Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Tyrbja e Hazreti Mevlana Rumit - Konja, Turqi
Emni i tij âsht Muhammed e mbiemni Xhelalyd-din, dhe epitetin Rumi e ka marrë mbasi vizitoj Konje'n. Ky âsht prej zotnivet të dallueshëm të tarikatit. Fama e tij âsht e përhapun në të tanë botën islame. Zotsija në lamën e letërsisë e të poezisë dhe virtytet e tija shkojnë baras me dijenit e tija mistike e për këtë u quejt Meulana. Nji tok veprash qi la mbas e sidomos Methnevija e Divani Qebiri (Divan i madh) i tij enden dorë me dorë dhe lexohen kudo me vrejtje e nderim qi meritojnë.
I ndritshmi Meulana âsht prej Harasani dhe ka lindun në Belhë më 6 Rebiulev-vel 604 (1207). I ati âsht prej nji familje qi në Belhë quhet Hatib-Ogullari dhe njihet me emnin Behayd-din Veled, i biri Hysejn Hatibit, i mbithirun « Sulltanyl-Ulema » (Mbret i Dijetarvet). Dhe nana e tij quhej Mu-mine Hatun, bija e Ruqnyd-dinit, Sundimtar i Belhit. Behayd-dini, mâ i njoftuni dijetar e mistik i Havarizimvet, merrej me vaze e mësime dhe në kuvend të tij merrshin pjesë ma të mëdhajt e kohës e bash edhe vetë Sundimtari. Kushrini i Behayd-dinit. Fahryd-dini Raziu, dhe tjetri Reshidyd-dini Fenaiu ia smiruen famën dhe dashunin e nxansvet të tij, dhe kështu në medis të tyne u çfaq nji antagonizmë, të cilën e ushqej deri diku dhe Shahu i Harasanit, Muhammed Havarizimshahi.
Si mbas nji versioni tjetër, vet Muhammed Havarizimshahi e shtërngoj me lanë Bel' hin me gjith familje të tij, pse dresht prej influencës morale qi kishte fitue në popull. Dhe kështu në nji ditë të hane u nis për Nishabur me treqind nxanës të vet e me disa deve ngarkue me libra.
Në kohën e emigrimit të babës së tij, Meulanaja ishte 5 (pes) vjeç e vllau i tij Alaud-dini Çelebiu 7 (shtat) vjeç. Mistiku i madh Feridyd-din At-tari qi ishte në Nishabur diktoj një zëgjim e talent të madh në Meulananë dhe e simpatizoj shum e i dha bekimet e veta, tue i dhurue dhe veprën e tij të randsishme, e titullueme « Esrarname ». Porsa u muar vesht se Behaud-dini do t'udhtojë për Bagdad, Shejh Shehabyd-dini Suherverdiu i Bagdadit i duel para në kambë me gjithë të mdhaj e të vegjël të vëndit për t'a nderue, dhe e përbujti në Medresen e famshme qi kishte emnin Mustansarij-je. Behaud-dini nisi me i predikue popullit dhe me tregue edhe këtu zotsin e tij dijtunore. Nji kohë shkoi në Hexhaz, e mbasi kreu haxhillekun këtheu në Sham, ku takoj me Muhjid'dini Arabin.
Meulana Xhelalyd-dini i vogël, qi gjithkund udhtonte mbas t'et, filoj në Sham edhe simpatin e fillozofit të madhë islam, Muhjid-dini Arabiut. Emiri i Shamit, Meliqi-Eshrefi, e priti me nderime të mdhaja Behaud-dinin. Prej aty shkoi në Halep e në Mallatja e nëpër këtë udhë në Erzenxhan e n'Ak-Shehir t' Erzenxhanit. Mbasi ndej për nji kohë në Medresen e ndertueme prej së shoqës të Meliki Fahryd-dinit, erdhi në Larende (Karaman), ku Sundimtari i këtij vendi Musaj, ngrehi n'emën të tij nji Medrese. Këtu ndej shtat vjet. Ende janë tepricat e kësaj Medreseje. Meulanaja kur ishte n'udhtim me t'an, u martue me Xhevhere Hatunin, bijë e Lala Sherefyd-dini Semerkandiut, i cili e kishte rrit e shetit ndër krahë të vet dhe ishte besniku ma i flakt i babës së tij.
