Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Transkriptimi
Përshëndetje dhe mirë se erdhët në Infinity, unë jam Charlie Seraphin. Për 30 minutat e ardhshme do të eksplorojmë idenë e një jete shpirtërore dhe se si ta ndjekim atë. Mysafirja jonë është zonja Irina Tweedie. Zonja Tweedie ka lindur në Rusi dhe është shkolluar në Paris dhe Vjenë. Kur burri i saj i dytë vdiq, ajo u drejtua të studionte Teosofi. Më pas ajo udhëtoi për në Indi ku takoi një mjeshtër sufi, i cili u bë mësuesi i saj. Ai i kërkoi asaj që të mbante një ditar përjetimesh i cili më vonë u bë një libër i mrekullueshëm. "The Chasm of Fire: A Woman's Experience of liberation Through the Teachings of a Sufi master" [shq. “Hendeku i zjarrmishëm: Përvoja e çlirimit të një gruaje përmes mësimeve të një mjeshtri sufi”]. Nga fundi i programit tonë, zonja Tweedie do të na mësojë një mënyrë meditimi.
- Zonja Tweedie, çfarë është një sufi?
Zonja Tweedie: Sufiu është dikush që ndjek udhën sufiste. Sufizmi nuk është as fe e as filozofi, por është një mënyrë jetese dhe vet-ndërgjegjësimi. Gjithkush mund të jetë një sufi. Ka sufi të krishterë, hindu, myslimanë etj..
- A mund të na tregoni më përpikmërisht rreth sufizmit? Gjithkush mund të jetë një sufi, por çfarë lloj udhe shpirtërore është kjo?
Zonja Tweedie: Mësuesi jonë na ka thënë se sufizmi nuk është misticizmi Islam, është shumë më i vjetër se ai. Ka qenë një kohë, thuhet më herët se Vedatë, kur ka qenë një sekt i quajtur “Të veshurit me një mbulojë”, në persishte “kamal posh". Ata kanë qenë vëllazëri e pastërtisë. Fjala "saf" d.m.th. pastërti në arabisht. Ata udhëtonin nga një vend në tjetrin në kërkim të së vërtetës. Kushdo që e thoshte të vërtetën, ajo ishte e rëndësishme për ta; jo ai që e tregonte të vërtetën, por vet e vërteta.
- Ka shumë udhë drejt përndritjes. Si mundet dikush ta dijë se cilin ta zgjedhë për guru që të mësojë me të në Indi? Ka shumë guru dhe ka shumë rrugë.
Zonja Tweedie: Nuk mendoj se dikush mundet ta dijë. Kjo është pyetje e të provuarit dhe gabuarit. Unë kam qenë duke kërkuar për shumë vite, derisa një ditë "rastësisht", pasi nuk i besojë rastësisë, e gjeta mësuesin tim. Është një njohje e veçantë kur e takon mësuesin tënd. Në fillim të librit tim e kam shprehur qartazi se kur e kam takuar atë, diçka në mua u ngrit në këmbë dhe e përshendeti. Isha në praninë e një qenieje madhështore. Nuk isha unë ajo që e përshendeti atë, ishte një përshendetje e sjellshme dhe e zakonshme, siç bëjmë ndaj të gjithëve që i takojmë për herë të parë. Por qe një ndjenjë e veçantë, një ndjesi kuptimi që thoshte: "Jam në çastin historik të jetës sime". Nuk mund ta shpreh më mirë se kaq.
- Me aq shumë mendime që kalojnë nëpër kokën e njeriut, nëse qëllimi kryesor është që të ndiqet dhe të gjendet e vërteta, si e njeh njeriu atë?
Zonja Tweedie: E Vërteta është një dhe absolute. Në nivelin e mendjes nuk mund të ketë të Vërtetë dhe nuk mendoj se mund ta dallojmë atë. Vetëm fakti se unë jam e ndryshme nga ti në çastin që jam duke folur, tregon se as unë dhe as ti nuk mund ta kemi, ta ndiejmë apo ta flasim të Vërtetën. Duke qenë dy entitete (ekzistues) të ndryshëm, ju do ta shihni atë nga një këndvështrim tjetër dhe unë nga një këndvështrim tjetër. Pra, si mund të jetë ajo e Vërteta?! E Vërteta është absolute dhe e pandarë dhe nuk mund të njihet në nivelin e mendjes, sepse mendja vazhdimisht ndan. Dhe ne kuptojmë vetëm nga ndarja, nga krahasimi. E Vërteta as nuk mund të krahasohet as nuk mund të ndahet. Ajo mund të dihet vetëm në meditim të thellë, në gjendjen e përtej-vetëdijes. Po i shmangem me qëllim fjalës "samadhi", sepse është keqpërdorur shumë. Gjendjen ku nuk ka mendje unë e quaj gjendja e përtej-vetëdijes. Përjetimet e nivelit, apo më mirë të themi, hapsirës së kësaj gjendjeje të vetëdijes, mund të sillen në mendje në forme kujtese vetëm në mënyrë të paplotë. Është sikur thënia e Shën Palit: "Të shohësh qelqin në errësirë".
