Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Rreth 10 minuta lexim
Fotografi e moçme e tyrbes së Hafiz Shirazit, Iran.
Hafizi i rremë: Si u shlye poeti madhështor persian i dashnisë
14 qershor 2020
Vet fakti qi kaq shumë poezi të rreme i atribuohen Hafizit kallxon për përvetësimin hileqar perëndimor të shpirtnisë myslimane
Asht ai vakt i vjetit kur her pas here marrë kërkesa me i gjetë burimet autentike të varianteve të ndoj poeti mysliman, zakonisht ato të Hafizit apo Rumit. Kërkesat zakonisht fillojnë kështu: “Jam duke u martu muejin e ardhshëm. Bashkë me të fejuemën deshtëm me e festue edhe sfondin tonë mysliman, e kena deshtë gjithmonë këtë poezi të Hafizit, prandej a kishit mujtë me na dërgu poezinë origjinale?" Ose: “Vajza po më diplomon ket muej, edhe e di qi ajo e don shumë ket varg prej Hafizit, a kishit pas mundësi me ma dërgu orgjinalin se po du me ja lexu në ceremoninë qi kena me e mbajtë për nder të saj?".
Asht për të ardhun keq qi më duhet me ju përgjigjë her pas here me fjalë qi sjellin dëshpërim: Poezitë të cilat i dojnë kaq shumë e qi gjinden gjithku nëpër internet janë falsifikime. Të rreme. Të shpikuna. Nuk kanë asnji lidhje me poezinë origjinale të mirënjohunit e të dashtunit Hafiz prej Shirazit.
Qysh asht ba puna me ardh deri këtu? Si ka mundësi qi 99.9 përqind të të gjitha thanieve dhe poezive qi i atribuohen njenit prej poetve ma të mirënjohun dhe ma me ndikim në mes persianëve dhe urtakëve ma madhështor mysliman, i cili njifet si nji prej pjesëtarëve të panteonit të shpirtnisë “universale” në internet… të jenë të rreme? Kjo na del qi asht nji histori marramendëse e ekzotizmit perëndimor dhe përvetësimit hileqar të shpirtnisë myslimane.
Le t’i analizojmë disa thanie të cilat i mendohen se janë prej Hafizit:
“Edhe mbas tanë ktij vakti,
dielli asnjiher nuk i thotë tokës
“ti m’ke borxh”.
Shif se ç’ndodh me njikso dashnie;
tanë qiellin e mbush me dritë”.
A ju pëlqen kjo nga Hafizi? Sa keq! Hafiz i rremë.
“Zemra jeme me zemrën tande
janë dosta shumë shumë t’moçëm”
A ju pëlqen edhe kjo prej Hafizit. Prapë, Hafiz i rremë.
“Friga asht dhoma ma e lirë e shpisë.
Kisha deshtë me t’pa tuj jetu në nji gjendje ma t’mirë.”
E bukur, por prapë s’asht prej Hafizit.
Biles edhe tjetra për të cilën kishit pyet asht e rreme. Eh pra, prej kah vijnë të gjitha këto thanie të rreme? Nji poet amerikan me emrin Daniel Ladinski ka botue libra në emrin e Hafizit, poetit të mirënjohun pers, tash e njizet vjet. Kta libra janë ba bestsellers [ma të shitunit]. Me siguri këta libra i gjeni në librarinë e vendit te librat mbi sufizmin, krahas librave të Rumit, Halil Xhibranit, Idris Shahut etj.
Më dhemb me i thanë këto gjana se e di qi shumë njerëz i dojnë këto përkthime të “Hafizit”. Janë poezi të bukura në gjuhën angleze edhe përmbajnë shumë urtí. Por, nëse e doni nji traditë, duheni me e thanë hakun: Përkthimet e Ladinskit nuk kanë asnji lidhje tokësore me çka Hafizi historik i Shirazit, urtaku i shekullit të 14-të, ka thanë.
Ai po i shpikë. Ladinski vet e ka pranue qi ato nuk janë “përkthime” apo të “sakta”, dhe se në fakt ai nuk ka njoftuni të gjuhës perse; këtë e pohoi në librin e tij bestseller të vjetit 1966-të, I Heard God Laughing [shq. E kam ndi Zotin tuj qeshë]. Ladinski e ka edhe nji libër tjetër bestseller, The Subject Tonight is Love [shq. Muhabeti i natës së sotme asht dashtnia].
Persiant’ e marrin poezinë shumë seriozisht. Për nji shumicë, ajo asht kontributi i tyne i veçantë në qytetërimin botëror. Ajo çka grekët janë për filozofinë, perst’ janë për poezinë. Në panteonin madhështor të poezisë persiane, ku Hafizi, Rumi, Saadi, Attari, Nizami dhe Firdeusi munden me qenë të pavdekshëm, mbase mjeshtëria e gjuhës persiane e asnjenit nuk asht aq e rafinueme sa ajo e Hafizit.