Prej këtij bashkimi lindën Muhammed Behaud-din Veled e Muhammed Alaud-dini. Mbretit të Dijetarvet i vdiq e shoqja edhe nji djalë. Mbi ftimin qi i bâni sundimtari i Konje's, Sulltan Alaud-dini Selçukiu, i cili e kishte ftue dhe ma përpara e qi për 'tè ndijnte së largut nji nderim e dashuni, erdhi prap në Konje, dhe në vitin 625 (1227) e përbujti në Medresen e quejtun « Alltun-Pa ». Tash u vendos në Konjë me gjith familje, Sundimtari e përkrahi me nderimet ma të mdhaja. Këtu a muerr me predikime e mësime. Me 18 Rebiyl-Ahar 628 (1230) ditën e Premte në kohë dreke vdiq në Konjë.
Kur patë ardhë në Konjë i ati e çoi Meulanan bashk me Lala Sherefyd-dinin në Halep, në Medresen Halevije dhe ia besoj atje myderrisit Qemalyd-din i biri Ademit, i njoftun për zotsin e tij në Fëkëh, në Hadith e në Tefsir. Përfitimi menduer e shpirtnuer i Meulanas prej këtij dijetari qè shum i madh. Edhe në Sham u-dha mbas mësimevet gati tri vjet për me plotsue dijtunit e tija. Në Sham ndiqte Medresen e thirun « Mukimin » dhe në anë tjetër merrte mësime mbi Fëkëh. Këtu hyni në marrëdhanje të ngusht me Muhjid-dini Arabin e me tjerë mistikë të mdhaj. Ma vonë kthej në Konjë. Meulanaja, qi kishte njizet e katër vjeç kur vdiq i ati, kishte mrritun në nji shkallë të nalt në Fëkëh e në Tesavyf, sa me u thirrë eruditë i kohës. Kurr nuk ngopej me mësime; sa ma thellohej ndër dituni aq ma tepër i shtohej êtja për me mësue. Në Konjë erdhi nji dijetar e nxanës i babës së tij, Burhanyd-din Muhakkiki Termidhiu dhe takoi me Meulanan, tè i cili pau nji zotși e perfekcjonim virtutesh, aq sa nuk u nda prej tij nandě vjet rrjesht dhe të dy s'bashku u dhanë mbas studimevet e mësimevet të dijenivet të ndryshme.
Mandej Burhanyd-dini këthej në Kajsari. Meulanaja në kët kohë këndoi prej të famshmit Sadryd-dini Koneviut veprën zamadhe « Xhamiul- Usul fi Ehadithi-Rresul» t' ibni Ethirit. Tashti zani i Meulanas kishte marrë dhèn në botën dijtunore islame. Ndër Medreset të ndryshme jepte mësime. Në këtë kohë morri lajmin e vdekjes të Burhanyd-dinit, mësuesit të vet, nga dija e të cilit kishte përfitue nandë vjet rresht dhe kështu u nis me njiherë në Kajsari. Në këthim prej këndej solli me vedi në Konjë nji tok librash me vleftë. Hazreti Meulanaja kishte marrë sugjerime devoçmenije prej Burhanyd-dinit. Tamam në këtë kohë, në vitin 642 (1244) mbas urdhnit të Shejh Ruqnyd-dini Zerqubiut kishte ardhë në Konjë Shemsyd-dini Tebriziu dhe kishte ra në hanin « Sheqer Riz ». Hetoi mbi virtytet qi stolisshin Hazreti Meulanan dhe kulturën qi pajiste këtë, dhe nuk i gjet as nji të metë për veç asaj qi urrente dervishët kalendera dhe lakuriq. Shemsyd-dini Tebriziu hyni nji ditë në kijafet kalenderi dhe i doli në udhë përpara Meulanas, i kapi frejt e kalit qi kishte hypun dhe me nji kreni të çuditshme e këqyri në fytyrë, tue i ba nji pyetje. Si pati përgjegjien qi donte Shemsyd-dini Tebriziu i ra të fiktët e u shtri për dhè me fjalën « All-llah » në goj. N'at çast në zemër të Meulanas u çfaq nji dritë e perëndijshme dhe me njiherë zbriti prej kalit dhe i ra ndër kambë Shemsyd-dinit, të cilin mbasi u esullue e i shkoi të fiktit, e morri në shtëpi të vet.
Mbas kësaj ngjarje Hazreti Shemsyd-dini ndej edhe nja gjasht muej pranë Hazreti Meulanas në vetmi e i veçuem prej botës, tue pranue n'intimitetin e tyne për shërbime të nevojshme djalin Sulltan Veled.