- Një ndër anët e mira të këtij programi është se më lejohet të bëj një pyetje të trashë. Nëse nuk mund ta njohësh dhe ta shpjegosh me fjalë të Vërtetën, nëse nuk mund ta sjellësh në mendje me vetëdije, atëherë a ka ndonjë zbatim praktik në jetë? Sepse nuk mund të jetoni gjatë gjithë kohës në një gjendje meditimi, nganjëherë duhet të jeni i zgjuar, të ecni, të flisni e edhe të frymoni. Pra, çfarë lidhje ka kjo e Vërtetë me gjendjen e zgjuar?
Zonja Tweedie: Kjo është një pyetje 64 mijë dollarshe. Është shumë e vështirë ta shpjegosh. Ju mund ta sillni të Vërtetën përmes zemrës suaj — sepse e Vërteta përjetohet në zemër jo në mendje — në vetëdijen tuaj të zgjuar. Pak ngapak mendja trajnohet që të sjellë diçka me vete nga kjo gjendje e thellë meditimi. Çfarë kam gjetur unë personalisht, personalisht sepse unë mund të flas vetëm për vete pasi që kam qasje vetëm në zemrën time, është se jeta bëhet jashtëzakonisht më e pasur. Është sikur të jetonit në nivelet e ndryshme të qenies. Në njërën anë është kjo jetë, pra jeta e përditshme me përgjegjësitë tona, ne shkojmë në zyrë apo bëjmë punët e shtëpisë, kemi fëmijë apo nuk kemi, varet nga jeta jonë. Pastaj në anën tjetër është një nivel tjetër i vetëdijes, i haresë dhe lavdisë absolute. Sa më thellë që zhytemi në këtë gjendje meditimi, aq më e pasur bëhet jeta jonë. Të jetuarit kësisoji është sikur thënia e sufive: "Ne jemi ushtarët e të dy botëve, botës së shpirtit dhe botës së materies".
- Si fëmijë, në mënyrë të natyrshme, kërkojmë dashuri dhe dhembshuri. Në mënyrë të natyrshme kërkojmë siguri dhe rehati nga prindërit dhe njerëzit përreth nesh. A e kërkojmë poashtu në mënyrë të natyrshme të Vërtetën?
Zonja Tweedie: Po! Ne në mënyrë të natyrshme kërkojmë të Vërtetën; sepse besoj se feja ka të drejtë kur thotë se ne jemi krijuar në imazhin e Zotit, dhe se Zoti është e Vërteta. Në zemrat tona ne e kemi dritën që na drejton kah Ajo. Çdo njeri dikur në jetën e tij apo saj e përjeton një mall. Në një kohë të caktuar, çdonjëri prej nesh fillon ta pyes veten: "Kush jam? Përse jam këtu? Çfarë është kuptimi i gjithë kësaj? Përse është krijuar kjo botë me kaq shumë vuajtje dhe padrejtësi? Atëherë është çasti kur njeriu fillon ta ketë këtë mall misterioz në zemrën e tij. Malli na thërret për në shtëpi, për në shtëpinë tonë të vërtetë; për te dimensioni ynë shpirtëror, për te fusha shpirtërore prej nga kemi ardhur dhe ku do të shkojmë. Sepse burimi nga kemi ardhur dhe qëllimi është një dhe i vetëm. Pra, përsosmëria. Askush s'e di prej nga kemi ardhur, ne thjesht qëndrojmë në tokë për një kohë. Dhe askush s'e di se kah po shkojmë. Të zhveshur dhe duke qarë vijmë këtu, por nga kjo botë nuk shkojmë gjithmonë duke qarë. Nganjëherë buzëqeshim sepse ajo simbolizon lirinë. Kjo jetë është burgim. Përse?! Sepse kjo jetë është kufizim. Vetëm fakti se kemi trupa fizik është kufizim. Nëse dua të shkoj në Londër mua më duhet të marrë airoplanin apo anijen. Liria e plotë mendoj se bëhet “diku atje”. Çdonjëri prej nesh i cili përjeton gjendje të thella meditimi e di se, të rikthyerit nga meditimi në trupin fizik është një ndjenjë goxha e pakëndëshme. Është si të kthehesh prapë në burg.
