Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
rreth 9 minuta lexim
POZICIONET TRUPORE NË NAMAZ
nga William C. Chittick
Sufizmi mund të përshkruhet si ajo përmasë e mësimeve islame që shpjegon ‘pse-në’. Përgjatë historisë islame, shkrimtarët që janë njoftë si autoritete në sufizëm kanë shpjegue kuptimin e turlilloj mësimeve të gjenduna në Kur’an e Hadith, të cilat mund t’i kategorizojmë si teologji, kozmologji, histori, mit, psikologji, jurisprudencë, politikë, gjuhësi dhe etikë. Në nivelin ma të thjeshtë të asaj që u kërkohet muslimanëve me bâ — pra, në Sheriat — sufitë kanë shkrue gjanësisht mbi randësinë e veprimtarive shoqnore e ritualore. Tekste tradicionale si Kut el-kulub (Ushqimi i zemrave) i Mekkiut apo Kimija-i sa’ādat (Alkimia e lumtunisë) e Ghazaliut i kushtojnë bajagi vëmendje domethanies së veprimtarive të urdhnueme nga Sheriati. Ibn Arabiu ‒ të cilit nuk i munguen kurrë fjalët ‒ i kushton 3100 faqe të Futuhatu ’l-mekkijjes (Hapjet Mekase) së tij të famshme, kuptimit të veprimtarive themelore ritualore në Islam si: abdesi, namazi, zekati, agjërimi dhe haxhi. Bile, dikush mundet me shque edhe nji zhanër të posaçëm në literaturën islame, të shkruem zakonisht nga sufitë, që njihet në përgjithësi si asrar ul-ibadeh (fshehtësitë e adhurimeve). Nëse juristët — specialistët e Sheriatit — u rrekën me përshkrue çdo veprim të mundshëm që njerëzit duhen me bâ, ata që shkruejtën për ‘fshehtësitë’ e këtyne veprimeve dëshironin me shpjegue lidhjen e tyne të mbrame me realizimin njerëzor.
Veprimi ma i parë adhurimor në Islam asht pa dyshim salāt-i (në persisht, namāz) apo ‘falja’ dhe ndoshta tipari ma dallues i namazit asht lidhja e tij e ngushtë me lëvizjet trupore. Në botën moderne njerëzit janë mësue me pâ në edicionin e lajmeve të mbramjes grupe të mëdha muslimanësh që bijnë në sexhde, por s’asht nevoja me thanë që asnji gazetar nuk ka asgja pos nji interpretimi politik për domethanien e këtij veprimi. Disa historianë apo orientalistë janë mundue me shpjegue randësinë e aspektit trupor të faljes. Shënimet e mëposhtme munden me ndihmue për me hedh pak dritë mbi atë se si i kupton tradita islame arsyet për pozicionet e marruna nga besimtari gjatë kryerjes së faljes.
Foto 1. "Tue krye namazin"
Profeti ﷺ e ka quejt namazin ‘boshti’ i fesë. Në listat e ‘pesë shtyllave’ që përbajnë praktikat themeltare islame, namazi asht i dyti, fill mbas shehadetit, pra shqiptimit të pohimit: “Nuk ka zot pos Zotit dhe Muhammedi asht i dërguemi i Zotit”. Shehadeti i obligon e i vleftëson tana praktikat e tjera. Ndonëse teorikisht duhet me u shqiptue veç nji herë në jetë, praktikisht ai asht i brendësuem në namaz. Në fakt, namazi mundet me u quejt trupëzimi kryesor i shehadetit, çka i jep randësi themelore dhe e ban të pashmangshëm. Ai asht akti njerëzor paradigmatik, rituali par excellence, sepse mishëron marrëdhanien e duhun të robit me Zotin. Si bosht i fesë, namazi e mban të lidhun pjesën tjetër të Islamit dhe shpreh thellësisht at’ se çka Zoti don prej njerëzve. Nëse shehadeti asht pranimi i zâshëm i dorëzimit ndaj dashnisë dhe mëshirës së Zotit, namazi e përforcon kyt me veprimtarinë ma të këshillueshme nga Zoti. Gjithçka tjetër asht dytësore, siç mundet me u pâ edhe te fakti se çdo veprimtari tjetër e detyrimtë varet prej rrethanash që jo gjithmonë mund të plotësohen. Nëse sufitë ndonjiherë e mbitheksojnë dhikrin (përmendjen e Zotit) përkundrejt salāt-it, kjo ndodh sepse qëllimi i salāt-it asht me e prue në jetë dhikrin (nji fjalë, të cilën Kur’ani kaiherë e quen salāt). Kësisoj, dhikri i sufive asht nji salāt i brendshëm që mund të kryhet kudo e kurdo, ndërsa vetë salāt-i mund të kryhet në kohë e vende të caktueme dhe në pajtim me rregulla të jashtme të posaçme.
