Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Nga jetshkrimi i njerzve të mdhaj t'orientit
Hafizi Shiraziu
Hafizi Shiraziu ka qenë i pagzuem me emnin Hoxha Shemsuddin Muhamed dhe ka jetue në kohnat e sundimit të dinastisë Ali Muzaffer. [1] Ai mbasi mbaroi ditunit e mesme dhe të nalta në Shiraz, u muer me dhanje mësimesh të sa e sa nxansve, si nji hafizi Kur-an dhe theollog i famshëm, në medresen qi kishte ngrehun postafat për 'tè Kryeministër i Shahu Shuxhaaut, Kivamuddin Hasani, i cili Hafizin e kishte rritun dhe e simpathizonte së tepërmi.
Hafizi, si dijetar i thellë në Hadith e Tefsir ka pas bamun nji "Hashije" (not marginale) Tefsirit të Kazi Bejzaviut, nji raport të përsosun "Qesh-shafi Zemahsheriut" dhe sa e sa vepra të tjera. Buja e dinjiteti i Hafizi Shiraziut u përhap n'an'e kand të botës, sa qi emni i tij përmendesh me simpathi të madhe prej të gjithve.
Në ditët ma të shkëlqyshme të kohnave, kur Hafizi ndodhesh në krye të shërbimit tue dhanë mësime, vdiq Shahu i Semerkandit dhe si trashigimtare la të bijën e vetme qi ishte tepër e bukur dhe e hijshme. Hafizi, këtë lajmë e kishte ndigjuë prej udhtarve t'ardhun nga Semerkandi të cilët aqë shum e smadhojshin bukurin e princeshës trashigimtare, sa qi ky në absans e ndjeu zemrën e tij të prekun e të pushtuëm me dashunin e asaj bukureshës së pa shoqe!
Nji kohë të gjatë ai vujti së tepërmi nën brengën e mallëngjimit e të dashurisë qi mbëshefte në kandet ma të thella të zemrës së tij por ma në fund nuk mund të durojë dhe vendosi t'a takojë, t'a shofi me syt e ballit perëndeshën e andrruëme. Nji dit prej ditësh, kur ishte tue dhanë mësimet e zakonshme në Medrese, u mendue shum dhe në mjesnatë mbasi ndroi petkat, veshi nji hërka në trup, vuni nji qylah në krye, si nji kalender dhe hiku prej Shirazit tue u nis në kambë drejt rrugës të Semerkandit. Populli i Shirazit ngel i habitun dhe gjith bota asokohe, u çudit nga humbëja misterioze e këtij dijetari të shquem.
Në Divanin e tij ka shum vjersha qi shpjegojnë këto ndodhina plotvujtje, por neve këtu do të mjaftojmë vetëm me përkëthimin e do pjesve qi po botojmë ma poshtë:
Ej ba gami Tu mara pejvendi lajezali,
Kad daa fi hevaqe ymri ve laubali.
Ez abi dide jara, shyd razem ashiqara,
Irham ala dumui, ja men alimte hali.
Men terqi din-u dynja qerdem zi arzujet,
Xhaveztu fi hevaqe an hybbi xhah ve mali.
Hafiz egjer bimired ber khaqi asitanet,
Kad sare dha hajatin qanet bila zevali.
Qi don të thotë:
O ti qi me brengën t'ande kemi lidhje nè përjetë!
Me ashkun t'and na shkriu jeta dhe nuk themi çka na gjetë.
Sirri tem u duk O jar! prej ujit qi më rjedh nga sytë,
Mëshiroji lotët e mi, ti e dij qi jam i Ytë.
Dinin lash edhe dynjanë nga qi Ty të dashuronjë
Ç'jan 'Ofiq' e pasunina, as nuk du' t'i mendonjë.
Mbi dhenë, qi shkel kamba jote sikur të vdes' Hafiz' i shkretë,
Me të vërtet jetën e jetve, ai at-herë e ka gjetë.