- Ne kemi vullnet të lirë. Njëra ndër gjërat që besoj se është përgjegjëse që disa njerëz nuk e ndjekin udhën shpirtërore, është se udha shpirtërore duket shumë më e vështirë sesa të kapesh për realitetin fizik. Për shembull, të kapesh në: ngarjen e asaj anijeje apo airoplani, shkuarjen në zyrë, marrjen me punë të përditshme, apo me argëtim.
Zonja Tweedie: Kjo është mëse e vërtetë. Nëse dikush nuk dëshiron që të ndjek një jetë shpirtërore atëherë përse të lodhet? E gjitha varet nga ne. Jeta shpirtërore nuk është asgjë më tepër sesa përpjekje për tu bërë paksa më të shpejtë. Të ecësh më shpejt drejt këtij qëllimi. Nëse keni mall për të arritur qëllimin atëherë do të mbërrini atje. Por nëse nuk keni, gjë që në fakt gjithsecili e ka ndonëse nganjëherë është i mbuluar, dhe i keni përjetimet kaleidoskopike të kësaj toke të bukur, atëherë natyrisht se nuk do të shkoni, ani çka? Nëse nuk është e shkruar të jetohet në këtë jetë atëherë jetohet në ndonjë tjetër, nuk ka rëndësi. Ne jemi të përjetshëm, të pavdekshëm. Ne jemi pa fillim dhe pa mbarim. Njerëzit janë shpirtëra.
- Çfarë ndodh me atë shkëndijë në shpirtin tonë nëse nuk ndjekim një udhë shpirtërore? A pret si e harruar diku deri në një jetë tjetër nëse nuk ka rritje?
Zonja Tweedie: Ne nuk e dimë sa vullnet të lirë kemi. Personaliteti, i cili përbëhet nga trupi fizik, mendja, ndjenjat apo emocionet tona, pra personaliteti i ulët të cilin sufitë e quajnë nefs ose vetja e vogël, vazhdimisht merr habere nga Vetja më e Lartë. Ne nuk e dimë tamam se sa shumë na ndikon Vetja më e Lartë. Ajo, pra Vetja e Lartë, vazhdimisht mundohet të kthehet te burimi. Kjo është pjesë e jetës së pafundme të Zotit. Asaj i duhej një trup për të përjetuar disa përjetime. Në fund të shpërfaqjes, e gjithë materia e cila nuk është asgjë më tepër se shpirt i kristalizuar, do të shndërrohet prapë në shpirt. Këtë nuk e thonë vetëm sufitë por edhe Vedatë, dhe mendoj se edhe budizmi thotë diçka të ngjashme. Pra, nefsi është gjithmonë në ndikim të diçkaje brenda jush, e cila është vetëm një rreze e diellit shpirtëror, dritës së pafundme. Unë personalisht nuk mendoj se kemi aq vullnet të lirë. Ne vazhdimisht jemi nën ndikimin e Vetes së Lartë.
- A nënkupton kjo se jeta që e jetojmë është një iluzion? Që në fakt nuk ka një realitet fizik?
Zonja Tweedie: Për ne të cilët jetojmë në këtë realitet fizik, ai është shumë real, dhe ashtu duhet të jetë. Por, nga këndvështrimi filozofik ai është vetëm një iluzion. Ne e shohim vetëm një pjesë, vetëm një tipar të vogël të tërë krijimit. Tani imagjinoni sikur i gjithë krijimi është si një diamant. Ne e shohim vetëm një faqe të tij dhe themi: "Oh, bota është një kaos i tmerrshëm... është ashtu, është kështu". Por, pafundësia, që është Zoti sheh diamantin në tërësinë e tij. Sufitë besojnë se në këtë botë asgjë nuk mund të vijë apo të ndodh pa dëshirën e Zotit. Pra, nëse Zoti do që të shkatërrojë diçka atëherë Ai e lë atë në duar të gabuara dhe ajo shkatërrohet. Ne njerëzit do ta shkatërrojmë atë. Por në fund të fundit është vetëm vullneti i Zotit. Prandaj ne themi se bota është një vend i mrekullueshëm për të ekzistuar. Është e bukur dhe është tamam ashtu si duhet të jetë dhe nuk ka asgjë të keqe në të. Unë i besoj thellësisht kësaj dhe jam një inkurajuese optimiste për të.
