Dorëshkrim i Hadikat el Hakikat-it të Sinaiut
Mughale (1599-1600)
Haqimi Sinaiu (Ebul-Mexhdud bin Adém)
Si dihet Persija motit qé djepi, prej ku u rrit e lulzoj poezija dhe filozofija, të cilat ma mandej u përhapen nëpër të gjithë botën. Atje n'ato vise të lindjes gjetën ushqimin e tyne menduer shkrimtarë, letrarë, filozofë e astronomë, qi lanë gjurmë të pa vdekshme në historinë dijtunore jo vetëm të vendit të vet, por të botës mbarë.
Klima herë herë e butë, qi paraqitet në kontrastin e saj, përkrahja qi sundimtarët e vendit i dhanë dijetarvet, zëgjimi me të cilin natyra kishte begatë banorët, i dhanë shkas njerzvet të mendjes me u thellue nder dega të ndryshme të dijtunivet dhe me prodhue, se cili në lamë të vet, vepra monumentale, për me qenë këto ma mrapa, atëherë kur shkenca filloj me u shique nepër prizmin e realitetit, prona e të tan njerzvet të kulturës.
Për me pasë edhe lexuesi shqiptar pak njohuni mbi dijetarët e kësaj Persije t'amshueme, dijetarë, të cilët me veprat e tyne trajtuen visarin e paçmueshmë, të letërsis e të dijtunis botnore dhe kështu kontribuen në themelimin e njaj qytetnimi të përbashkët qi sot gëzon e tanë bota, po japim në kët numur të «NJERIUT» nji përshkrim të vogël të Haqimi Sinaiut, edhe ky nji poet i Persis, qi jetoi rreth vjetvet 1110-1180.
Haqimi Sinaiun prirja e tij naturore e ngacmoj qyshë në moshën e re me u dhanë mbas poezis dhe në këte kohë fiIloj me dhanë shejet e nji zotsije, par exellence, në ate lamë. Gojdhana na difton se nji ditë kur ajy ndodhej i zhytun nder kundrimet e bukurivet të natyrës dhe në kontemplacjonin e tij, diçka i murmuriti në vesht abdali Lajhuar-i, dhe ç'at ditë Haqimi Sinaiu nuk e kish vehten në dorë, e Mira dhe e Bukra jan dy muzet qi do t'a robnojshin në të tanë jeten e tij, dhe ajy do të sakrifikojte për nderë të tyne ç'do gja landore qi gëzon vetëm shqiset e tij të dukëshme. Ajy ma nuk asht i vehtes së tij, do të shkrihet në nji tjetër jetë, n'atë shpirtnore qi do t'i japin ma të plotin satisfakcjon se të jetë gjallë. Zhytet në misticizmë, në këte dije ku aj besonte me gjetë gëzimin e shpirtit dhe të verteten e pakundërshtueshme.
N'at gjendje shpirtnore tue qenë Haqimi Sinaiu prodhoj veprën e pavdekun «Hadika» nder 30,000 vargje katrore. Por në Persin e letrarvet e të filozofvet, në Persin e njerzvet të «mendimit të lirë» xejshin vend edhe satrapë qi mbajshin nder durët e tyne turmat e fanatikvet dhe, i përdorshin këto kur dojshin për qëllimet e tyne satanike. Kështu u çue peshë kjo turmë fanatike kundra Haqimi Sinaiut edhe veprës së tij «Hadika». Pse gjoja «Hadikan»-ja nuk pajtonte me dogmat fetare! Por Sinaiut, këtij njeriut të madh qi kishte vendue me u shkri në të vertetën nuk iu tremb aspak syni, kundra gjamës që lëshoj ndaj tij ajo turmë fanatikësh, dhe kështu e shperndau ku deshti, pajada, veprën e vet të bujshme, deri sa gjeti mjetet e besueshme m'e çue deri në Bagdat, qendër kjo e halifatit Islam të asaj kohe, e cila mbante e ushqente në gji të vet dijetarë me famë si në lamijet e fes ashtu dhe të dijtunivet të ndryshme. Tue que në Bagdad veprën e vet, kërkonte nji kohsisht prej Ylemavet të tij edhe nji FETVA (dëshmi) në se vepra e tij vinte në kundërshtim me urdhnimet e fes. Bagdadi qe epiqendra, të thuesh, e qytetnimit islam të kohës. Këtu lulzuen e dhanë frutet e veta artet e shkencat. Medreset e këtij qyteti jo ma mbrapa në programet e tyne didaktike se Universitetet e sotëshme të Europës, mbaheshin prej dijetarësh që nuk e ndrojshin me kurgja në këtë jetë idealin e vetë në mbrojtje të ditunive, dhe po t'ishte se ky ideal do t'u kushtonte jetën. Dijetarët e Bagdalit që shqyrtuen fund e maje Hadika-n e thanë për këte fjalën e tyne: S'ka kurgja në kundërshtim me urdhnimet e fe-së.
Shtye edhe ma tepër prej këtij guximi që i dha pëlqimi i veprës së tij nga ana e dijetarvet Bagdadas, sosi Hadika-n deri në fund dhe nisi veprën e dytë poetike të thirrun Rumuzul-Enbija Qunuzul-Evlija (Metaforet e profetve dhe thesarët Shejtënvet). E mandej botoj Divanin e famshëm, i mbiquejtun «Divani i Sinaiut».
Me 1135 Sinaiu kreu detyrën e Haxhit dhe gjatë kësaj kohe takoi me Jusufi Hemedani-n ma i madhi Sheh (Mistik) i kohës, nga i cili mori bekimet dhe u reshtue në rend të nxansavet të tij shpirtnuer, d.m.th. u ba dishepull i tij.
Haqimi Sinaiu njerin e quen «gjithshkafja e kësaj rrokullije» dhe «shembulla e gjithë pushtetevet». E për nji alluzion (imà) të këtyne mendimeve të tija fillozofike, thotë:
«Ka qiellna pa kufi aty në gji të xhanit 1)
Që me nji shejë të syut zemrës sundojnë qiellin e xhihanit.» 2)
Mbreti Ibrahim i bir' i Mesudit nga familja mbretnore e Sebyqteqinit që çmonte shumë vlerën e Sinaiut deshti t'a afronte prej vedit dhe t'a bante dhandërr. Mirë po Sinaiu i gjegjet:
«S'jam i grusë i stolisë as i pasunisë
Ç'ka punoj ç'ka kërkoj e kam për hirë të Perendisë.
Sikur kunorên t'ande te ma napish dhuratë
S'mund e pranoj betohemi në krye t'at.»
Haqimi Sinaiu ndrroi jetë në qytetin Gazne të Persis në 1180 (576 hixhri) dhe këtu u varros.
Poeti në za, Meulana Xhelaleddini Rumiu, i dedikon në shej nderimi e çmimi këto rrjeshta:
«Attari asht shpirti e Sinaiu dy syt e zemrës tij
Nga gjurmat e Attarit e të Sinaiut un po vij» 3)
Shënime: 1) Shpirtit. 2) Botës. 3) Nji poet tjetër persijan.
Marrë nga Revista Njeriu Viti i I - Qershuer 1944, nr. 12, fq. 8-9.