Në parathanien e nji libri të botuem së fundi rreth Hafizit thashë se Rumi (prodhimtaria poetike e të cilit asht me dhjetra mijëra poezi) vjen si nji oqean i cili të merr në brendi derisa të dorëzohesh në valët mistike të tij, të cilat rikthehen prapë në oqean. A Hafizi në anën tjetër, asht si nji diamant i shkëlqyeshëm; çdo anë i premë në mënyrë të përkryeme. Nuk mundesh as me hjek e as me shtue ndoj fjalë prej gazeleve të tija. E pra, të lutem trego se qysh, dikush qi e pranon se nuk e di gjuhën, ka me e përkthye atë gjuhë?
Ladinski nuk po e përkthen Hafizin origjinal prej persishtes. Edhe për dallim prej disa “variantistave” (Koleman Barksi asht ma i talentuemi këtu) qi e përkthejnë Rumin prej përkthimeve të fjalë-për-fjalshme viktoriane të cilat i marrin dhe i rishkruejnë në vargje të lira amerikane, lidhja e Ladinskit me tekstin e poezisë së Hafizit asht inekzistente. Ladinski pohon se vet Hafizi iu shfaqë në nji andërr edhe ia dhuroi “përkthimet” qi po i boton në anglisht.
“Mbas gjashtë muejsh pune e pash nji andërr marramendëse ku Hafizi u paraqit si nji Diell i pafundëm burimi (e pash si Zot), e i cili m’i këndoi qindra vargje të poezisë së tij në anglishte dhe më tha me ia dorëzu këtë mesazh “artistave dhe kërkuesve të mi”.
S’asht puna jem me debatu me njerëz rreth andrrave të tyne, por jam goxha i sigurtë se përkthimi nuk funksionon ksisoji. Nji dijetar i madh i letërsisë persiane dhe asaj urdu, Kristofer Shakëll, prodhimtarinë e Ladinskit e përshkruen si “jo si nji parafrazim, po si nji imitim qesharak i stilit të mrekullueshëm dhe të farkëtuem të mjeshtrit ma të madh të art-poezisë persiane”. Nji kritik tjetër, Murat Nemet Nexhati, poezitë e Ladinskit i përshkruen ashtu siç janë: poezi të Ladinskit të maskueme si “përkthime”.
Unë due me dhanë merita aty ku duhet, më pëlqen poezia e Ladinskit. Edhe përmbajnë thellime mistike. Disa pohime qi Ladinski ia atribuon Hafizit janë, në fakt, të vërteta mistike qi i ndigjojmë prej mistikëve të ndryshëm. Edhe përnjimend asht nji poet i talentuem. Shifni këtë varg, për shembull:
“Kisha deshtë me ta diftu’
kur t’jesh n’vetmi a n’errësi'
dritën e mrekullushme t’qenies tande”
Këto janë të mira. Të fuqishme. Dhe shumë mistikë, përfshi këtu edhe mjeshtri sufi të shekullit XX, Pir Vilajeti, ua hidhke atë synin e fuqishëm nxansave të vet edhe thonte se kishte dëshirë të zjarrtë qi ata ta shihnin veten dhe vleftën e tyne ashtu siç i sheh ai. Kështu qi, po, poezia e Ladinskit asht mistike. Asht poezi e çmueshme. Shumë mirë qi asht i radhitun në Good Reads si urti e “Hafizit prej Shirazit”. Problemi asht qi Hafizi i Shirazit nuk ka thanë asgja të tillë, po Daniel Ladinski prej St. Louis-it.
Poezitë janë me të vërtetë të bukura. Ama ato thjesht nuk janë … Hafizi. A janë ato… Hafiziane? Hafizike? Shumë prej neve kishin pas dëshirë qi Ladinski, në vend se me botu në emër të Hafizit tue ja përvetësu emrin, ta kish botue veprën e vet në emër të vetin.
“Përkthimet” e Ladinskit janë paraqitë në Oprah, BBC e të tjera. Zyrtarët qeveritar i kanë përdorë ato në raste-raste kur kanë deshtë me i përfshi folësit pers dhe iranianë. Tani ato janë pjesë e urtisë shpirtnore të Lindjes, të shpërndame nëpër qarqet perëndimore. Mirë për Ladinskin, ama na jemi tue humb mundësinë me ndigju prej Hafizit të vërtetë. Edhe kjo asht turpni.
Pra, kush ishte Hafizi i vërtetë (1315-1390)?