- A kam përgjegjësi për veten time dhe nëse kam, a kam poashtu përgjegjësi për vëllain tim?
Zonja Tweedie: Absolutisht po! Kjo qëndron në mësimet e Jezusit, e çdo feje të madhe a filozofie. Ne jemi përgjegjës ndaj vetes dhe rrethit tonë. Mbi të gjitha jemi të përgjegjshëm ndaj vëllezërve dhe motrave tona, pra pjesës tjetër të njerëzimit.
- Deri në çfarë mase jam përgjegjës? Para pak çastesh folëm mbi njerëzit që nuk zgjedhin një udhë shpirtërore, dhe për situatën e tyre thamë se është ajo e cila është e thënë të jetë. Kjo është udha e tyre.
Zonja Tweedie: Mjeshtri e kishte zakon të thoshte: "Njerëzit që ecin nëpër rrugë nuk më takojnë mua. Mua nuk më takon bota. Unë jam përgjegjës vetëm për mjedisin dhe atë që është rreth meje. Nëse mundem të ndihmoj disi, do ta bëjë atë, nëse nuk mundem, nuk mundem!"
Një ditë dikush erdhi te zoti Buda dhe i tha: "Përse duhet të ma ndiejë për fëmijët e uritur në Bihar. Bihari është një krahinë në veri të Indisë mu nën Himalaje. Uria e kaplon atë vend thuajse gjithmonë. Për disa arsye gjithmonë ka uri në ato anë. Zoti Buda iu përgjigj: "Po, je përgjegjës dhe duhet t’u ndihmosh fëmijëve të shkretë që vdesin urie në atë vend". Nga e di ti se në karmën e tyre nuk gjendet ndihmesa jote për ta? Karma është ligji i shkakut dhe pasojës. Nëse e zgjas dorën dhe e prek tavolinën shkaku në këtë rast është zgjatja e dorës kurse pasoja është prekja e tavolinës. Çdo gjë që bëjmë në këtë jetë ka pasojën e vet. Kjo pasojë quhet karma. Pra, ligji i shkakut dhe pasojës. Personi që bisedoi me Budën vazhdoi e tha: "Vdekja nga uria vjen nga karma e tyre. Në një mënyrë a tjetër, ata e meritojnë një vdekje të tillë." Zoti Buda i thotë: "Si e di ti se ata nuk meritojnë të ndihmohen nga ti?" Pra, kështu funksionon. Ju duhet të mundoheni të ndihmoni gjithkënd. Më duket R. Tagore pat thënë: "Kushdo që ka prekur me lehtësi të majeve të gishtave cepin e rrobës së të Vërtetës, për të nuk ka punë tjetër në jetë pos t'i tregojë të tjerëve se kush janë". Ne jemi qenie të mrekullueshme të dritës. Ne nuk jemi vetëm ky trup fizik. Siç e thashë me herët, ne jemi të pavdekshëm. Unë nuk besoj se jemi fëmijët e mëkatit, përkundrazi jemi ata të dritës. Mëkati është thjesht injorancë, kaq!
- A ka rrezik karmik që njeriu i përfaqësuar me zotin Buda, i cili mundohet të kuptojë çfarë karma është apo që mundohet të sugjeroj se gjërat ndodhin për një arsye të caktuar, kur në fakt nuk ka asnjë mënyrë për ta vërtetuar atë?