Kaligrafi: Dijeni se nuk ka zot pos Zotit dhe Muhammedi asht i dërguemi i Zotit
Autorët sufi që shpjegojnë randësinë e namazit i marrin si të mirëkenuna njohunitë e rranjosuna në praktikat islame. Ata u drejtohen njerëzve që e falin namazin çdo ditë dhe për të cil’t asht kthye në diçka të zakonshme. Por, ata e shtjellojnë krejt rrallë kuptimin e pozicioneve dhe lëvizjeve gjatë faljes. Ata i kushtojnë shumë ma tepër randësi komentimit të shprehjeve të ndryshme dhe ajeteve kur’anore që recitohen. Arsyeja për kyt “heshtje” sa u përket pozicioneve trupore mund të gjehet te përvetësimi që i ban vetë trupi urtisë së faljes; verbalizimi asht i panevojshëm (fjala bahet e tepërt). Mbi të gjitha, ringjallja asht me trup dhe Kur’ani na difton se secila prej gjymtyrëve ka me u pyet se çka ka veprue.
Tekstet i qasen kuptimit të namazit prej shumë kahjesh. Ndoshta mënyra më e mirë për me pasë nji tejvështrim në pozicionet e faljes asht me i vendos’ ato brenda kontekstit të mësimeve sufiste rreth mikrokozmosit njerëzor. Këto mësime e shquejnë dukshëm dallimin mes përmasës njerëzore të poshtme, të errët, të trashë, të pandërgjegjshme e të hallakatun, që quhet ‘trup’ dhe përmasës së naltë, të ndritshme, të rafinueme, të ndërgjegjshme e të njisueme, që quhet ‘shpirt’ (ruḥ). Trupi asht shëmbëlltyra landore hyjnore, kurse shpirti asht fryma e Zotit, frymuem brenda trupit at’botë kur Zoti ‘trajtësoi baltën’ e njeriut. Ka vetëm nji shpirt themelor (fryma e Zotit) dhe nji mori trupash njerëzorë, të gjithë bamun simbas shëmbëlltyrës hyjnore. Në secilin njeri, shpirti dhe trupi takohen në nji nivel ndërmjetës – nji barzakh apo ‘rrip’ – të quejtun ‘vete’ (nefs).
Vetja shenjon takimin mes cilësive të shpirtit e trupit. Ajo asht vendi i vetëdijes dhe personalitetit por nuk asht as krejtsisht shpirtnore as krejtsisht landore. Te vetja, drita bahet tok me terrin, dija me injorancën, njishmënia me shumësinë, kujtimi me gafletin, jeta me vdekjen, fuqia me dobësinë, liria me ndalesën. Përmes vetes, shpirti e trupi ndërveprojnë dhe ky ndërveprim shpaloset nga ndryshimet e njipasnjishme në mendim, ligjërim e veprim. Qëllimi i ekzistencës njerëzore në kyt botë asht me e avitë të ultën tek e nalta, landoren te shpirtnorja, njerëzoren te hyjnorja. Kështu, sufiu rreket me ia besue trupin vetes dhe veten shpirtit; por për me ia dal’, ai/ajo duhet me rrënjosë marrëdhanie të qindrueshme me qendrën hyjnore dhe me lidhë tok tana veprimtaritë e hapërdame të trupit dhe vetes, drejt Zotit. Në rrafshin teorik, ky proces avitjet shpeshherë asht quejt teuhid (vendosja e njishmënisë). Për së jashtmi, teuhidi shprehet përmes orientimit për nga Meka, që marrin tan muslimanët kur falen.
