë etjen; për shpërndarjen e reve të injorancës, vetmisë dhe pasigurisë, është një dritë shprese; kurse për shokët dhe dashamirësit tanë të përhershëm, një udhërrëfyes!
Tahir AKYÜREK
Kryetar i Bashkisë
Konja - Turqi