Ai ka kenë mysliman, urtak persisht-folës, përmbledhjet e poezive të dashnisë u ban konkurrencë veç Mevlana Rumi në kuptimin e ndikimit dhe popullaritetit. Emri i Hafizit ka kenë Muhammed, edhe nofka e tij ka kenë Shamsudin (Diell i dinit). Hafiz ka kenë nofka e tij nderuese për shkak se ka zanë përmendësh tanë Kuranin. Përmbledhjet e tij të poezive, Divani, asht thirrë si “Lisan el Gajb”
[shq. Gjuha e gajbit apo rruzujve të padukshëm].
Nji dijetar madhështor i Islamit, i ndjeri Shahab Ahmedi, për Divanin e Hafizit u shprehke kështu: “Ai asht ma i kopjuemi, gjanësisht i shpërndami, gjanësisht i kënduemi, gjanësisht i recituemi edhe gjanësisht i proverbalizuemi libër poezie në tanë historinë islame”. Edhe nëse asht shprehje për me u debatue paksa, prapë jep shenjë rreth ndjekjes së tepërt të tij. Poezia e Hafizit konsiderohet si epitoma e persishtes në traditën e gazeleve.
Botëkuptimi i Hafizit asht i pandamë prej botës mesjetare islame, zhanrit të poezisë persiane të dashnisë, e shumë të tjera. Edhe prapë, në nji mënyrë të lezetshme, asht e pamundun me e ngulitë a përkufizue disi. Ai asht nji mistik, edhe pse i ngacmon me tallje mistikt' mburravecë. Emri i tij asht: "Ai qi e ka mësue Kuranin përmendësh", ama njiherit, ai neveritet prej dyftyrësisë fetare. Ai e kallxon devotshmërinë e tij, teksa poezia e tij asht e mbushun me referenca të dehjes dhe venës, të cilat mund të merren në kuptimin e fjalëpërfjalshëm apo edhe atë simbolik.
Njena ndër gjanat ma madhore të poezisë së Hafizit asht shumëkuptimësia e saj. Ato janë sikur nji testim psikologjik i Rorsçaç-it në poezi. Mistikt' e marrin si shenjë të përmallimit të tyne, ashtu bajnë edhe pijanecat, po njikohësisht edhe anti-fetarët. Mbase asht nji punë e kotë me u mundue me ia imponu nji kuptimësi dhe vetëm nji Hafizit. Kish me kenë si me e vjedh prej asaj se çka ai përnjimend asht... Hafiz mo!
Tyrbja e Hafizit në Shiraz, ky i fundit qytet madhështor i Iranit, asht vend i popullarizuem pelegrinazhi edhe vend qi shumë iranianë të sapomartuem e zgjedhin për muejin e tyne të mjaltit. Poezia e tij, krahas asaj të Rumit dhe Saadiut, janë elementet kryesore të vokalistëve iranian edhe në ditët tona, si shembull, këndimet e Shahram Nazerit dhe Mohammedreza Shaxharianit.
Sikurse poetët e mistikët e tjerë persian, ndikimi i Hafizit asht shtri përtej Iranit të sotëm edhe mundet me u ndi kudo qi kultura persiane ka kenë e pranishme, tue përfshi këtu Indinë, Pakistanin, Azinë Qëndrore, Afganistanin dhe tokat osmane. Persishtja ka kenë gjuha par exellence [më e shkëqyer] letrare prej Bengalit e deri në Bosnjë për thuja njimijëvjet, nji realitet i cili, fatkeqësisht, asht varrosë nën pendët e nacionalizmit dhe linguistikës bashkëkohore.
Ajo çka po ndodh këtu mund të shifet deri diku, edhe pse në nji shkallë ma të vogël, te Rumi: zani dhe gjeniu persisht folës, myslimani, mistiku, urtaku sensual i Shirazit, asht uzurpu edhe zhduk; asht marrë prej nji amerikani të bardhë i cili nuk ka asnji lidhje me Islamin e Hafizit apo me traditën persiane. Kësaj i thuhet shlymje edhe kolonializëm shpirtnor. Gja qi asht me të ardhun keq, sepse poezia e Hafizit e meriton të lexohet në mbarë botën bashkë me Shekspirin, Toni Morrisonin, Tagoren, Whitman-in, Pablo Neruden, Rumin e vërtetë, Dao De Çing dhe Gita-në, Mahmud Dervishin, e të tjerë të ngjashëm.
Në nji intervistë përgjatë vjetit 2013, Ladinski, për poezitë e tij të botueme në emër të Hafizit u shpreh kështu: "A asht Hafizi apo Danni? S'e di. A ka me të vërtetë qaq randësi?!" Mendoj se ka tepër shumë randësi. Këtu ka shumë probleme qi kanë lidhje me gjuhën, bashkësinë dhe pushtetin.