Foto 2. Meka (150 vjet ma parë, në vaktin e Perandorisë Osmane). Kaligrafia naltë shkruen: "Mos t'ish kanë, [o] mos t'ish kanë për ty [o Muhammed], s'i kisha krijue botnat" (hadith kudsij)
Falja i përfshin njerëzit në çdo rang të qenies së tyne. Namazi, sikurse njeriu, ka tri përmasa thelbësore. Shpirti i tij asht ndërgjegjja apo ‘prania e zemrës’ (ḥuḍur-i kalb). Në çdo lutje, muslimani përpiqet me e rrënjosë fort zemrën në kujtimin e Zotit. Vetë fakti që nji njeri e kryen faljen asht provë e nji grimce ndërgjegje, siç asht fakt që edhe jeta njerëzore asht provë e pranisë së shpirtit. Por, prania e plotë e zemrës në falje asht aq e rrallë sa ç’asht vetëdija njerëzore e vendosun në rangun e shpirtit hyjnor. Nji ndërgjegje e tillë asht synimi i ekzistencës njerëzore dhe ajo përjetohet vetëm prej profetëve dhe ma të afërmve te Zoti (evlijave).
Përmasat ma të dukshme të faljes janë lëvizjet dhe pozicionet trupore, të cilat ruejnë modelin e veprimtarisë së trupëzueme në të Vërtetën. Çdo pozicion shoqnohet me vargje të caktueme kur’anore apo formula profetike, që ofrojnë çelësin e randësisë së tyne. Ajetet apo thaniet mbushin hendekun mes shpirtit dhe trupit të faljes, mes ndërgjegjes dhe veprimtarisë trupore. Ato janë si nji barzakh mes shpirtit dhe trupit të saj. Ato janë ‘vetja’ që ban bashkë shkëlqimin e shpirtit të faljes me landorsinë e formës. Kështu, fjalët kanë nji lloj natyre trupore, të artikulueme — si gjestet — por janë njiherit mbilandore si shpirti dhe kuptimi i mbramë i tyne tejkalon çdo formë.
Nji prej teksteve të shumta që autoritetet citojnë për me vue në pah randësinë e faljes asht thania profetike: “Namazi asht mi’raxhi i besimtarit” (es-salātu mi’raxh el-mu’min). Mi’raxhi ishte ‘udhëtimi natën’ i Profetit ﷺ, ku ai u morr përtej qiejve drejt Pranisë Hyjnore. Fjalë për fjalë don me thanë ‘shkallë’. Shkalla përdoret me u ngjitë, por edhe me zbritë. Domethania e mi’raxhit qëndron jo vetëm te ngjitja e Profetit ﷺ por edhe te kthimi i tij në dynja. Ngjitja dhe zbritja shënojnë dy vendqëndrime kryesore të përsosjes shpirtnore dhe janë pasqyrue në strukturën e namazit.
Foto 3. Mi'raxhi (shek. 16-të, Persi)
Simbas doktrinës së pranueme gjanësisht, mi’raxhi i Profetit ﷺ ishte trupor. Me tjera fjalë, përsosja njerëzore nuk asht e kufizueme te përmasa e padukshme, e shndritshme dhe shpirtnore e qenies. Ajo i përket edhe përmasës së dukshme, të errët dhe landore të saj. Fakti që njerëzit kanë trup tregon që forma hyjnore — në kajde të së cilës u krijuen — përfshin cilësi të caktueme që lypin trajtë landore, ashtu sikurse edhe ekzistenca e gjithësisë landore asht e nevojshme për me u shpalosë tana ‘shenjat’ (ājāt) e Zotit. Trupi asht përbamës thelbësor hem në shpalosjen e realitetit të Zotit, hem në gjakimin njerëzor me u kthye te Zoti. E njashtu si vetja, ai kalon ndryshime në përputhshmëni me rangun e vet’.