Disa smirzez përhapen andej këndej fjalë se Shemsyd-dini qe shkaktarë me lanë mësimet Meulanaja dhe tue qenë se këto fjalë nisen me bâ përshtypje në publik, Shemsyd- dini Tebriziut i u desht mëshehtas e pa lajmrue kend me u largue prej Konjës e me shkue në Sham. Kjo ndamje e pa pritun e mërziti shun Meulanan. Hazreti Meulanaja mbasi kishte hjek dorë fare prej shprehjeve dhe dhanjes të mësimeve u muerr me ushtrime trupore hyjshmënije dhe me çdo lloj vepra muzikës shpirtnore. Pasi kaluen disa kohë Meulanaja çoi djalin e vet Sulltan Veledin për t'a kërkue Shemsyd-dini Tebrizin dhe m'i a tregue e shprehë mjerimin qi kishte shkaktue në 'tè ndamja e tij, tue e ftue njikohësisht për me ardhë rishtazi në Konjë. Mbi këtë ftesë erdhi prap Hazreti Shemsyd-dini në Konjë, tue e gëzue kështu për së tepri Hazreti Meulanan. Shoqnimi i këtyne njerzvet të mdhaj, në vetmi e të ndam prej botës vijoj prap me ritmin e përparshëm, gja qi filloi me shkaktue pëshpëritjet e para në publik. Hazreti Shemsyd- dini u zhduk prap. Këtë herë mjerimi i Hazreti Meulanas i ushtue sa qi s'mund t'a duronte, u çue vet me kërkue Hazreti Shemsyd-dinin, dhe u nis me disa nxansa të vet për Sham, e, si ç' thuhet edhe në qytetin Tebriz, por nuk e gjeti kurkund.
Deri në vdekje e kërkoi dhe pyeti për 'tè. I dedikoj vjersha dashunije e afekcjoni. Filloi të ndijë se ditët e vdekjes i afrohen. I shprehi këto ndija dhe me vjersha. Së fundi u smue e vdiq, me gjithë kujdesin qi diftuen për 'tè dy mjek të famshëm të kohës, Meulana Eqmelyd-din e Meulana Gazanfer. Vdiq në Konjë 69 vjeç, 5 xhemazul-Ahar 672 (1274) dhe u shti në dhe pran t'êt. Hazreti Meulanaja pat nji trup të mesëm, sy të mdhaj e në ngjyrë të qellit të hapët; fytyrën si të zbeh- të e vetullat të hapta e në formë gjysmë-hane. Mjekrën në ngjyrë gështejë me qime të shkurta kah tamthat. Mustaqet i kishte të plota. Shkroi Methnevin, qi zen vend të nalt në letërsi dhe asht e vetmja në llojin e saj si vepër mistike, dhe shum poezina tjera ku përshkruhet në nji mënyrë shum elokvente dashunija qi ndinte për të Madhin Zot. Si Methnevija e vjershat tjera të tija kapen në 47000 strofa dyrreshtse. Methnevin e filloi në 659 (1260) dhe e sosi në 666 (1267), Divani Qebiri i tij rishkruem në vitin 768-770 (1366- 1360) kapen në 95927 vjersha dyrreshtza dhe sot ruhet në muzèn e Konjës.
Veprat e tija, mund të përmblidhen ndër këto: «Methnevi », « Divani Qebir », « Fihi ma fihi », « Mexhalisi Seb' a », « Muraselat », «Habname », « Hërkai Qamil », e « Trashname ».
Djali i tij Sulltan Veledi shkroi jetshkrimin e t'et dhe caktoi rregullat e Tarikatit Mevlevi. Sterni-pat e tij rrojnë ende në Konjë dhe djemët e mdhaj thirren me titullin Çelebi dhe xanë Postin e Meulalanas.
Me hypjen në fron të Sulltanve Otoman, këta kishin nderen e privilegjueme me u ngjesh shpatën atyne. Meulanaja tue qenë edhe shum i ri, qè i stolisun prej nji zotsije dijtunore fort të thellë e sidomos qè i vetmi i kohës në Tesavuf e në Fëkëh. Merrej shum edhe me Kimì e Astrollogji, Zotnonte nji fuqi të madhe me depertue nder sende ma të nderlikueme.
Asht për t'u habit se me nji aftësi intuicjoni ban fjalë në nji vjershë të tij për mikrobët, tue i cilsue këto « si atome me gojë të hapuna » :
Dher-reha didem dihanishan xhymle baz,
Gjer bigjujem hordheshan qerded diraz.
Qi don me than:
Pash rreze gojë-çelun shum të vogla në shtatë,
Qi mbi 'to po të flas' kuvendi shkon i gjatë.