Ky nuk asht thjesht nji debat përkthimi e as debat mbi metodat alternative të përkthimeve. Kjo asht çashtje e pushtetit, privilegjit edhe shlymjes. Në çdo librari asht nji hapsinë e kufizume e dollapave për libra. A kemi me e pa në to Rumin e vërtetë, Hafizin e vërtetë, apo veç ndonji përvetësim hileqar të emrave të tyne? Si asht e mundun qi botuesit kanë botue libra nën emrin e Hafizit pa e pas dikond sado pak të familjarizum me te, me i kontrollue këto përkthime me hile e me i krahasue me origjinalin edhe me i pa se a kanë ndonji lidhje me to? A ka kenë, në atë dhomë ku janë marrë këto vendime, ndojkush i lidhun tamam me bashkësitë të cilat kanë jetue përmes Hafizit me shekuj me radhë?
Poezia e Hafizit nuk ka ndejtë e pluhnosun nëpër dollape librash. Ka kenë edhe vazhdon të jetë litar shpëtimi për poezinë dhe imagjinatën fetare të dhjetëra e miliona njerëzve. Hafizi ka çka me thanë, ka çka me i këndu tanë botës, ama me i anashkalu dhjetëra miliona njerëz të cilët e kanë mbajtë Hafizin në zemrat e mendjet e tyne, qashtu sikurse Hafizi e ka mbajtë Kuranin në zemrën e mendjen e vet, asht tamam nji shlymje edhe përvetësim hileqar.
Na jetojmë në nji kohë kur presidenti i Shteteve të Bashkueme të Amerikës si fushatë pati sloganin islamofobik, "Islami na urren". Menjiherë, si u ul në karrigen e pushtetit, themeloi nji ndalim mizor ndaj myslimanëve. Ashtu sikur na rikujtojnë Eduard Saidi dhe teoristë të tjerë, bota e kulturës asht e pashkëputun prej botës politike. Pra, ka diçka shejtanike qi i mbanë myslimanët jashta kufijve tanë, e njikohësisht jau plaçkitë xhevahiret e kurorave të tyne edhe i përvetëson ato me hile, jo me anë të përkthimit, po me dekorime poezie qi në vetvete nuk mbajnë asnji lidhje me origjinalin. Pa deshtë me i barazue këto të dyja, ama dinamika këtu asht shumë e ngjashme me mahnitjen e Amerikës së bardhë ndaj kulturës dhe muzikës së Zezë, ku njikohësisht Amerika ban çmos me i përjetësue sistemet dhe institucionet qi e lajnë popullatën e Zezë pa frymë.
Po e përmendi edhe nji element për fund: Asht përnjimend veprim dhune nëse e hjek Islamin prej Rumit apo Hafizit, qashtu qysh ka ba Landiski. Ama asht diçka tjetër me e hjek Rumin edhe Hafizin prej Islamit. Kjo asht nji çashtje tjetër, asht nji punë dhe mundësi qi myslimanët me e riimagjinue nji fe e cila asht e thellësisht e ndikueme prej botës së poezisë, shumëngjyrshmënisë, rahmetit, dashnisë, shpirtit dhe bukurisë. Asht njiashtu puna jonë qi mos me kenë të kënaqun veç me kritikat ndaj atyne qi përvetësojnë urtakët myslimanë dhe e shlyejnë praninë e myslimanëve në trashëgiminë kulturore të tyne, por me e riimagjinue Islamin, ku zani i personaliteteve si Rumi dhe Hafizi zanë vend qëndror. Kjo ka kenë pjesë e shumë prej atyne qi ndihen të thirrun e ndjekin fillesat si: Illuminated Courses.
Oh, edhe diçka krejt për fund: Emri i tij [në persisht] lexohet Hâféz, jo Hafíz. Aman!*
Shënime: *Normalisht, po iu flet anglishtfolësve. Në kulturën tonë shqiptare, e kemi përvetësue gjuhën e osmanëve, sidomos fjalët fetare. Përshembull, për mbamendësin e Kuranit nuk themi "hafez", por "hafiz". Prandej, edhe këtu, emri i tij asht shqipnu si Hafiz. (shën. përkth.)
Burimi: Safi, Omid. “Fake Hafez: How a Supreme Persian Poet of Love Was Erased”. Al Jazeera, Al Jazeera, 14 qershor 2020.
Shqipëroi: Trandofilishta (26 tetor 2025)
© Shqipërue dhe përkthye me lejen e autorit.
tags: Hafiz Shirazi, poet persian, Hafez, poezi perse, poezi persiane, poezi sufiste, jetëshkrim i Hafiz Shirazit, jeta e Hafiz Shirazit, Shiraziu, gazel, rubairë, rubaira, shqip, poezi, Omid Safi