Namazi ka katër pozicione kryesore: të qëndrumunit drejt në kambë; të përkulunit në mënyrë që shpina dhe kryeti i personit të jenë paralel me tokën; përdhesja (rania në sexhde) tue vendos gjunjtë, pëllambët e ballin në tokë dhe tue u ulë me gjunjë përpara e me shpinën drejt. Çdo namaz i detyrimtë përbahet prej dy, tri ose katër cikleve (rek’at). Cikël do me thanë me qëndrue drejt në kambë, me u përulë, me u përdhesë, me qëndrue në pozicion ndênje, me u përdhesë prapë e mandej me u çu në kambë ose në pozicion ndênje, në varësi të ciklit që po kryhet.
Foto 4. Pozicionet e ndryshme të namazit. Nga e djathta në të majtë: xhulus/ku'ud, sexhde, tekbir, kijam, ruku.
Në pjesën e parë të secilit cikël, personi qëndron ose me duert e lëshueme anash ose me duert e lidhuna në stomak (kjo varet simbas shkollës juridike — medhhebit — që ndjek besimtari). Zoti i ka urdhnue njerëzit me marrë përgjegjësi për gjendjen njerëzore e ata i përgjigjen tue qindrue përpara Tij në shërbtori. Domethania e të qëndrumunit në kambë del në pah ma qartë kur vêhet përballë me dy pozicionet e tjera: përulja (ruku’) e përdhesja (suxhud). Përulja asht pozicion i ndërmjetëm (nji barzakh, siç vëren Ibn Arabiu) mes të qëndrumunit në kambë e përdhesjes. Asht tejet kuptimplotë fakti që Kur’ani përdor foljen ‘me u përdhesë’ (me ra në sexhde) ma së tepërmi në historinë e engjëjve që i përulen Ademit simbas urdhnit të Zotit dhe Shejtanit që refuzon me veprue po njisoj. Përdhesja para Zotit nënkupton pranim/bindje të autoritetit sipëror të Tij. Njeriu shpreh me trup e shpirt nënshtrim të plotë (islām) ndaj urdhnit të Zotit. Shejtani mishëron refuzimin kambëngulës e kryeneç me pranue udhëzimin prej Zotit. Deviza e tij asht: “Unë jam ma i mirë se ai” (Kur’an, 38:76). Tue pa Ademin me nënçmim, Shejtani nuk e quejti të denjë me iu përdhesë. Robi që refuzon me u përdhesë para Zotit asht tue thanë: “Unë jam ma i mirë se Zoti”.
*Falenderoj zotni Edin Q. Lohja për ndihmesën në redaktimin e tekstit dhe për saktësimet e nevojshme rreth terminologjive të caktueme (shënim i përkthyesit).
Shënim: Salavatet mbas përmendjes së pejgamberit ﷺ (paqja qoftë mbi ta) janë shtu nga Trandofilishta
Shkrimi origjinal: “The Bodily Positions of the Ritual Prayer” Sufi 12 (1991-92), fq 16-18.
Përktheu: Don Mehaj (Tiranë, 23 Mars 2025 / 24 Ramazan 1446)
Fotografitë: 1. Helen Keiser (1926-2013); 2. shkrepun prej Elizabeth Mann; 3. Autori nuk dihet; 4. Karl Baedeker (1885).
Kaligrafia: Jusuf Resa Efendiu në stilin xheli sylys, gjendun në koleksionin e Abdurrahman Këllëç-it (Ketebe).
Tags: William Chittick shqip, Villiam Çitik, namaz, namazi, ritual, trup, sufi, sufizem, Ibn Arabi, Ibn 'Arabi, Gazali, Ghazali, Don Mehaj, miraxh, qabe, simbolizem, literature islame, tesavvuf shqip.