Zonja Tweedie: Jo, nuk mund të kontrollohet. Kjo është çështje besimi në fillim, por në çastin kur thelloheni në meditim, atëherë e dini. Atëherë keni dijeni të drejtpërdrejt se si punon ajo. Fatkeqsisht ajo nuk punon ashtu siç e imagjinojmë ne. Për shembull, ka njerëz që thonë: "Nëse e kam verbuar dikë në këtë jetë, në jetën tjetër do të jem i verbuar." Kjo nuk ka kuptim. Karma është shkollë mësimi, fushë përjetimi. Nëse jam e verbër atëherë jam ashtu sepse kam pasur nevojë që t'i fitoj disa përjetime. Më kujtohet rasti kur fëmijët thalidimid lindnin pa gjymtyrë. Në lidhje me të dikush më pat thënë njëherë: "Ku është drejtësia e Zotit këtu?" Zoti apo e Vërteta e pafundme është përtej konceptit të drejtësisë apo padrejtësisë. Unë jam krejtësisht e bindur se ka pasur shpirtëra të caktuar që kanë pritur të vijnë pa gjymtyrë për të fituar disa përjetime të veçanta; sepse një ditë e gjithë materia do të shndërrohet në shpirt, dhe çdo gjë do të sjellë përjetimet e veta në jetën e amshuar. Këto përjetime janë mundësi të jashtëzakonshme. Unë i kam takuar disa nga këta fëmijë, ata tashmë janë të rritur, njerëz të mrekullueshëm. Gjithsecili prej tyre është i mbushur me dashuri edhe pse tërësisht të varur nga të tjerët. Ne kemi nevojë për përvoja të veçanta. Teilhard de Chardin thotë: "Zoti përjeton (përjetimet) në njeriun." Pjesa jonë e cila është imazhi i Zotit është ajo e cila pati nevojë te ketë përjetime në sferën fizike. Tani imagjinoni të Përkryerën, krejtësisht të shpërndarë, të Vetme, të pafundme ... ndoshta Ajo qe paksa e mërzitur. E gjitha e përkryer, e pafundme. Ajo krijoi botën tonë të bukur, e cila është e mahnitshme për bërë përjetime. Nëpërmes nesh Ai (Zoti) i përjeton përjetimet.
Unë e përdori fjalën "Ai" sepse jam grua. Mbase nga ana psikologjike për burrin është më lehtë t'i drejtohet si "Ajo". Pra, i Pafundmi, i Cili është edhe "Ai" edhe "Ajo", përjeton në ne. Në një ndër librat që kam lexuar rreth sufizmit thuhet kështu: "Nëse një tullë bie në këmbë, këmba thyhet dhe i gjithë trupi e ndien atë." Pra, Zoti vuan me ne, është kaq e thjeshtë. Kur bëjmë rrëmujë dhe shkatërrojmë tokën tonë të bukur, Ai vuan gjithashtu.
- Rrugëtimi juaj shpirtëror përfshin shumë milje, përfshin shumë vende dhe tani edhe Kaliforninë. Shumë njerëz, dhe mbase edhe njëri nga dëgjuesit tanë tani, do të kishin pasur dëshirë të kishin një rrugëtim shpirtëror por nuk kanë mundësi për të. Për shembull, ata nuk mund t'i shtegtojnë miljet për të shkuar në Indi për të studiuar me mjeshtërit që i keni takuar ju. Si mund t'i ndihmoni ata? Ta zëmë, njërin që është duke na dëgjuar tani, që është i mbyllur në një qytezë të Kalifornisë së Veriut?
Zonja Tweedie: Unë do të kisha thënë se kërkimi i një guruje nuk është hap i duhur, sepse është guruja ai që na gjen neve. Nëse do të ishim vigjilent me praktikat tona shpirtërore, atëherë do të ishte sikur ta ndiznim një llampë dhe dikush në errësirën e botës ta shihte dritën dhe të vinte të na ndihmojë. Guruja i jashtëm gjithnjë shënjon vetëm kah guruja i brendshëm, pra Vetja jonë e Lartë. Kjo është e vërteta e kësaj çështjeje. Dhe nuk ka nevojë të shkohet në Indi sepse edhe në SHBA ka shumë mësues të mirë. Unë kam parë dhe takuar shumë mësues të mirë edhe në Gjermani. Pra, në të vërtetë krejt ajo çfarë një mësues bën është të shënjojë në vazhdimësi kah brendia, kah Vetja juaj. Vetëm ai është guruja i vërtetë. Fati im ishte që ta gjeja një të tillë në Indi, por unë nuk kam shkuar në Indi për ta gjetur atë. Atje kam shkuar vetëm si një turiste. Udha "rastësisht" më drejtoi nga ai, sepse siç e kam theksuar më herët unë nuk besoj në rastësi. Ky ishte kaderi im. Ishte udhëzim nga dikah.
- A do të na ndihmoni me meditime dhe ushtrime që do të mundnim t'i praktikonim në shtëpitë tona?