Mbas nji udhtimi të gjatë e të lodhshëm, ai mundi të mbërijë natën mbi nji kodër, në s'kanjë kryeqytetit Semerkand, prej ku shifte lehtë nepër rrezet e dritave xhixhëlluëse, panoramën e qytetit. Ashtu, si ishte në kambë, i hodhi nji vështrim e përnjiherësh i tërhoqi vrejtjen nji pallat madhështor, ndriçimi i shkëlqyshëm i të cilit shpërthente nër të katër anët. Rrezet e fenerave të mëdhej depërtojshin edhe skutat ma të strukuna. Oborri i gjanë përmblidhte lloj lloj lulesh plot me erna të kandshme. I zhytun ndër mendime filluen t'a shtyjnë kambët për teposhtë, e tue kalue për mes shtëpijave të denduna, po i afrohesh pallatit mbretnuer, pranë të cilit i duhesh me doemos të vendosej. Ai tue u largue pak, ndeshi në nji rrugicë qi të çonte në nji pyllishte të braktisun, ku nji drit e venitun magjike delte nepër nji dritore të vogël të nji ndërtese së vjetër. I afrohet dhe me njiherë e kupton se nuk ishte e banueshme, por nji Tyrbe, vorr i ndonji shêjti, qi dikur do të kishte bamun mrekullina ndër këto vende legjendare e prallore.
Çeli portën, me ngadal, hyni mbrenda me përuljet e zakonshëme dhe mbasi fali dy reqat nemaz, i u lut shpirtit të shêjtit qi t'i mbarojë qëllimin dhe t'i plotsojë dëshiren e zemrës. U ngrit herjet, pastroi e fshini an'e kand Tyrben, dhe bujti tre net në këtë vend të bekuem. Çdo nat me lutje e falje kërkonte përmbushjen e qëllimit dhe të dëshirës q'e kishte shtytun me ardhë deri në këto vise të pa njohuna...
Të tretën natë, afër agimit i u shfaq në andër shêjti i Tyrbes tue i thanë: Hafiz, ndigjomë! baj si banë në Tyrben t'eme, shko fshi e pastro rrugët para pallatit tre net rreshtë e ke me pâ at-here qi do të plotsohet qëllimi i ytë.
Hafizi u que me njiherë plot gzimë, në zemër ndinte të rrafuna enthusjazmi. Në këtë gjendje ai kaloi tanë ditën tue pritë me pa durim. Me gjith qi hante me pakicë nga gjanat ushqimore, qi kishte marrë me vehte, nuk donte me dijtë as pak për këtë vujtje trupore. Ai priti natën plot shpresë dhe në të thyme të sajë duel nga Tyrbeja, shkoi afër Pallatit të Princeshës trashigimtare, fshini me kujdes rrugët q'e rrethonin, hyni edhe mbrenda dhe pastroi oborrin e Pallatit.
Në mengjes, kur personeli i Pallatit u zgjue nga gjumi pâ me habì të madhe se oborri ishte fshi e pastrue, si me thanë prej xhindve. Ata, për herën e parë nuk i dhanë randësi, por kur e panë se kjo ngjarje e pa pritun edhe e pa shpjegueme u persërit edhe natën e dytë, atëherë Ministri i Oborrit Mbretnuer i a raportoi çashtjen Princeshës Trashigimtare e Fronit.
Princesha u çudit nga kjo ngjarje, sa magjike aq edhe fantastike, dhe desht me marrë vesht qëllimin e njikohësisht m'e shti në dorë vepruesin misterioz. Ajo u dha urdhna kategorike rojeve të Pallatit, qi me doemos t'a kapin fantazmën e natës dhe pa shikue kohë ose orar t'i'a çojshin me njiherë perpara asajë.
Kur natën e tretë Hafizi po fshinte e pastronte oborrin me nji herë e kapi patrolla e rojes, dhe e çoi përpara Princeshës. Tash Hafizi ndodhesh në prani të dashnores Engjelluëshe, trupergjend, flokë dredhun si zamak e kohnave mithologjike qi s'kishte shoqe. Hafizi u perul në gjunj si nji kalender i bindun, dhe po e veshtronte me sy mallngjimi Princeshën e adhurueme, por kjo me njiherë e pyeti:
- Kush jeni juve?