Meulanaja asht nji poet i ndijshëm. Vjershat e tija mund të shembllehen me nji lum qi shkon tue rrjedhë gjatë shtratit të vet, herë me murmurime të lehta e herë me shungllime të randa. Me vjershat e tija të flakta qi e hudhin njerin në ekstaz, me inteligjencën e dijtunin e tij të gjanë e me mendimet e bindjet mistike, la gjurmë të pa shlyeshme në botën islame.
Veç Turqishtes, Persishtes e Arabishtes ai njihte mirë dhe grekishten e vjetër e ebranishten. Prej vjershave të kandshme qi fillon Methnevija e tij përmendim vetëm këtè:
Bishnev ez naj, çyn hiqajet, miqyned,
Ez xhydajiha shiqajet, miqyned;
Qez nejestan, ta mera bibyride-end,
Ez nefirem, merdu zen nalide-end;
Sine hahem, sherha sherha, ez firak
Ta bigjujem, sherhi derdi ishtijak;
Ateshest in, banq'naji, nist bad,
Herqi in atesh nedared, nist bad.
Qi don me thanë:
Pa digjo fyllin se ç' thotë
Nga mërgimet qahet sot
Prej fyllishtes kur më ndanë
Burra, gra nga mua qanë;
Krahnorin e kam me vrima,
Prej të ndamit plotë pshertima;
Zani t'im âsht zjarr jo erë
Mos qoft kur, kush s'ka ndjerë.
Prej vjershave të Divani Qebirit të tij përmendim këto qi kanë fjalë grekishte:
Nim sheb ma' shuki ma, dani çi migjujed horos,
Hiz shebra zinde dar ve ruz-rushen nystrikos
O horosest der harush, ve tu hemi der hab' hosh,
Nami ora tajr hani, nami hodra Antropos
Qi don të thotë:
Në mes të natës O i dashun, a e di ç'thot aji horos, (1)
Ngrehu! natën mbae gjall, ditën ji në nystrikos (2)
Aji gjel tue qenë âsht i gjall e ti fle gjum,
Dhe i thue atij zog vehtes t' ande Antropos; (3)
Prap po i përmendim këto vjersha qi kanë nji rresht Persishte tjetrën Turqishte dhe të trazueme nga të dy gjuhtë:
Mahest nemidanem hurshidi ruhat ja ne,
Bu ajrillëk uduna nixhe xhigjerëm jane;
Myrdem zi firaki tu, myrdem qi heme danend,
Ashk udu, nihan ollmaz janar dyshixhek xhane;
Sad tire zened, ber dil, an tyrqi qeman ebru,
Fitneli ela gjyzler, çyn ujkudan ujane;
Ej Shahi Shexhaud-din shemsyl-hak Tebrizi,
Rahmetten egjer nolla bir katre bize tane.
Qi do me thanë:
Mos âsht vall'ajo hanë rreflekti i faqes s' ate?
Mushkrit m'i dogji ndarja, më thuaj me mua ç' pate;
Nga ndarja jote vdiqa... këtè të gjith e dinë!
Qi zjarr i ashkut s' pshihet, shpirtin kur përshinë.
Fytyra e Lejlasë: gjithnji qëllimi im!...
Bërtas posi Mexhnuni, pa mend e pa gjykim!
Shigjeta m'arin mbi zembër, ng' aji hark i vetllës-shkruarë
Nga syt e tu të bukër, prej gjumit më të zgjuarë;
O mbreti Shexhaud-din, Diell i Hakut Tebriziu!
Ç' ndodh? sikur nji pik' mëshire të më çosh... po pres i ziu!
--
Men jari ba vefajem ber men xhefa këllarsën
Gjer tu zi men nepyrsi men hod seni sorarmin;
Ruj çu mah dari men sade dil ez anem
Zan sheqer lebanet bir ypqine dilermin;
Mahi çu Shemsi Tebrizi gajbet numud ve gjyfta,
Ez men digjer mepyrsid men syjledëm jazarmin;
Qi don të thotë:
Un jam nji shok me besë por ti më ep mundim,
Për mue ti nuk pyetë, un të pyes pa pushim!
Si hana kè fytyren andej un' të gjurmurojë,
Në buzët aq të ëmbla të t'puth dëshirojë;
Si Shemsi Tebriziu, më tha hane, kur shkojë,
Mos pyet për mua më, i thash do të shkrojë.
_______
1) Horos = gjel 2) Nystrikos = agjenim. 3) Antropos = njeri