Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
rreth 5 minuta lexim
Xhamia e Madhe (Ulu Cami) në Antakya nga William Henry Bartlett (1808-1854). Në krye të minares vërehet e përngjitun nji shtëpi zogjsh.
Sarajet osmane të zogjve sot na vijnë si dëshmi e arkitekturës frymûse, poetike, të mëshirshme. Ato janë rikujtesë e natyrës burimore të shpirtit njerëzor të të kenunit të dashtun e të përgjegjshëm me mâ të pafuqishmit. As minaret e xhamive nuk u lejunen me pengu’ trajektoren e fluturakëve pa i dhânë në këmbim shpi a saraje posaçërisht të ndërtûme për to.
Përveç të kenunit tregûs të cilësive fisnike të karakterit të ndërtimtarëve të tyne, sarajet e zogjve kishin edhe funksionin e nxitjes së dashnisë për kafshët te populli. Në hane ato vendoseshin për me kallxu’ se edhe zogjtë kanë nevojë e të drejtë për strehim njisoj si njerëzit [1]. Në shkolla shërbenin për me mbjellë dashni për këto krijesa në zemrat e të vegjëlve [2] e rrjedhimisht me latu’ shpirtin poetik të udhëtarëve rishtarë në rrugën e dijes.
Vetë koncepti i ndërtimit shpi për zogjtë sugjeron ndjeshmëni të spikatun, shpirt poetik të mbrujtun me parime të nâlta, vetëdije e ndërgjegjje të zgjûme si dhe kandvështrim holistik kundrejt natyrës së ndërtimtarisë. Por, do kishim lânë mënjanë xhevahirin mâ të çmûm të këtij gjerdani virtytesh nëse s’do kishim përmendë lidhjen e kësaj praktike të fisme me vetë Dritën e Gjithësisë, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi te.
“Në Kuran thuhet që shpella, në të cilën Muhammedi (s.a.s) u strehu’ ndërkohë që po shpëtonte prej fisit të Kurejshëve, u mbyll me nji rrjetë merimangash e po ashtu nji pëllumb ndërtoi folenë në pjesën e sipërme të hymjes së shpellës. Meqë shpella u mor të ishte e papërdorun, me ndihmën e kafshëve, Muhammedi (s.a.s) u shpëtu’ (dyshimet që ai mund të ishte fsheh’ aty, u hoqën). Prandej shumë muslimanë e konsiderojnë pëllumbin si kafshë të shenjtë e të mbarë dhe nuk e gjujnë apo hajnë mishin e tij. Si rrjedhojë e këtij respekti, shpi zogjve u ndërtohen në arkitekturën islame.” [3]
“Ato mbrojtën Profetin e Bekûm (s.a.s) e ne do i mbrojmë e strehojmë ata.” Ky duket të ketë kenë premtimi që i kanë pëshpëritë njeni-tjetrit ndërtimtarët e asaj kohe.
Gjiret e zogjve
Lloji i parë dhe mâ modesti i shpive të zogjve asht ai që i përngjet gjireve të çilun në muret e ndërtesave të ndryshme. Këto vrima janë të përmasume simbas madhësive të zogjve. Herë gjinden të vetme e herë-herë gjendet nji varg i tânë me të tilla struktura përgjatë murit. Shmbuj të tillë hasen në Xhaminë Süleymaniye të Stambollit.
Gjire të zgjerume zogjsh
Në të tilla tipe strukturash, gjeniu artistik njerëzor vehet në punë. Këto shpi zogjsh nuk kanë mâ vetëm funksion praktik, por përmbi i shtohet nji vel i së bukurës. Ato varijojnë nga mâ të thjeshtat te mâ të ndërlikumet, ku marrin formën e vetë ndërtesës në të cilën janë të vendosuna, pra, përbâjnë nji model në miniaturë të ndërtesës, punu’ me përpikmëri deri në detajet mâ të imëta: ballkone, dritare të harkëzume, kupola e çati. Ndër shembujt mâ të njoftun të ndërtesave që kanë të tilla shpi zogjsh janë xhamitë e Üsküdarit.
Gjire zogjsh të gdhenduna në gur
Kryesisht në zonat me prani të gurëve vullkanikë, shpitë e zogjve (po edhe të njerëzve) gdhenden po në këto gurë, tuj kenë se punimi i tyne asht mjaft i kollajtë. Rreth e qark hapjeve, vendasit i dhurojnë fluturakëve nji spektakël bojnash për me tërhek’ vëmendjen e tyne si ftesë për në shpi…
Për nji hulumtim mâ të detajshëm të shpive të zogjve, mundeni me u konsultu’ me dy punimet e vegëzume mâ poshtë:
Sarajet e zogjve duhet t’i perceptojmë si ndërmendje e thirrje për vetëdijësim. Ato nuk duhen pa veç si objekte nostalgjiet e as si shtime kullueshmërisht sentimentale mbi strukturat arkitekturore. Tekefundit, ato s’janë veçse tregûs i nji filosofiet të tânë që i ka paraprî vendimmarrjes së ndërtimtarëve të atëhershëm. E asht pikërisht ajo filosofi e cila ka frymëzu’ e përcjellë procesin e zhvillimit të nji arkitekturet të njeriut si thellësisht përnderûs të kujt ka mbi vedi e njikohësisht të ndijshëm e të butë me kend ka poshtë tij.
Kontrast ban arkitektura moderne, e cila njeriun e konsideron si qenie vetmitare në kozmos, të cilit i bâhet skllave e përmbushjes së tekave. Kjo arkitekturë të zhyt’ në harresë, duke përbâ kështu nji ndër forcat mâ të fshehuna (e paradoksalisht mâ të dukshmen) dashakeqe kundrejt synimit sublim të qenies njerëzore në këtë botë.
Sarajet e zogjve janë gjurmë të nji qytetnimi të tânë ku zemra e mendja punonin bashkë në harmoni të plotë drejt të njejtit qëllim, ndërkohë që dûrt formësoshin rezultatin e asaj pune nepërmjet arkitekturës e jo vetëm.
_______
[1] Tekin Ç. & Oĝuz Z. (2013). Traces of Birdhouse Tradition in Anatolia. World Academy of Science, Engineering and Technology International Journal of Architectural and Environmental Engineering Vol:7, No:4
[2] Po aty.
[3] Po aty.
Shkroi: Besara Hallunej/Qylymhâne (17 gusht 2026)
Publikue me leje të autorit.