- Nji njeri pa njeri... nji i merguem! i tha Hafizi.
- Kah je Ti? e pyeti Princesha.
- Prej Shirazit i u pergjigj Hafizi.
Me njiherë Princesha u dalldis në mendime, i a nguli syt Hafizit nga kryet gjer në kambë, pse ajo e kishte ndigjue bujën e madhe të dijetarit e poetit të Shirazit, dhe e paramendoi se ky njeri i çuditshëm mundet të jetë aji vetë, kështu qi e pyeti me kurreshti:
- Mos jeni juve Hafizi Shiraziu?
- Po Madhështi! Nj'ashtu më thrasin, sikurse udhnoni! I u përgjegj.
Princesha e Semerkandit, me njiherë i u perulë ke kambët e tij, i puthi duërt e gjunjt tue i thanë çiltas:
- Hafizë, u banë shum kohë qi, në absancë, të kam çmuë si nji njerì të madh, dhe jam bamun ashika e dijës dhe e bujës t'Ande. Pra edhe un jam gati me i pjestue me Ty kunorën e Fronit, dhe pasuninë Mbretnore, edhe me Ty dëshiroj me bashkuë jetën t'eme përgjithmonë...
- Hafizi i u pergjigjë:
- Ju falënderoj së tepërmi, O perëndeshë e bukurisë! Zoti ju bekoftë me gjith të mirat e veta në të dy jetët... Por unë pa marrun pelqimin e nji personit shpirtnuër, nuk mundem me të dhanë fjalën, prandej më lejoni t'Ju lutem të takoj ma së pari me të dhe mbasandej t'u bije përgjigjen!
- Princesha, me kusht qi të kthehet prap, e lejoi me shkuë. Ai u nda e doli nga pallati tue u drejtue kah Tyrbeja e Shêjtit. Me të arritun aty u përul në shenjë mirënjoftje dhe mbasi fali dy reqat nemaz, ngriti duërt tue i u lutun Zotit si vijon:
O Zot, i madhnushem! pse e pastrova tre netë rresht tyrben e ktij, Shejti, me kët sherbim kaq të vogël, ai më ndihmoi të permbush dëshirën; po Ti qi je Zotnuësi i të gjith botnave, afro dyzet vjet falje e lutje qi të kam drejtue, tue vuëm kryet në tokën e besnikisë, si mos të më mbarosh qëllimin dhe të më pranosh në radhën e Ashikinve të dashunis Hyjnore!
Tue u lutun e thrritun kështu, me ofshitjet ma të prekshme, Hafizi u gjend para nji ndryshimit të çuditshëm (Simbas theoris mistike qi thot: Amori korporel asht ura e amorit Spirituel), u hodhë me njiherë nga dashurija materjale n'atë shpirtnore, pse, si dihet prej gjurmusave të Hyjnisë, "nji ekstaz nga zbulimet e Zotit zenë vendin e veprave të njerzve dhe të xhindve". Kështu qi Hafizi i shkretë i thëthitun prej ksajë drite, i inspiruem thellsisht dhe i hutuëm krejt ksodore u ba mbreti Ibrahim Etëhem i dytë dhe la të dashunën e zemrës, kunorën e ofruëme, Fronin e pasunin e premtuëme nga Princesha e vendit.
Ai preferoi udhën e vetmisë, veçunisë dhe u larguë prej Semerkandit pa u takuë, pa e pamun edhe njiherë me Princeshën, të bukurën e Dheut. Mori rrugën e mërgimit dhe hupi nga syt e botës.
Mbas dy vjetëve, kur Hafizi u kthyë prej mergimit në Shiraz, Kryeministër Kivamuddin Hasani, q'ishte Mbrojtës'i tij, e mori prap në pallat dhe e ndaloi shumë kohë nga të dalunit jashtë. Mirë po nuk ishte ma ai Hafiz'i parë, q'i u epte nxansve mësime theollogjike në Medrese; tash ai ishte tue kaluem nji jetë kalenderi... Prandej kishte hupun simpathin e parë në popull tue u mbajtun gjallë me dhuratat e pak princave e pasanikve, q'i a çmonin vleftën shpirtnore.