Zonja Tweedie: Po, mund t'jua tregoj meditimin që e përdorim me grupin tonë në Londër. Nuk mund t'ju tregoj ndonjë meditim tjetër sepse vetëm këtë e di, megjithatë e di se është shumë i dobishëm. Mënyra e të vepruarit është kështu: Ju duhet ta relaksioni trupin fizik tërësisht; pozicioni në të cilin meditoni nuk është i rëndësishëm. Nëse trupi është rehat ju mund të shtriheni, të uleni në karrige apo të uleni këmbëkryq në tokë, përndryshe ai do të ndërhyjë në atë se çfarë po mundoheni të bëni. Të ulur dhe rehat, merrni frymë thellë vetëm njëherë. Pastaj vazhdoni të frymoni qetësisht në mënyrën tuaj të zakonshme. Më pas i mbyllni sytë butësisht. Kjo ka një ndikim psikologjik. Kur dashuroni apo kur shihni diçka të bukur ju automatikisht i mbyllni sytë butësisht. Pastaj mundohuni të hyni sa më thellë që është e mundur brenda zemrës suaj, sepse dashuria qëndron në zemër. Thellohuni më tepër e më tepër në brendinë tuaj derisa të mbërrini te ajo pjesë e zemrës suaj që është e ruajtur për të Dashurin tonë Madhështor, Zotin. Në atë vend ka paqe, dashuri dhe qetësi të pafundme. Ndërkohë që mundoheni të meditoni, mendja, procesi juaj i mendimit është i lumtur me këtë. Mendja dëshiron të mendojë, të hulumtojë. Ajo do të vijë me ju për ta gjetur këtë vend misterioz të qetësisë dhe dashurisë. Por, në çastin kur e gjeni këtë vend (dhe ne të gjithë e posedojmë një të tillë e përfundimisht të gjithë do ta gjejmë atë) dhe kur përthithni veten tuaj në të, atëherë trupi juaj fizik dhe çdo gjë do të jetë në qetësi e paqe, nën ndjesinë e pafundme të dashurisë. Por, në çastin kur mendja e heton se nuk jeni duke bërë asgjë, por jeni vetëm duke u relaksuar, ajo fillon të prodhojë mendime. Mendime që nuk kanë fare lidhje: "Nuk duhet të harroj ta kryej atë punë nesër"; ose kujtesa hyn në lojë: "Çfarë kam bërë sot?" ose "Nuk duhet të harroj ta bëj këtë ose atë." Tani ju lutem, imagjinoni që kapni çdo lloj mendimi, qoftë ai i vogël apo i madh, dhe zhyteni në ndjenjën e dashurisë. Vetëm zhyteni, kështu ai zhduket. Përpara syve tuaj duhet të ketë vetëm errësirë. Kjo është e gjitha. Vazhdoni ta praktikoni. Ky është një ushtrim mbi fuqinë e vullnetit dhe gjithashtu është një praktikë shpirtërore.
- A është më mirë të meditosh vetëm apo në grup?
Zonja Tweedie: Kjo është çështje shijesh. Për disa njerëz është më lehtë të meditojnë në grup për disa të tjerë vetëm. Në fakt nuk ka rregulla. Mendoj se kjo varet nga ne.
- Një pyetje biznesi. Çfarë mundemi të arrijmë nga praktika e meditimit?
Zonja Tweedie: Nuk mendoj se duhet të meditojmë në mënyrë që të arrijmë diçka. Meditimi dhe jeta shpirtërore është gjendje e të qenurit. Ne e bëjmë atë sepse bëhet pjesë e jetës sonë; sepse na bën të lumtur, të relaksuar dhe më të suksesshëm në jetë. Nëse meditoni vazhdimisht ju relaksoheni dhe e shihni se jeta juaj bëhet më e lehtë. Por, arritja themelore në të vërtetë është e ardhmja jonë. Ne jemi qenie shpirtërore. Në ketë jetë ne nuk e dimë se kah shkojmë. Por duke qenë se jemi qenie shpirtërore është më mirë të mendojmë për të përtejmen. Pra, meditimi do të na përgatisë për këtë. Dhe përgjatë kësaj jete do të vijë një ditë që gjatë meditimit do të kuptojmë se nuk ka vdekje. Frika mbi vdekjen do të zhduket tërësisht. Nuk do të jemi më të frikësuar nga vdekja, sepse nuk ka një gjë të tillë. Ka vetëm ndërrim të vetëdijes. Mendoj se zhdukja e frikës është qëllimi përfundimtar i çdolloj meditimi. Ne të gjithë jemi të frikësuar nga vdekja. Por, sufiu vdes para vdekjes. Ata nuk frikësohen më nga vdekja.
Përktheu: Trandofilishta (2023)
Të gjitha të drejtat i takojnë The Golden Sufi Center të cilët i falenderojmë për lejimin e shqipërimit dhe publikimit së kësaj interviste në Trandofilishte.