Këtë gjendje misterjoze të tij Hafizi e përshkruën kaq bukur në vjershat, sa njeriu habitet dhe kur i leçitë shoqnohet pa dashun me brengat e zemrës së tij. Le t'a ndigjojmë pra çka na thotë:
Gjer hem çu men yftadei in dam shevi,
Ej bes qi kharabi bade vu xham shevi.
Ma mesti kharab ve rindi alemi suzim
Ba ma menishin ve gjerne bed nam shevi.
Don me thanë:
Po rè kshtu sikurse un' në lakthin e dashunisë,
Harabati bahe, O jar! në shkatrrime katandisë;
Harabati të dehun jemi, na përbuzë bota e tanë,
Mos rri me ne se dhe ti i keq bahesh, O Xhanan.
Kështu Hafizi, me vjershat alegorike të posht-shenjume, mundohet të ndriçoj kundërshtarët, qi mos t'i përbuzin njerzit (Harabati), qi në mbrendësinën e shpirtit janë të pajosun me dritën Hyjnore por qi në dukje shifen si të prishun e të shkatrruëm.
Ajbi rindan meqyn ej zahidi paqize sirisht,
Qi gjynahi digjeran bertu nekhahend nyvisht.
Ma der pijale aqsi rukhi jar dideim,
Ej bihader zi ledhdheti shurbi mydami ma.
Hergjiz nemired anqi dilesh zinde shyd be ashk,
Thebtest ber xheridei alem devami ma.
Sagari mej ber qefem nih ta zi ser,
Ber qeshem in delki ezrak fam ra.
Gjerçi bed namist nezdi akilan,
Ma nemi khahim nenqu nam ra.
Shyde-em kharab-u bed nam, ve henyz ymid varem,
Qi be himmeti azizan biresem be niq nami.
Don me thanë:
Harabatit mos i përbuz, O Zahid i pastruëm!
Pse mkatet e të tjerve ty s'kanë për me t'i shkruëm.
Nè në gotën shofim hijen e Jarit t'onë kurdoherë,
Ti s'e din shijen e venës O njeri i pa haber.
S'ka me vdekun kurr njeriu, qi me ashk zemrën ndriçonë,
Në fletoren e ksajë bote, shkruëm asht vazhdim' i jonë.
Vene gotën n'grushtin t'em sa qi prej trupit t'a nxjerr,
Këtë Xhybe me ngjyrë të mavi, qi ma bani mendjen erë.
Sadoqi këjo asht gja e keqe pranë njerzve me mendë,
Por se na nuk duëm me dijtë as për bujë, titull e vendë.
Qenkam ba i rraskapitun, i përbuzun por shpresonjë,
Me ndihmën e Erenlerve mirsit t'i trashigonjë.
Janë shumë të pakë ata lexues, qofshin edhe studijues të mirë, qi kanë kuptue si duhet e me themel termat, frazat dhe shkronjat simbolike të përdoruna në Divanin e Hafizi Shiraziut. Atje, nër shumë vende, gjejmë fjalë si gotë, pije, etj. por për t'a kuptue qëllimin e vërtetë të tyne lypset me studijue veçanërisht këto dy vjersha të Tij:
Bidih Saki, an Khusrevani kadah,
Qi dilra bijefzajed ve xhan ferah.
Murad ez kadah badei sermedist,
Ve zin bade maksud-i ma bikhodist.
Don me thanë:
Ma ep o Saki, atë gotë mbretnore,
Qi për shpirt e zemër ajo asht gazmore.
Qëllimi i kësaj gote, asht pija Hyjnore,
Me këtë largohemi nga jeta landore.
Mbreti Suxhaa, qi n'atë shekull përfaqësonte Mbretnit e brezit t'Ali Myzaferit, ishte idhnuë me Hafizin për shkak të disa lojnave e talljeve qi kishin ndodhun midis tyne. Kundershtari tue e marrun për pretekst nji vjershën e Hafizit qi vinte në dyshim ditën e nesërme (Ahiretin), nxori nji fetva për denimin e tij me vdekje. Kështu Hafizi, me të ndigjuëm kët lajmë, u friguë tepër dhe shkoj e i u lut Shejh Zejnyddini Taibariut, i cili e këshilloi qi asajë copë vjershe t'i shtonte ma parë nji tjetër, tue thanë se kështu ka thanë akcili, dhe Hafizi, mbi rekomandimin e Shejhit shtojë këtë vjershë:
In hadithem hosh amed qi sehargjah migjyft,
Ber deri mejqedei ba def-u naj ter sai.
Don me thanë:
Kjo fjalë mirë m'erdhi në kohë t'agimit kur e tha,
Me deg e naje mu ke porta e pijetores nji tersa. [2]
Këjo vjershë e pshtoj për mrekulli nga vendimi i paramenduem i Mbretit. Vjersha e Hafizit qi vinte në dyshim gjykimin e së nesërmes, në bazë së cilës u denuë me vdekje asht kjo:
Gjer myslimani ezinest qi hafiz dared,
Ah! gjer ez peji imruz byved fer daji.
Don me thanë:
Në qoftë myslimanisi kjo, qi Hafizi ka vetë,
Ah! pasë ksajë dite, në ka: (nesër) se ç'e pretë.
qi donë me thanë, Myslimanisi në qoftë kjo, qi Hafizi i mjerë, mbas ksajë dite, mbas ksajë jete, në se ka të nesërme: ditë gjykimi, se ç'denim e pret.
Thohet se Hafizi ka jetuë edhe në kohën e Timurlengut, qi pushtoj Shirazin edhe midis të dyve kanë shkëmbyë do tallje (shakara) si mbas zakonit edhe kohës.
Ishin shum të pakë të thuësh se nuk gjindëshin fare, njerzit qi në kohën e tij t'a çmonin Hafizin e shkretë. Ai, sa bukur asht mundue t'a shprehi keqardhjen e tij me këtë vjershë:
Mahremi razi dili shejdaji khod,
Qes nemi zi has-u am ra.
Don me thanë:
Qi të marri vesh misterin e zemrës s'eme lajka plot,
Njeri s'pashë as nga masa, as elita në këtë botë!
Hafizi ka ndrûm jetë me 791 (1389), dhe mbas nji të thanëmes tjetër më 794 (1392), në Shirazë: nga përbuzja e madhe q'i bante populli nuk dojshin m'i a falun edhe Xhenazen. Por disa nga parsija e vendit ngulën kambë edhe tue iu drejtuë Myftiut të kohës kërkuen fetva mbi ketë çashtje. Atëherë Myftiu, tue j'a marrë parasyshë veprat e fjalët e Hafizit, u konsultue me kundërshtarët, qi nuk dojshin m'i falë xhenazen, hudhën short mbi vjershat e pa mbledhuna të tij, dhe për çudin e tyne të madhe ndodhi mrekullija, qi përfundimi i ktij konsultimi fetar ra shorti mbi kët vjershë të Hafizit:
Kadem dirid medar ez Xhenazei Hafiz.
Qi gjerçi garki gjynahest mireved bebihisht.
Do me thanë:
Mos u hiq nga Xhenaz'e Hafizit as mos e braktisë
Sado qi asht plot mëkate, ai shkon në paradisë.
Myftiu u çudit dhe gjith populli u habit; ketë short ata e cilsuën si nji mrekulli të Hafizit dhe kështu funeral' i tij u përcuell me pjes-marrjen e të gjith klereve, e kësisoj u vorros me nderime të posaçme në "Musal-la-në" e Shirazit, n'atë banesë të fundit, qi ai, në jetën e vet, e kishte lavdëruë pa masë.
Muhamed Muammaiu, qi ishte Kryeministër i Herojt Ebylkasim (pushtuës i Shirazit), ngrefi mbi vorrin e Hafizit nji Tyrbe të bukur e të stolisun.
Hafizi Shiraziu asht nji nga vjershtorët e mdhej të Iranit. Vjershat dhe gazelet e tij janë të kthjellt e të rjedhëshëm dhe me frymzime kalenderane. Ai vetë nuk u mundue me i përmbledhë të gjitha vjershat e tij, por ma vonë nga ndjeksit e vet Sejjid Kasim Envariu i mblodhi gjith vjershat, gazelet, rubairat dhe bani DIVAN-in me famë botnore të Hafizit.
Ky Divan i bukur, i stolisun me lulet ma të kandshme të shpirtit të poetit, u pëlqye dhe u lavdëruë shumë prej dijetarve, poetënve të Lindjes dhe Perendimit. Kjo vepër e famëshme i u tërhoqi vrejtjen të gjithë qarqeve intelektuale t'Evropës dhe si përfundim u rujtën, me shum kujdes në shum Biblioteka si në Paris, Londër, Berlin, Vjenë, Petresburg, kopjet e tij të ndryshme, të shkruem me dorë dhe të shtypuna, të cilat janë përkthye në gjuhnat Engleze, Franceze e të tjera. Divani i Hafizit në Francë e gjetiu asht futun nër mësime nëpër shkollat, qi kanë programe orientale.
Hafizi, si shumë njerëz të mdhej në botë, u çmue nga njerzit mbas vdekjes së tij. Nuk dihet në se ai ka pasë marrë dorë ke ndonji Shejh i kohës, por na gazelet e tij të flaktë, plot dritë e dashni Hyjnore, kuptohet çiltazi se ka qenë në natyrë e karakter t'YVEJSIVE, qi janë të stërvitun shpirtnisht e drejt për drejt nga drita e Profetësisë Muhammedit (a.s). Ai ka qenë nji Dashnorë i Perëndisë, Mbret i vjershtarve, gjuha e botës tejtoksore, përkthyes i mistereve, shenjt i padiktuem para syve të njerzve të cekët.
Ja vjershat e tija qi dëshmojnë pretendimet t'ona:
Nist der daire, xhyz noktai vahdet qem-u bish,
Qi men in mes-ele bi çun-u çera mibinem.
Dostan! ajbi nazar bazi-i Hafiz meqynid,
Qi men ora zi myhibbani khuda mibinem.
Hafiz zi xhan muhibbi Resulest ve Ali o,
Hakka ber i gjuvast khudavendi eqberem.
Çyn Ahmedem shefië byved ruzi restkhiz,
Gju in teni belaqesh-i men pur gjynah bash.
Anra qi dosti Alij nist qafirest,
Gju Zahidi zemane ve gju Sejhi rah bash.
Imruz zinde-em bevelaji Tu ja Alij,
Ferda beruhi paqi Imaman gjyvah bash.
Hafiz! tariki bendegji-i Shah pishe qyn,
Ve angjah der tarik, çu merdani rah bash.
Ançi xhani ashikan ez desti hixhret mi qeshed,
Qes nedide der xhihan, xhyz teshne gjani Qerbela.
Hafiz! egjer kadem nihi der rahi khanedan, besidkë,
Bedrikai rehet sheved himmeti Shahnei Nexhef.
Don me thanë:
Në rreth të qenjes veç nji pikës së njisis, s'ka met as tepër,
Këtë çashtje e shof hapët ashtu kështu s'ka udh' tjetër.
Ju, O miq, mos e turpnoni Hafizin pse dashuron,
Se në radhë të miqve t'Zotit ai vend zotron.
Hafizi asht mik' i Resulit dhe i Alit t'ti,
Si dëshmuës të vërtet ka të madhin Perendi.
Kur Ahmedi t'em t'jet ndihmës në ditën e gjykimit,
Thuej, ky trupi me mëkate si mos t'ia arrij shpëtimit.
Ai qi s'asht mik' i Aliut asht mohuës i Perendisë,
Si do me qenë, thuej, Zahid ose Shejh, a po Prijsë.
Me lidhjen t'ande ja Alij jam i gjallë këtë ditë,
Me shpirtin e Imamve nesër ti më nzjer ne dritë.
O Hafiz udhën e Shahut zene ti me bindsi!
Ti ksodore të udhëtosh si Burrat me vleftësi.
Atë qi shpirt i ashikve vuen nga brengimi Ytë
Veç dëshmorve t'Qerbelasë, në bot kush s'e pa në sytë.
Hafiz ti me besniki Ehlibejtin në gjyrmon,
Shahu i Nexhefit të bahet rrugë heqës: të shpëton.
Si nji shembëll të gjallë të parashikimevet të tij, po botojmë këtu nji gazel, qi duhet sikur ka buruë prej gurrës së mystereve jetike vetëm e vetëm për me vajtue fatkeqsinat e njerzimit qi shkaktohen prej prishjes së karakterit e të humbjes së virtyteve të nalta:
In çi shurest qi der devri kamer mi binem
Heme afak pur ez fitne vu sher mi binem.
Her qesi ruzi bihi mitalebed ez ejjam,
Il-leti anest qi her ruz beter mi binem.
Duhteranra heme xhenqest-u xhedel ba mader,
Pyseranra heme bed khahi peder mi binem.
Hiç rahmi ne birader be birader dared,
Hiç shefkat ne peder ra be pyser mi binem.
Eblehanra heme sherbet zi gjylabestu sheqer
Kuti dana heme ez khuni xhingjer mi binem
Pendi Hafiz bishnev khaxhe birev niqi qyn!
Qi men in pend bih ez dyru gjuher mi binem.
Don me thanë:
Çfar ngatrrese kjo, qi unë në koh' paqe po vështronjë.
Tanë botnat janë përleshun dhe po mbyten thonj me thonjë.
Çdo njeri nji ditë të bardhë po kërkon nga koh' e shkretë,
Pse ditnat qi vijnë, janë ma tepër lumë e detë.
Shifi vajzat jan' në grindje me nanat pa pushim,
Djemët me babat e tyne si anmiq në luftim.
As vllaj për vllanë s'ka mëshirë e sulmonë,
As baba s'do të birin, biri babën s'e peshonë.
Të pa ditunit të gjith han' gjylaç edhe sheqer,
Por të ditunit të tanë hanë breng' dhe zeher.
Digjo fjalën e Hafizit: shko dhe ti gjithnji baj mire,
Kjo këshillë vlenë ma shumë se inxhi e xhevahirë.
Nuk mundet të lam pa botuë edhe këtë katrore, qi asht kryefund nji lutje e përvujtëshme për të naltin Alij:
Kassami bihisht-u duzakh an ukdeqyshaj.
Mara negjydhared qi der ajim zi paj.
Ta qej reved in gjyqi rubaji binumaj,
Ser pençei dushmen-yfqen ej shiri khudaj.
Don me thanë:
Ndasi i Paradisit, i Skëterës në çdo ças,
Mos na len të hutuem: kamba jonë të na shkas!
Deri ku ka me shkuë kjo rrëmuj e djallëzisë,
Hudhe doren, ndal anmikun, O Luan i Perendisë!
Por edhe para se t'i napim fundi këtij përshkrimi modest qi jemi mundue t'i bajmë Hafizi Shiraziut, kujtojmë se asht nji detyrë njerzore t'i a përmendim edhe këtë lutjen e tij tepër interesante nga pikpamja testamentale:
Mara bidaat inest gjer der medhakat yftad,
Dyr-rehaji siëri Hafiz binuvis der xheride.
Do me thanë:
Kapital' i jon' ky asht, n'se e pëlqen edhe ti vet,
Inxhit e Hafizit: vjershat, shkrueja pra në gazet.
Sheh Muharrem Mitrovica (1900-1975)
______
[1] 718-795 (1294-1392)
[2] def-darje; naje-tyell; tersa kontuçist (mexhusi).
tags: Hafiz Shirazi, poet persian, Hafez, poezi perse, poezi persiane, poezi sufiste, jetëshkrim i Hafiz Shirazit, jeta e Hafiz Shirazit, Shiraziu, gazel, rubairë, rubaira, shqip, poezi